Kryesore

Belinda Balluku, zonja 1 miliard euro






               Publikuar në : 10:08 - 26/01/19 |
mapo.al

Kush është gruaja që Edi Rama i ka besuar pjesën më të madhe të buxhetit, që shkon mbi 1 miliard euro në vit


Nga Blerina Gjoka

Shumë emra të rinj, figura pak ose aspak të njohura për publikun, u bënë ministra në qeverinë e re në këtë fillimviti. Por pavarësisht se vëmendja kryesore shkoi te 28-vjeçari nga Kosova, Gent Caka, të cilin Edi Rama nga këshilltar, pa asnjë eksperiencë tjetër domethënëse në politikë apo diplomaci, e projektoi si ministër të Jashtëm, një tjetër emër po merr këto ditë më shumë hapësirë. Edi Rama i ka besuar asaj pjesën më të madhe të buxhetit dhe projektet kryesore.

Bëhet fjalë për një zonjë, e cila nuk është shumë e njohur për publikun, por për qarqet politike e mediatike, nuk është aspak suprizë besimi që i dha kryeministri Rama. Belinda Balluku, njeriu i afërt i Ramës që në kohën kur ai ishte kryetar i Bashkisë Tiranë, ka marrë drejtimin e superministrisë, atë të Infrastrukturës dhe Energjitikës, një ministri që deri më 2017-n i takonte “tepsisë”, pasi e kishte drejtuar aleatja LSI.

Belinda Balluku është në krye të një fondi të paktën 1 miliard euro në vit.

Ministria e drejtuar prej saj ka një buxhet vjetor (2019) afro 400 milionë euro (46.9 miliardë lekë).

Përveç 46.9 miliardë lekësh nga buxheti i shtetit për investime, që duke iu përshtatur një viti elektoral do të shkojnë kryesisht për rrugë e ujësjellsa, Belinda ka nën kontroll energjitikën që administrohet nga kompanitë më të mëdha në vend, OSHEE, KESH dhe OST, të cilat së bashku kanë deklaruar një xhiro vjetore prej 600 milionë euro.

Pra, 1 miliard euro në vit.

Në duart e zonjës Balluku është dhe menaxhimi i fondeve të koncesioneve të rrugëve ose PPT-të dhe kontratat koncensionare të afro 500 HEC-eve në të gjithë vendin.

E diplomuar për Menaxhim Biznes dhe me një eksperiencë të gjatë, që prej 2013-s, në disa drejtori me shumë fonde, është padyshim sfidues menaxhimi i 1 miliard eurove, për ish- drejtoreshën e Aviacionit Civil.

Në tabelën e ndarjes së fondeve, e hartuar që në kohën e paraardhësit të saj Damian Gjiknuri, shifrat më të mëdha shkojnë për rrugë dhe kanalizime; respektivisht Transporti Rrugor- rreth 22 miliardë lekë dhe Furnizimi me ujë dhe kanalizime rreth 10 miliardë lekë.

Nisja e punës me “dorë të hekurt”

Por, më shumë se sa si menaxhere e fondeve, në krye të herës Balluku na u shfaq si një shefe e rreptë që me një të rënë të lapsit u mundua të “zhdukë” gjurmët e një prej problemeve më të mëdha me të cilën u përball qeverisja Rama që në fillim të mandatit të saj të dytë. Me shkarkimin e disa drejtorëve kyç në këtë ministri ajo hoqi kështu “mbrojtjen” e njerëzve që po hetohen për çështjen e falsifikimit të dokumenteve nga ana e kompanisë “DH Albania”, e cila, ndërkohë kishte fituar dy tendera të mëdhenj në ministrinë e Gjiknurit.

Ministrja e re shkarkoi të besuarit e Gjiknurit, drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Afrim Qëndro dhe Drejtorin e OST-së, Klodian Gradeci, të dy në hetim nga prokuroria në lidhje me skandalin. Firma ‘DH Albania’ fitoi dy tendera me vlerë 30 milionë euro në fund të vitit të kaluar, 18 milionë për ndërtimin e lotit të parë te Unaza e Re dhe 12 mln euro nga OST-ja për ndërtimin e linjës së tensionit 220 kW Burrel-Peshkopi.

Masa të forta këto nga Balluku, edhe pse shumëkush beson se këto vendime të dyshimta dhe korruptive nuk janë marrë kaq lehtësisht nga drejtorët pa bekimin e eprorëve të mëdhenj.

Më tej, ajo vijoi me shkarkimin e drejtorit të portit të Durrësit, Afrim Bakaj.

Duket se javët e para të punës së saj në ministri do të kenë në fokus spastrimin e drejtorëve të mëparshëm të Rilindjes.

Po ashtu, një akt tjetër që bëri lajm këtë javë ishte vendimi për të kaluar në sitë të gjitha kontratat e HEC-ve.

Pas kryerjes së këtij misioni, pritet që Balluku të tregojë ‘aftësitë e saj menaxheriale’ për të investuar në rrugë e ujësjellësa, pasi ky vit përkon me zgjedhjet vendore, ku Rilindja synon të mbajë bashkitë e drejtuara prej saj, por dhe të rimarrë bashki që ia kishte besuar LSI-së në zgjedhjet e fundit.

Dritëhijet në të shkuarën e Ballukut si menaxhere

Balluku, me dy diploma në fushën e menaxhimit, një në Miami, USA, dhe një në Institutin Teknologjik të Athinës, vjen gjithsesi me disa hije dyshimi nga menaxhimi i ALBCONTROL sh.a., Agjencia Kombëtare e Lundrimit Ajror të Republikës së Shqipërisë.

Në ditët e fundit të saj si drejtoreshë ajo nuk dha dot sqarime për “zhdukjen” e kompanisë Air Albania bashkë me avionët me emra poetësh, që u trumpetua me bujë të madhe nga kryeministri Rama si e para kompani ajrore shqiptare.

Po ashtu, gjatë punës së saj në këtë drejtori që prej vitit 2013 ajo u përfol për një skandal në menaxhimin e fondeve, ku në një rast ishin akorduar 66 milionë lekë për trajnimin e vetëm 2 studentëve ose në raste të tjera ku tenderat kishin vetëm 1 ofertues dhe jepeshin me 100 për qind të vlerës, probleme këto të evidentuara dhe në raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Balluku ka qënë në disa raste target i denoncimeve të opozitës, sidomos të zotit Berisha. Edhe pse ngjajnë si histori të një jete tjetër, dhe Balluku kërkon që në ditët e para të rrëfejë se një tjetër histori ka nisur, sfidat janë të shumta.

Shumë rrugë të pambaruara, premtime të pambajtura, dhe një lloj skepticizmi në opinionin publik për kilometrat e padukshme të Ramës.

Përveç kësaj, për Ballukun duhet të shërbejë si një memorie aktive, fati i paraardhësve, të cilët jo rrallë e kanë parë veten në dyert e drejtësisë.


Etiketa: , , , ,

Pas