Ka nisur takimi i ish-liderit të Partisë Demokratike Sali Berisha me anëtarët e kësaj partie. Ai është pritur me ovacione nga të pranishmit në sallë. Në ketë mbledhje është paralajmëruar se do të mblidhen firma për të kërkuar referendum lidhur me vendimin e kreut të PD-së, Lulzim Basha për të përjashtuar nga grupi parlamentar Sali Berishën. Kjo nismë është quajtur edhe si “foltorja e bashkimit dhe sovranitetit të PD-së”.
Ish-kryeministri Berisha e ka nisur fjalën e tij me sulme ndaj kryeministri Edi Rama, duke e quajtur atë gangster dhe njeri të korruptuar.
Berisha tha se kjo është një fatkeqësi për Shqipërinë dhe shqiptarët.
“Është përpjekja më e rëndësishme dhe historike e juaja për një Parti Demokratike më të bashkuar më të fortë dhe më të hapur e më të sigurt në të ardhmen e saj. Kjo foltore nis në një moment më kritik se çdo kohë tjetër për Shqipërinë.
Sot në Parlament betohet për të tretën herë kreu i i Meduzës së krimit të organizuar. Një gangster që nuk njeh normë e ligj por që ndërtoi në këtë tokë narko-shtetin e parë dhe të vetëm në Europë.
Me betimin për herë të tretë të Edi Ramës si kryeministër se në 8 vite ka mjeruar dhe ka varfëruar shqiptarët. 8 vite më parë ata merrnin rroga më të mëdha se të gjithë popujt e Ballkanit përfshirë bullgarët dhe rumunët.
Sot paguhen 30% më pak edhe se kosovarët. Sot betohet njeriu që me vjedhje dhe taksa me PPP i ka krijuar dhe shkaktuar vendit dhe e ka ngjitur në çatinë e botës për korrupsion.
Vendi i dytë më i korruptuar i botës. Është fatkeqësi për Shqipërinë se betohet njeriu që e bëri Shqipërinë dele të zezë të Europës.” tha Berisha.
Berisha disa ditë më parë paralajmëroi në media se duke nisur nga kjo e enjte do të nisë lëvizjen kundër Bashës pasi sipas tij me vendimin e përjashtimit, kreu i PD-së ka cënuar sovranitetin e kësaj partie.
Pritet që Berisha këto lloj takimesh t’i zhvillojë edhe në qytete të tjera të vendit.