Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka mbërritur në Presidencë, për homazhe në nder të ish-Presidentit të Republikës, Bujar Nishani.
Pas daljes, ai ka dhënë një prononcim të shkurtër për mediat, duke e quajtur Nishanin një qytetar shembullor, baba fisnik dhe një nga shtetarët më dinjitozë në tërë historinë e Shqipërisë.
“Bujar Nishani në dekada ka qenë një nga bashkëpunëtorët e mi më të çmuar me të cilin më lidhi jo vetëm bashkëpunimi i ngushtë por edhe një miqësi e përsosur. Një miqësi që nuk njohu ndonjëherë asnjë lloj të themi rrënje. Përkundrazi erdhi gjithmonë në forcim. Ai është përjetësisht i gjallë në memorien time dhe të gjithë atyre që patën fatin ta njohin atë si mik, si bashkëpunëtor të familjes që pati një bashkëshort dhe prind të tillë. Duke ndarë sot dhimbjen dhe zinë në familjen Nishani, miqtë dhe të afërme të tij u shpreh ngushëllimet e mia atyre dhe shqiptarëve që humbën ish-kreun e shtetit që i dha dinjitet institucionit të Presidencës, i paharruar dhe i përjetshëm do mbetet kujtimi i tij.”, tha Berisha.
Nishani ndërroi jetë të shtunën në Gjermani, pas komplikacioneve që pati në mushkri.