Ish-kryeministri Sali Berisha ka postuar paraditen e sotme në rrjetin social “Facebook” denoncimin e një qytetareje dixhitale, lidhur me atentatin e prokurorit të Durrësit Arjan Ndoja.
Duke qëndruar anonime, qytetarja pretendon se pak ditë përpara se të ndodhte atentati në mbikalimin e Shkozetit, në një lokal në zonën e Divjakës është pikasur kryetari i bashkisë Fredi Kokoneshi së bashku me deputetin e kësaj zone e njëherësh zv/kryeministrin Erjon Braçe, teksa flisnin për Ndojen. Po sipas denoncimit, në tavolinë ka qenë gjithashtu një personazh i njohur i botës së krimit, Orges Bilbili.
Përmes këtij denoncimi, Berisha hedh alibinë se atentati është porositur nga zyrtarë të lartë dhe është kryer nga Bilbili, i shpallur në kërkim nga policia për ngjarje të tjera kriminale.
Bilbli rezulton i dënuar me 7 vite e 4 muaj burg për trafikim lëndësh narkotike, si dhe për vrasje në qytetin e Lushnjës. Ai është i dyshuar edhe për atentatin ku u plagosën Xhulio Shkurti (nipi i Aldo Bares) dhe Sajmo Xhelili. Por, telashet e Bilbilit nuk përfundojnë këtu. Ai akuzohet gjithashtu si bashkëpunëtor i pilotit italian Giorgio Riformato, avioni i të cilit ngeci në bregdetin e Divjakës, teksa po përgatitej për të trafikuar lëndë narkotike nga Shqipëria për në Itali.
Etiketa: Arjan Ndoja