Gjatë një takimi me stafin elektoral të kandidatit për Bashkinë e Lushnjes, Elton Bano, Berisha iu ka bërë thirrje mbështetësve që të punojnë me çdo demokrat për të votuar më 6 mars logon “Shtëpia e Lirisë”.
Berisha ka folur sërish për kreun aktual të PD-së, Lulzim Basha, duke thënë se është personi që ka përfituar personalisht nga koalicioni me LSI-në, pasi u bë kryetar i Bashkisë së Tiranës.
“Pretendimet dhe sulmet për koalicion janë një amoralitet i vërtetë i tyre. Nëse ka një njeri në Shqipëri që ka përfituar personalisht nga koalicioni me LSI-në është “Lulzim Brava”. Nga ai koalicion u bë kryetar i Bashkisë së Tiranës. E dyta, ne kemi një objektiv, përmbysjen e këtij regjimi bazuar mbi krimin, drogën dhe vjedhjen. Për këtë ju garantoj që ishim të angazhuar tërësisht në procesin e brendshëm të partisë, por sapo të kompletonim atë do vendosnim aleancat me LSI-në dhe të gjitha forcat që janë kundër këtij regjimi dhe të shoqërinë civile që janë kundër këtij regjimi. Nëse përcaktojmë një objektiv, ti në betejë për realizimin e tij do të organizosh frontin më të gjerë të mundshëm. Dhe këtu nuk kemi asnjë, ne jemi transparentë, jemi të hapur, i themi gjërat siç janë. Natyrisht LSI-ja është opozitë, kurse “Lulzim Brava” në fakt është në koalicion të pashpallur, dhe herë të shpallur me PS-në, me Edi Ramën”, tha Berisha.
Berisha u shpreh ndër të tjera se seanca e dytë me prokurorinë belge ka qenë fatale për Lulzim Bravën.
“Nuk të lidh asgjë me një politikan që është i vetmi në Shqipëri me dy dosje ndërkombëtare. Hetimi i dytë, seanca e dytë me prokurorinë belge ka qenë fatale për Luzim Bravën. Në këtë aspekt asnjeri nuk i ka faj atij. I ka bërë vetë ato ai. Vetë del dhe dekonspiron operacionin. Ai ose e bën kundrejt një ryshfeti të madh shumë, ose ka hyrë në një lojë tjetër korruptive e cila do të dalë pasi të paraqitet para gjykatësit dhe të marrë dënimin e merituar”.