Në një koment të publikuar në Lapsi.al, analisti Andi Bushati, duke komentuar vendimin e presidentit Ilir Meta, për anulimin e zgjedhjeve, shkruante se shpresonte se Edi Rama të vazhdonte në rrugën e tij. Bushati e quan një gafë vendimin e presidentit, duke thënë se ai synon t’i shtrijë dorën Edi Ramës. Sipas analistit, aksioni opozitar kishte për qëllim diçka tjetër.
“Synimi i këtij aksioni ishte për ta lënë arkitektin e këtij regjimi, të vetmuar, me tepsi në dorë, në parlamentin ku dialogon me Kujtim Gjuzin dhe në 61 bashkitë që do i kontrollojnë profile kandidatësh si Elton Arbana (i dalë në përgjimet e Bild). Pra, filozofia e përmbledhur e gjithë kësaj lëvizjeje është: e keqja duhet të shkojë deri në ekstrem, sepse kjo histori, më mirë të ketë një fund të tmershëm, sesa një tmerr pa fund”.
Analisti megjithatë thotë se ka një shpresë:
“Le të shpresojmë që në delirin e tij, Rama të na shpëtojë, ose duke vazhduar me këmbëngulje drejt votimeve, ose duke duke mbledhur numrat për shkarkimin e presidentit,” shkruante Bushati.
Por kolegu i tij, Andi Bejtja, në një koment tek Syri.net, i bën një tjetër thirrje Ramës.
“Edi Rama mund të dalë nga ky qerthull vicioz pa dëgjuar asnjë këshillë; vetëm thjesht të arrijë të përqendrohet disa minuta për të parë një skeç të vjetër të estradës të Tiranës ‘Trimi’.
Me pak fjalë, në këtë skeç, për ata që iu kujtohet si dhe ata që nuk iu kujtohet, tre pleq punësuan një djalë që e quante veten trim, të bënte punët, të shkonte të vinte nga qyteti në fshat: ia plotësuan të gjitha, i dhanë shumëfish, madje dhe paradhënie. Por, trimi nuk u ngop asnjëherë dhe kur pa një derë misterioze, që pleqtë e dinin po të hyje, ngelje brenda e nuk dilje, edhe pse pleqtë në korr i bënin thirrje ‘mos shko or trim’, ‘mos shko or trim’, prej tahmasë, trimi e kaloi atë derë dhe ngeli brenda e nuk doli më.
Kolegu im Andi Bushati, dhe disa të tjerë, për shkak të një teorie tjetër në lidhje me këtë çështje, duke qenë të bindur (ndoshta jo edhe pa të drejtë) se që dielli të shndrisë tamam një ditë, duhet që zullumi të shkojë deri në fund, jam i bindur që po lutet ‘Aman shko or trim…’.
Por, unë këtë herë do t’i bashkohem Presidentit të Republikës, që ka që të premtën që po i thotë Ramës me letrat mbi tavolinë dhe jo me revole poshtë brezit, në mënyrë të përsëritur: ‘Mos shko or trim’”.