Teksa dje u bë zyrtare se biznesmeni italian i përzënë nga pronat dhe nga Shqipëria prej Edi Ramës, për shkak të qendrimeve kritike që ai mbante ndaj qeverisë në televizionin e tij, na mori në gjyq 110 milionë euro, njerëz dhe media pranë bosit të rilindjes tij e gjetën fajtorin.
Ishte Lulzim Basha që u kap në flagrancë në një segment rrugor duke dremitur në makinë, me gjasë, gjatë kthimit në Tiranë pas aktiviteteve në Kukës.
Me prova, me video ata e sollën në publik para syve të gjithë botës se kush është personi që shqiptarët duhet të kryqëzojnë për atë dramë financiare.
Dramë financiare është sepse rreth 3 milionë shqiptarë do të paguajë secili 40 euro për shkak se skenderbeu ynë nuk pyet për ligje e kontrata kur dikush i cënon humorin, por i jep mandatën, e lëçit.
Por e pafalshme është gjithsesi që lideri i Opozitës u kot disa minuta në automjet, si pasagjer afërmendsh.
Kjo ishte një pjesë e fushatës që orkestroi dje shefi i rilindjes pas lajmit. Nuk qe moment i mirë për të, se qe betuar para medias se ai vetëm ka fituar në arbitrazhe, dhe aq më tepër krahu i tij i djathtë për financa, Ahmetaj, u hakërrye me tërsëllimë në një studio, ku shpali se asnjë cent s’do merrte Beketi.
Pjesa e dytë, është reagimi i atij vetë.
Rama sërish sulmoi dhe gjeti fajtorë kundërshtarët politikë. Dhe akuzoi prapë biznesmenin italian. Duke i dhënë atij shkas për të tjera padi, më së paku për shpifje, duke i dhënë mundësi të bëjë sërish para me punën, djersën dhe taksat e shqiptarëve.
Tani që na mori 110 milionë euro, ai i ka mundësitë të paguajë sërish avokatë, edhe më të mirë.
Në këtë e sipër, Edi Rama prapë do pushtet. Kërkon pravë vota. U futi duart në xhep 3 milionë shqiptarëve për Beketin, për atë shumë që qeveria e tij dha për pandeminë, tani kërkon të vijojë të jetë në krye, sepse 8 vite dështim s’janë asgjë, përpara faktit se ai është më i miri, më i gjati, më karakteri në këto anë.
Etiketa: 110 milione euro, Arbitrazhi, Beketi, Edi Rama