BERAT– 4 mësues në shkollën 9-vjeçare të fshatit Mbrakull dhe një polic rrugor, kanë rezultuar të infektuar me koronavirus.
Raportohet se mësuesit janë karantinuar menjëherë pasi kanë rezultuar pozitivë, ndërkohë që janë izoluar edhe disa kolegë e nxënës me të cilët kanë pasur kontakte të afërta. 4 mësuesit udhëtonin të gjithë së bashku në të njëjtin automjet për të shkuar në punë. Sipas burimeve zyrtare pranë Inspektoriatit të Higjenës dhe DSHP Berat, shkolla 9-vjeçare është dezinfektuar dhe janë mbyllur përkohësisht disa klasa.
Polici rrugor ka qenë ndërkohë duke patrulluar deri dy ditë më parë, kur edhe ka kryer tamponin, për shkak të temperaturës së lartë dhe kollës. Ai është izoluar porsa i është bërë me dije rezultati pozitiv, dhe së bashku me të janë karantinuar edhe kolegët e turnit.
Të njëjtat burime konfirmojnë se është kryer edhe dezinfektimi i disa ambjenteve në DPV Berat, ndërkohë që mjekët epidemiologë janë duke kryer hetimin epidemiologjik të rasteve të kontaktit të personave të infektuar me Covid-19.