Aktualitet

Beqiraj: PS dështoi në garantimin e votës, u bë pragmatiste






               Publikuar në : 11:18 - 19/06/19 |
mapo.al

Jemi në një situatë ku sa më shumë afron data e zgjedhjeve të 30 qershorit, aq më shumë shtohet konflikti politik, që duket se nuk është më vetëm i tillë pasi ka edhe nuancë civile. Si e gjykoni situatën aktuale dhe cila mund të jetë zgjidhja? Ka përplasje forcash mes “të bindurve politikë”, por a po ndihet disi zëri i elektoralit gri?


Çfarë mund të them për situatën aktuale? Kur deputeti i Partisë Socialiste thotë unë jam në të drejtën time që t’u kërkoj anëtarëve të PS-së që të bëjnë të ditur votën?! Unë jam në Partinë Socialiste dhe mendoj që jam për të kontribuar për forcën politike me ide, me integritet edhe duke zbatuar parimet bazë dhe jo për të bërë të ditur votën. Kjo tregon që, të dy partitë kryesore nuk marrin pushtetin duke ofruar alternativë, por duke manipuluar votën e sovranit. I gjithë sistemi ynë politik është ngritur mbi këtë bazë. Duan vetëm të marrin pushtetin. Eshtë problem që e kemi në të dyja partitë. Dikur ziheshin komisionerët me njëri-tjetrin, pastaj hyri në lojë policia, më pas u bë problem mos numërimi i votave, pastaj edhe blerja e saj. Shoqëria jonë e ka kuptuar këtë dhe kjo duket qartazi po të analizoni elektoratin gri, që po shtohet në çdo zgjedhje, e sot janë më shumë e 50 për qind. Pjesa tjetër që shkon e voton nuk është se beson. Çdo ditë e më shumë, aty futen njerëzit që në fund të ditës do të duhet të marrin disa vendime pragmatiste. Unë mendoj se duhet të fillojë një reflektim brenda partive. Ajo që pashë te seanca për rezolutën për shkarkimin e Presidentit ishte e rëndë, nuk i futem debatit që presidenti ka shkelur Kushtetutën ose jo. Të gjithë mund të kenë një opinion për këtë, por i vetmi institucion që e gjykon është Gjykata Kushtetues. Ajo seancë plenare ishte një maskaradë. Aty doli qartë që në partinë ku unë aderoj, nuk ka trima, por ka qejflinj trimash. Kjo ishte më e dhimbshmja. Nuk pashë një njeri që të dilte që të thoshte ç’po bëjmë, duke bërë një gjyq politik, pa folur më parë Gjykata Kushtetuese? A nuk e shkelën po këta burra kushtetutën kur vunë President një kryetar partie? Nuk u gjend në atë kohë një intelektual i pavarur siç e kërkonte Kushtetuta. Duket sikur po përjetojmë përrallën e Aladinit. Presidenti është herë dreqi, herë xhindi, mazhoranca është Aladini, pushteti është llamba dhe opozita magjistari i keq që kërkon llambën…



Si mund të kalohet kjo krizë dhe nëse kalohet sa e qëndrueshme do të jetë në vijim?

E vetmja zgjidhje është të reformohen partitë, pasi ato janë kthyer në pellgje ku nuk lëviz asgjë. Kjo është ulëritëse, nëse vazhdojnë të mos ofrojnë asgjë të re përveç konfliktit, në kërkim të pushtetit kanë braktisur çdo filtër, duke sofistikuar vetëm mekanizmat e manipulimit të votës. Shqiptarët nuk zgjedhin, shqiptarët shkojnë e votojnë në këto 30 vite. Mendoja që çdo intelektual në parti duhet të kontribuonte për vendin edhe vetëm kështu mund t’i shërbente edhe partisë. PS-ja është dalluar, pikërisht se ka mëtuar liberalizmin në vend të autoritarizmin. PS-ja ka qenë parti civile dhe ka ushqyer debatin. Durimin nuk e ka konsideruar kurrë nënshtrim, duket që i kemi braktisur këto cilësi. Në bindjen time, mazhoranca dhe Rama duhet të tërhiqej siç bëri edhe në vitin 2017. E nëse na “kujtojnë Kushtetutën”, duhet t’u kujtohet se e kanë shkelur frymën e Kushtetutës kur zgjodhëm një President që ishte kryetar partie. Zgjedhjet lokale një ditë do të bëhen, pasi nuk janë në dorë të Presidentit. A do të bëhen në 30 Qershor apo 30 Shtator, popullit kjo nuk i intereson. Kjo që po ndodh është lojë force. Popullit i intereson të këtë mundësi zgjedhjeje, një votim i qetë, pak rëndësi ka për ta data. Jemi para faktit të ndarjes që është bërë tani në bashkitë që drejtohen nga kryetarë të opozitës të cilët kanë filluar të bëjnë një lloj rezistence për të respektuar dekretin e Presidentit. 22 bashki nuk duan ta njohin datën e zgjedhjeve dhe i përmbahen dekretit të presidentit, ndërsa 38 bashki duan të shkojnë në zgjedhje.

Unë shpresoj dhe bëj thirrje për zgjidhje. Nuk e di nëse do ketë një marrëveshje në një tavolinë të përbashkët apo një marrëveshje të njëanshme, por një nga palët duhet të tërhiqet. Nëse do shpërndahet parlamenti, siç po aludohet në media do të thotë që është tërhequr opozita atëherë opozita do të detyrohet të shkojë në zgjedhje të parakohshme me Edi Ramën. Kjo do të thotë që opozita është tërhequr nga kërkesa e saj. Kjo mund të ishte një zgjidhje.

Nëse gjendet zgjidhja ndoshta edhe me ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar, po sa e qëndrueshme do të jetë, kur kemi fenomen negativ me çështjen votë…30 Qershori po afron, palët janë më se të ndara, a ka vend që dikush duhet të tërhiqet?

Mund të shkojmë në zgjedhje të parakohshme, por problem mbetet se si do zgjidhim çështjen e manipulimit të votave ku partitë kanë vënë tulla në këtë mur të lartë që na ka ndarë ne me demokracinë. Deri tani kemi këto parti që e përdorin forcën politike vetëm për të ardhur në pushtet. Partitë duhet të kenë ide, vizion plane të qarta për zhvillimin e një vendi, në të kundërt populli nuk duhet të dalë në zgjedhje. Faktori ndërkombëtar nuk mund të na i zgjidhë këto probleme, ai do të ofrojë zgjidhje të shpejta, sepse nuk mund të marrë kazmën e “të prishë” e të rindërtojë sistemet tona. Faktori ndërkombëtar është i lodhur me ne, madje së fundmi, i çoroditur nga informacionet kontradiktore. Le të themi është ndarë në dy pjesë; Brukseli teknik që shprehet pro hapjes se negociatave dhe Brukseli politik është sot më skeptik se kurrë apo që thotë jo. Do të duhet shumë punë që faktori ndërkombëtar të ndryshojë sërish. Kishim e kemi nevojë për më shumë qetësi, urtësi nga ana e mazhorancës. Çdo fitore e momentit mund të jetë parathënia e humbjes në të ardhmen. Intelektualët ikën, ose janë tërhequr frikshëm nga partitë, dhe kur ikin intelektualët, mbeten gjithë njerëzit që e përdorin partinë për interesa personale, për t’u bërë deputetë, për t’u bërë ministra, kryetarë bashkie apo drejtorë drejtorie. Jemi në kushtet që këta njerëzit shikojnë partinë si një mundësi për të zënë tepsinë, edhe jo për të përmirësuar Shqipërinë. Idealisht do të doja të mos i shikoja më protagonistë në politikën shqiptare as Lulzim Bashën, as Sali Berishën, as Edi Ramën. Besoj që ka ardhur koha të tërhiqen njëherë e mirë, pse jo edhe Monika Kryemadhi. Kjo do ishte një zgjidhje ideale. Kanë dështuar të ndërtojnë shtetin dhe demokracinë, kanë prodhuar vetëm konflikte. Jemi të pashpresë nëse i mbajmë sytë vetëm te këta të katërt. Këta janë të zëvendësueshëm. Bënë aq sa ditën edhe mundën, por kanë treguar më shumë se një herë që janë në pamundësi për të ofruar më të mirën. Të gjithë ata që do vinin më pas duhet ta kuptojnë që të jesh lider i një partie duhet të kesh një objektiv. Në momentin kur objektivi nuk përmbushet, nuk është fundi i botës që ti ta lësh drejtimin e saj. Ne nuk kemi akoma burra shteti ose liderë që të bëjnë një ndarje siç duhet me pushtetin. Argumentet që sot përdor Partia Socialiste e lidershipi i saj janë të njëjtat argumente që për çështje të caktuara kanë përdorur edhe kundërshtarët tanë. Dikur përdorej nga PD-ja në pushtet që “përgjimi nuk është prove”, tani po përdoret gjerësisht nga PS. Na ka mbetur i njëjti argument dhe nuk kemi arritur të themi diçka ndryshe. Kemi mbetur në debatin shterpë. Cila është më e rëndë? Manipulimi, mosnumërimi apo blerja? Duhet të pranojmë që Partia Socialiste në këtë rast dështoi të ofronte një luftë pa kompromis kundër manipulimit të votës, thjesht u bë pragmatiste.


Etiketa: , ,

Pas