Belgjika mund të përballet me një valë të re koronavirusi, mes numrit në rritje të rasteve në të gjithë vendin.
Zëvendës Ministri, Frank Vandenbroucke e cilësoi gjendjen një “cunami” ku autoritetet “nuk kontrollojnë më atë që po ndodh”.
Masat e reja anti-covid hynë në fuqi të hënën. Të gjithë baret dhe restorantet janë të mbyllura për katër javë.
Numri i të infektuarve po rritet në të gjithë Evropën duke e kthyer gjendjen alarmante në të gjithë kontinentin.
Belgjika ishte një nga vendet më të goditura gjatë valës së parë të koronavirusit në Evropë në fillim të këtij viti.
Vendi renditet i treti pas Perusë dhe San Marinos për numrin më të lartë të vdekjeve nga Covid-19.
Rregullat e reja që hynë në fuqi të hënën përfshijnë një fashë orari që fillon nga mesnata deri në orën 05:00 të mëngjesit ku lëvizjet do të jenë totalisht të ndaluara. Gjithashtu shitja e alkoolit do të ndalohet pas orës 20:00.
Vandenbroucke përshkroi situatën në Bruksel dhe në jug të vendit si më të rrezikshmen në të gjithë Evropën.
Qeveria ka vetëm një mesazh për publikun: “Mbrohuni, mbroni të dashurit tuaj, në mënyrë që të mos infektoheni”.
Sipas institutit shëndetësor belg Sciensano, Belgjika ka regjistruar mesatarisht 7,876 infektime të reja ditore gjatë shtatë ditëve të fundit, një rritje prej 79% në javën e mëparshme. Të martën e kaluar vendi raportoi 12,051 raste në 24 orë, shifra e tij më e lartë ditore që nga fillimi i pandemisë.
Në mesin e gjendjes alarmante, spitalet janë në kulmin e tyre. Zyrtarët paralajmërojnë se nëse rastet vazhdojnë të rriten me të njëjtën ritëm, Belgjika do të plotësojë kapacitetin e saj prej 2,000 shtretërish të kujdesit intensiv deri në mes të nëntorit.
“Situata është serioze,” tha Kryeministri Alexander De Croo. “Më keq sesa më 18 mars kur u vendos bllokimi.”/BBC/
Përshtati: Mapo.al