Ben Blushi, gazetar, eseist, shkrimtar, politikan, drejtues dhe menaxher i lartë mediash, prej afro 30 vjetësh është aktor i dorës së parë dhe kualitativ në jetën publike të Tiranës, që prej rretheve letrare studenteske të fundit të viteve ’80, pjesë e shtypit të lirë pluralist që në ditët e para të lindjes së tij, shtyllë e themelimit të shtypit të pavarur në dekadën e parë të demokracisë shqiptare.
Në vitin 1997, Ben Blushi futet në ekipet politike të së majtës shqiptare duke kontribuar fort në verbalizimim dhe jetësimin e emancipimit të saj deri në vitin 2005. Aktor politik i planit të parë, rivalizues në ide, koncepte e platforma të lidershipit të së majtës shqiptare në fazën e dytë të emancipimit të saj, pas daljes së saj në opozitë e deri së fundi me krijimin e formacionit politik LIBRA, Ben Blushi pati një impakt edhe më shumë se politik në jetën publike shqiptare.
Me letërsinë e tij të ‘100 mijë romaneve të shitura’, ai është letrari modern shqiptar në përmasat e fenomenit. Me esetë dhe diskursin e tij publik, Blushi impaktoi gjerë jetën publike, duke parapërgatitur një frymë dhe narracion publik që ështe në veprim e sipër në shoqërinë shqiptare. Sot menaxheri kryesor i televizionit më të madh në vend, Blushi kontribuon në një fazë të re të mediave shqiptare. Urime Ben Blushit këtë 50 vjetor dhe një hyrje në 50-vjetorin e dytë të jetës plot arritje dhe perspektiva të mëtejshme.