Laert Miraku
Në mesditë qyteti futej në “shtetrrethim”. Thuajse askush nuk duhet të qarkullonte më në rrugë. Njerëzit mbylleshin në banesa ose fshiheshin në lagje. Ishte koha kur zgjohej dhe parakalonte “mbreti”. Nëse rastiste që dikush i dilte para i rrezikohej jeta nëse “mbreti” e shihte si njeri të dyshimtë. Askush nuk guxonte ta shihte, aq më pak në sy sepse mund të rastiste që kalimtari të kishte ngjyrën e syve të njëjtë më “mbretin” e konsiderohej fatlum nëse humbiste vetëm njërin sy.
“Mbreti” e vuante shumë faktin që kishte humbur njërin sy në një grabitje. Në ato vite në qytet nuk ishte e modës që ta mbuloje vendin e syrit të humbur me fasho të zezë si piratët, ndaj “i pari i qytetit” kërkonte që ta zëvendësonte patjetër. Dëshmitarë të shumtë pranojnë se: “Që në momentin e parë që mbreti do të gjente njeriun që do të kishte sy të ngjashëm me të tijin, do ta vriste dhe me majën e një thike do ja gërryente, me qëllim transplantimin”.
Kulmi arrin kur pyet mjeken specialiste ku vizitohej: – “Doktoreshë, më bën mua ai syri yt i majtë?” Si do të ndjeheshit ju nëse do të ishit në rastin e mjekes kur pacienti i kërkon që të gjymtojë për të përmirësuar veten? Për rastin në fjalë okulistja më e njohur e qytetit, zgjodhi që të heshtë. Një fjalë e pa menduar mirë mund t’i kushtonte jetën mjekes.
Ndokush mund të pyes, po si e humbi syrin “mbreti”? Ngjarja kishte ndodhur kohë më parë, vitet kur bëri emër si hajdut dhe grabitës nate. Hajduti që u bë “mbret” kishte shkuar të fshatrat rreth qytetit të tij dhe vidhte bagëtitë apo objektet e tjera me vlerë për kohën që kishin fermerët e atyre zonave. Në njërën prej shtëpive ku po vidhte, i zoti i shtëpisë e zbulon dhe e qëllon me çifte. Ky është momenti kur Altin Dardha, humb njërin sy. Nga ky moment familja e plakut që e qëlloi me çifte vet-izolohet nga frika e hakmarrjes dhe Altin Dardha punon fort për t’u bërë “mbreti” i Beratit.
Pas dy vitesh nevoja për të mbijetuar i nxjerr nga shtëpia dy djemtë e plakut që të shesin produktet e tyre e të mbajnë “frymën gjallë”. Spiunët, si në të gjitha rastet e historisë së njerëzimit bënë punën e tyre, i kallëzuan vëllezërit tek Altin Dardha. Menjëherë Altin Dardha rrëmben dy vëllezërit nën kërcënimin e automatikëve dhe i dërgon jashtë qytetit. “Vetëm njëri nga ju do ta paguajë. Zgjidheni me njëri – tjetrin se cili do vazhdojë të jetojë” ishte fjala e fundit e Altin Dardhës pasi u shpjegoi se përse i kishte rrëmbyer. Vëllezërit e marrin shpejtë vendimin nga frika se mund t’i vriste të dy nëse vonoheshin, i vogli do jetonte dhe i madhi, 34-vjeçari Pëllumb Çaushi do vritej. Dhe ashtu ndodh, si të ishte një nga lojërat virtuale që luajnë adoleshentët sot.
Krimi më monstruoz i Altin Dardhës identifikohet lehtë për shkak të një memiroali që ndodhet sot në hyrjen e qytetit të Beratit. Mesditën e datës 1 gusht 1997 ekzekutohet 19-vjerçarja Etleva Kaçeli teksa ecte në trotuar. Etleva priste të bëhej nënë për pak muaj. “Për sa i përket gruas shtatëzanë, u vra se ishte gruaja e dikujt që Dardha kishte vrarë dhe kur morri vesh që priste djalë e vrau me arsyetimin që do rritet e do e kem hasëm” ka deklaruar një dëshmitar i mbrojtur për ngjarjen tronditëse. Në të drejtën zakonore shqiptare gruaja është e paprekshme, por “mbreti” kishte rregullat e tij. Historia e vajzës shtatzënë që u vra në rrugë bën pjesë edhe në librin e autorit italian Andrea Galli të titulluar “Gjuetarët e mafiozëve”. Aty, nuk zbulohet identiteti i saj por thuhet se Altin Dardha e vrau pasi mbante në bark fëmijën e një armiku të tij. Shumë pranë vendit ku u vra 19-vjeçarja, ndodhet edhe memoriali i Kujtim Agalliut. Sipas dëshmitarëve, ai u vra vetëm se iu lut bandës të mos i binin më qafë vajzës.
Dëshmitarë të shumtë tregojnë se banda e drejtuar nga Altin Dardha vriste të pafajshëm edhe për argëtim, për t’i treguar njeri-tjetrit se kush ka shënjestrën më të mirë. Një plak të hipur mbi gomar, që ecte paralel me rrugën automobilistike, bandës iu duk rast ideal për të provuar shënjestrën, në një prej ditëve kur ata po ktheheshin në Berat. Kush do ta rrëzonte plakun nga gomari me një plumb me pistolete do fitonte 50 000 lekë. Zhvendosja e ngadalshme e “tabelës së qitjes”, që ishte plaku që lëvizte me gomar, nervozoi shumë bandën sepse asnjë plumb i tyre nuk po kapte të moshuarin. Në inat e sipër dikush merr kallashnikovin dhe e drejton nga plaku, po miqtë e ndalojnë i thonë se i moshuari është jetëgjatë e për këtë meriton respekt. Kur plaku mbërrin rrugën automobilistike, një nga banditët del nga makina dhe pa dhënë asnjë shpjegim i jep shumën që ishte vënë bast për kokën e tij.
Ditën që banda e Burhan Tomorit vret babanë e Altin Dardhës, ky i fundit vendos që të kryej masakër ndaj rivalëve. Më 9 korrik të vitit 1997, për të marrë hak për vrasjen e babait Altin Dardha vret 9 persona, por të gjithë ata ishin të niveleve jo të liderit. Altini tentoi nga “Kalaja” të sulmonte “Vakëfin” por nuk ia arriti. Altin Dardha shkon dhe rrëmben tankun në polici për të sulmuar lagjen e “Vakëfit”. Efektivët në pamundësi për të reaguar “morën masa” duke i hequr gjilpërën e topit.
“Çmenduria e Altin Dardhës arriti deri aty sa tentoi të ngrejë në ajër një avion të bazës së Kuçovës për të sulmuar lagjen e armiqve. Arriti ta nxjerrë deri në pistë edhe pse ushtarakët i thanë se avionët ishin jashtë funksioni. Altini u ndal pasi i doli para miku Edmond Merko, një i fortë i zonës që kishte familjen në Vakëf”
Altin Dardha ka qëlluar edhe drejt shokëve të tij për shfaqje. “Një i panjohur që po afrohej me motoçikletë. Në momentin e fundit dikush i thotë, lëre se është filani. Mirë thotë se e ndreq unë. Dhe i çon një plumb afër dhe ai rrokulliset.”
Policia ishte thuajse e padukshme në Berat në vitin 1997 dhe fillimin i vitit pasardhës. Dëshmitarë të shumtë rrëfejnë se Altin Dardha nuk i duronte dot policët. “Një moment i del përpara makinës së grupit të gatshëm, i zbret në tokë, i degjeneron, i shan, u merr jelekët anti-plumb, armët etj. Thuhet nga disa se e bëri vetëm për t’u marrë jelekët anti-plumb se ato s’i kishin, të tjerat i kishin, por këtë ngjarje e mori vesh i gjithë Berati”.
Masakra e fundit e Altin Dardhës është më 25 Shkurt të vitit 1998. Ai mëson se armiku kryesor i tij Burhan Tomori, ishte duke pirë kafe në një lokal pranë stadiumit të qytetit. Së bashku me Gëzim Kasemin, Agron Bilalin dhe Altin Isufin afrohen me një automjet dhe hapin zjarr njëkohësisht në drejtim të tavolinës ku ndodhej Tomori. Burhan e Abduraman Tomori, Behar Eskiu dhe Kastiot Bejko humbën jetën në vend, u plagosën dhe dy të tjerë. Kohë më vonë, policia njoftoi se,“54 nga 198 gëzhojat e gjetura në vend-ngjarjen, janë qitur nga arma e zjarrit – automatik e hedhur nga shtetasi Altin Dardha, e gjetur pranë një furre gëlqereje, afër fshatit Bogdan”. Pas krimit, Dardha dhe ushtarët e tij u larguan me shpejtësi drejt Uznovës. Gjatë arratisë, Altin Dardha vret shtetasin Sali Kumani, krim që mendohet se është kryer për të shpërqendruar policët. Në arrati e sipër ata ndërrojnë 2 makina që i grabisin nën kërcënimin e armëve dhe marrin peng një polic. Për shkak të terrenit më pas janë larguar me vrap.
Altin Dardha ekzekutohet tre ditë pasi eliminoi Burhan Tomorrin. Altin Dardha u “hoq qafe” në lokalet që janë përballë ishullit të Ali Pashë Tepelenës në Janinë. Ekzekutori Arjan Paja, një vrasës nga Kuçova, ishte porositur t’i jepte fund kapobandës më të frikshëm të Beratit. Shokët e kishin tradhtuar. Altin Dardha nuk i duhej më askujt. Vdekja e tij i jepte fund një lufte të gjatë mes bandave.
“Altin Dardha i ka kërkuar Arjan Pajës t’i falë jetën duke i premtuar një thes me para”. Dardha për t’i shpëtuar plumbave vete në derën e lokalit duke e shtyrë për ta hapur, por dera duhej tërhequr. E ngjashme me Gabriel Garcia Marquez, “Kronikë e një vrasje të paralajmëruar”.
“Asnjë nuk e ka parë trupin e Altinit dhe e vetmja gjë që dihet biseda e fundit me vrasësin e tij.” Dëshmitarë të shumtë deklarojnë se Altin Dardha është varrosur në Athinë. Në ceremoninë mortore morën pjesë 6 persona nga rrethi i ngushtë familjar. Mësohet se nuk është sjellë në Shqipëri sepse në atë kohë ka patur edhe sinjale që hapnin varret dhe dëmtonin njerëz të urryer. Nëse Altin Dardha do ishte ende gjallë, numri i të vrarëve do ishte akoma më i madh.