Ish-kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar një konferencë për shtyp këtë të premte, ku ka folur për legazlizimine kanabisit për qëllime mjekësore.
Ai është ndalur edhe te afera e inceneratorëve. Berisha ka deklaruar, se sipas zërave që qarkullojnë njeriu i fundit që Alqi Bllako ka takuar në Tiranë është kryeministri Edi Rama. Sipas Berishës, takimi ka ndodhur në një prej vilave qeveritare.
“Njeriu që tha unë s’kam imunitet paraqitem para drejtësisë, u zhduk për 13 orë. Zërat thonë se u arratis nga Qafë Botë në Greqi. Nuk e di! Nuk kam asnjë fakt. Thonë se u kthye me helikopter. Por problemi është se policia qëndroi në anën e Bllakos dhe organizatës kriminale. Ajo mori përsipër në modelin e mëparshëm të gënjejë opinionin publik, të gënjejë organet e ligjzbatimit të tjera dhe të shprehet se Alqi Bllako mbrëmë ishte në Drejtorinë e Policisë. Por mbrëmë dhe mëngjesi janë dy kohë të ndryshme. Ai është paraqitur aty në orën 2 e 10 minuta të mëngjesit. Çfarë e shtyu policinë? Kush e urdhëroi Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Nano të mashtrojë qytetarët shqiptarë? Ishte ky një vullnet i tij i sëmurë, apo e urdhëroi ministri i familjes Çuçi? E them këtë sepse po këto zëra thonë që njeriu i fundit që Bllako ka takuar në Tiranë është vetë Edi Rama në një nga vilat qeveritare”, tha Berisha.