Aktualitet

Bergamo, shërimi i ngadaltë pas agonisë





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 16:35 - 23/05/20 |
mapo.al

Për dy muaj me radhë, la botën me frymën pezull teksa përcillte shifra e situata gati surreale në spitalet dikur të lakmuara, për standardet e pakonkurrueshme.


Mjekët që qanin korridoreve, lutjet për ndihmë e kishat e mbushura me arkivole u kthyen në simbol të luftës me pushtuesin e padukshëm që po sfidonte egërsisht njerëzimin, ndërsa rajoni i pasur i Lombardisë u bë fushëbeteja më përgjakur.


Pas ditëve të pafundme lëngimi, dielli ka nisur të shkëlqejë sërish në qytetin e drobitur të Bergamos, e megjithatë plagët janë të thella dhe shërimi është i ngadaltë.


Në varrezat e tejmbushura të Nembros, një fshat në epiqendrën e krizës së covid-19 në Itali, varret shënohen më një kryq të thjeshtë prej druri, shoqëruar me një copë letër ku shkruhet emri i të ndjerit, datëlindja dhe një fotografi e vogël. Ky ishte opsioni i vetëm i mundur për tu dhënë lamtumirën të dashurve, të ndarë nga jeta si pasojë e koronavirusit. Datat janë thuajse të njëjta, mars dhe prill 2020.


“Normalisht ka 16 deri në 17 vdekje në ditë. Në mesin e marsit mesatarja e vdekjeve ishte 89 në ditë e pati ditë ku shënoheshin 110  deri në 116 humbje jetësh”, thotë Daniela Taiocchi, “Eco di Bergamo”.

Varrezat nuk kanë qenë asnjëherë kaq të mbushura. Në 21 ditët e para të marsit, Nembro pati një rritje prej 100% të numrit të vdekjeve, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Koronavirusi ishte një cunami, që gati shfarosi moshën e tretë, duke e kthyer Bergamon në një qytet pa gjyshër. Mosha mesatare e viktimave ishte 80 vjeç. Familja e Livio Giovanelli-t, mori goditje të rëndë nga pandemia; dy prej xhaxhallarëve dhe një kushërirë e tij humbën jetën në mars. Dhimbja është ende e madhe, edhe pse kanë kaluar dy muaj.

Na la të gjithëve të lebetitur, në ankth pasi gjithçka ndodhi aq shpejt sa nuk mund të bënim asgjë”, kujton Livio Giovanelli, banor i Bergamos.

I njohur dikur për arkitekturën e kohës së rilindjes në zonën e vjetër, e pozicionuar në një kodër që sheh kah qyteti modern, brenda pak javësh Bergamo e u kthye në epiqendrën kryesore të pandemisë në botë. Pasi rastet e para me covid-19 u raportuan në fund të muajit shkurt, spitalet e qytetit u tejmbushën shpejt, e sistemi i shëndetësisë rrezikoi kolapsin. Numri i lartë i viktimave u bë i papërballueshëm për morgjet, e pamjet e kampioneve të ushtrisë që transportonin trupa i shtuan nota tragjike, dramës që po merrte jetë në rajonin më të pasur të Italisë. Faqet me lajmërimet e vdekjeve në gazetën “Eco Di Bergamo”, u bënë një simbol i zymtë i krizës. Kryeredaktori i saj e përjetoi krizën në kurriz, pasi virusi i mori tre familjarë. Historitë që shkruante çdo ditë ishin një reflektim i gjallë i asaj që përjetonte pas dyerve të shtëpisë së tij.

“Të gjitha historitë e vdekjeve që tregonim çdo ditë, i kam verifikuar ose jetuar vetë. Pata 3 vdekje në shtëpinë time kështu e përjetova nga afër të gjithë procedurën, personi që sëmurej në shtëpi, ambulance që vinte natën; lamtumira e fundit dhe shpresa se do ta shihje sërish personin e dashur. Pastaj telefonatat nga spitali, pasi nuk i takoje dot, e në fund telefonata e tmerrshme që lajmëronte se i afërmi yt nuk ia kishte dalë. Por nuk mbaronte aty, pasi ishin edhe momentet plot ankth teksa përpiqeshe të gjeje shërbimet funerale”, tregon Bruno Bonassi, kryeredaktor i “Eco di Bergamo”.

Jashtë zyrave të gazetës një ekran gjigand shfaqen fytyrat e viktimave, në një homazh për të gjithë ata që e humbën betejën me armikun e padukshëm. Eksperienca tronditëse që Bergamo përjetoi gjatë javëve të errëta, nuk do të harrohet lehtë. “Mendoj se një plagë e thellë do të qëndrojë gjithmonë me ne. Na preku të gjithëve, hyri në shtëpitë tona”, thotë Bonassi.

Niveli i infektimeve të reja ka rënë ndjeshëm dhe qyteti ka hedhur hapat e parë drejt rizgjimit nga letargjia e detyruar në te cilën hyri në fillim të muajin mars kur Lombardia u bë e para në Europë që urdhëroi banorët të qëndronin në shtëpi, në përpjekjen për të frenuar përhapjen. Roberto Cosentini, shef i urgjencës në spitalin papa Gjon Pali, kujton ndjesinë e frikshme të pacientëve të panumërt që mbërrinin çdo ditë, por sipas tij shërbimet mjekësore mësuan dhe ju përshtatën sëmundjes…

“Tani e dimë me saktësi se çfarë të bëjmë. Jemi gati të riorganizohemi për të tretën herë në mënyrë që të përballemi me një epidemi të re. Por problemi kryesor janë ndjenjat tona, pasi jemi të lodhur. Prandaj druhem se një valë e dytë do të jetë edhe më e vështire për tu përballuar nga pikëpamja psikologjike”, thotë Roberto Cosentini, shef i urgjencës në spitalin “Papa Gjon Pali”.

Pacientët vazhdojnë të trajtohen për Ccovid-19 në spitale, por fatmirësisht tani ka plot shtretër të boshatisur. Të gjithë duan dëshpërimisht që ato të qëndrojnë të tillë. Kryebashkiaku i Bergamos i cili u shndërrua në një figurë popullore në ekranet italiane, për kritikat ndaj qeverisë së Romës dhe autoriteteve rajonale për reagimin e ngadaltë, beson se numri i viktimave të koronavirusit mund të jetë dyfish më i lartë nga ç’pretendohet zyrtarisht.

Kryebashkiaku i Bergamos, Giorgio Gori, beson se faza më e vështirë e krizës është tani pas krahëve por probleme i ri me ringritjen, është vetëm në fillim të tij. “Në këtë moment besoj se nuk i kemi ende mjetet e monitorimit dhe ndërhyrjes në kohë, që do të na lejonin të evidentonim me saktësi momentin e rikthimit të mundshëm të pandemisë, ndërsa rihapim aktivitetet prodhuese, dyqanet, baret dhe restorantet.

Për ketë arsye do të vazhdojmë të tregojmë shumë kujdes dhe do t’u kërkojmë qytetarëve tanë të jenë vigjilentë, të mbajnë maska mbrojtës dhe të ruajnë distancën”, thotë ai. Sipas tij, Italia duhet të rizbulojë tani shpirtin që çoi në ngritjen e themeleve për rimëkëmbjen e pasluftës, e megjithatë ka besim se qyteti i tij do të t’ia dalë. “Duam që Bergamo, i cili pa dashje u kthye në simbol të pandemisë, të bëhet tani simbol i rilindjes”./A2/


Etiketa: ,

Pas