Zyrtarët e Prishtinës kanë biseduar me drejtorin e Zyrës serbe për Kosovën Marko Gjuriç në prag të formimit të qeverisë së re.
Gjuriç ka deklaruar në një gazetë serbe se ka biseduar me zyrtarë kosovarë për çështjen e formimit të qeverisë së re kosovare, por nuk ka bërë publik emrin e zyrtarit kosovar, pasi nuk dëshiron që ta vërë në siklet.
Ai ka thënë se me marrëveshjen e koalicionit qeverisës parashikohet që Kisha Ortodokse serbe të gëzojë pavarësi të plotë në punën e saj dhe t’i kthehet pasuria e marrë.
Gjuriç ka thënë se është koha që “në Kosovë në vendet me shumicë serbe gjykatës dhe prokurorë të jenë serbët”.
Duke folur për formimin Ushtrisë së Kosovës ai ka thënë se kjo bie ndesh me Marrëveshjen e Kumanovës, por ka shtuar se “ata, nominalisht, në letër kanë çarmatosur UÇK-në por në të vërtetë në uniforma vetëm kanë ndërruar shenjat dhe e kanë quajtur Trupat Mbrojtëse të Kosovës”.