Aktualitet

Berisha për gjobën 500 mijë lekë: Padia e motivuar politikisht, Rama s’u mor me prodhuesit e lajmit





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 19:47 - 27/12/19 |
mapo.al

Ish-kryeministri, Sali Berisha, ka reaguar pas dënimit nga gjykata e Tiranës me 500 mijë lekë gjobë për shpifje ndaj kryeministrit Rama.


Berisha e cilëson padinë të motivuar politikisht dhe pranimi i padisë nga gjykata sipas tij është një rast i paprecedent, pasi është kufizim flagrant i të drejtës dhe lirisë së shprehjes.


Në reagimin e zyrës për shtyp të Berishës, thuhet se artikulli burim i lajmit as ishte përgënjeshtruar ndonjëherë ose të jetë shpallur i pavërtetë. Po ashtu dhe Rama nuk ka ndërmarrë deri më sot asnjë aksion civil ose penal ndaj prodhuesve të lajmit, por vetëm ndaj zotit Berisha të evidentuar qartazi si kundërshtar politik.


“Në vazhdën fushates se kufizimit të fjalës së lirë dhe informacionit në Shqipëri, kryetari i narkoshtetit Edi Rama, duke keqpërdorur gjykatat e shantazhuara nga vettingu dhe të etiketuara si KÇK, sot nëpërmjet gjykatës së Tiranës vendosi pranimin e pjesshëm të padisë së tij për cënim nderi dhe dinjiteti (kërkohej 1 mln lekë). Objekt i shqyrtimit ishte një postim në FB e zotit Berisha, në të cilin ilustrohej dhe bëhej një koment politik mbi një artikull të publikuar më parë nga media të pavarura.


Qartësisht në postim ngrihej një argument politik dhe ilustroheshin arsyet e ngecjes së procesit të integrimit europian të vendit, për shkak të keqqeverisjes, si dhe bëhej thirrje të lexohej i plotë artikulli i cili përbënte burimin e lajmit. U provua në gjykim se artikulli burim i lajmit as ishte përgënjeshtruar ndonjëherë ose të jetë shpallur i pavërtetë dhe as Rama nuk ka ndërmarrë deri më sot asnjë aksion civil ose penal ndaj prodhuesve të lajmit, por vetëm ndaj zotit Berisha të evidentuar qartazi si kundërshtar politik.

Pra padia është në mënyrë të qartë politikisht e motivuar.  Pranimi i padisë për shkaktim dëmi moral në këtë rast,  përbën një rast të paprecedent pasi është kufizim flagrant i të drejtës dhe lirisë së shprehjes, si dhe bie në kundërshtim të hapur me jurisprudencën e Gjykatës së Lartë dhe mbi të gjitha me praktikën e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut” thuhet në reagim.

Gjykata e Tiranës dënoi sot me 500 mijë lekë gjobë ish-kryeministrin Sali Berisha, i cili përmes një postimi në rrjetin sociale Facebook, shkruante një vit më parë se kryeministri Edi Rama ka penguar hapjen e negociatave duke përkrahuar trafikantët e drogës.

Gjykata Civile Tiranë pranoi padinë e pjesshme të kreut të qeverisë i cili kishte kërkuar që Berisha të gjobitet me 1 milionë lekë.

Përveç gjobës,  Berisha duhet të fshijë nga rrjetet sociale postimin e bërë në 14 tetor 2019 i cili është cilësuar si shpifje, nga vendimi i Gjykatës.

 


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas