Ish-kryeministri Sali Berisha është i vendosur për të marrë mandatin e deputetit dhe të hyjë në Parlament në shtator, pavarësisht nga thirrjet e ambasadores së SHBA, Yuri Kim dhe shpallja non grata nga Antony Blinken.
Duke iu përgjigjur ambasadores së SHBA e cila një javë më parë i kërkoi kryedemokratit Lulzim Basha që Berisha të mos ishte në Kuvendin e ardhshëm, lideri historik i demokratëve tha se atë nuk ka kryetar partie apo institucion që ta pengojë të hyjë në Kuvend, për të cilën siç u shpreh ish-kreu i qeverisë, janë shprehur me votë qytetarët shqiptarë.
“Asnjë kryetar partie, asnjë institucion nuk mund të bllokojë hyrjen në Parlament të deputetit të zgjedhur nga qytetarët shqiptarë”, u shpreh Berisha.
Ai deklaroi se ambasadorja e SHBA nuk ka bërë publike asnjë provë kundër tij në takimin me liderin demokrat, Lulzim Basha, të premten e kaluar në selinë e PD.
“Lulzim Basha i kërkoi ambasadores prova, dokumente dhe fakte, t’i bënte transparente. Yuri Kim iu përgjigji: I kemi, por nuk mund t’i paraqesim. Por në këtë mënyrë mund të shkatërrosh çdo opozitë, pa prova e fakte, me dokumente të trilluara.
Deklarata e ambasadores në oborrin e PD, është më skandalozja në 30 vitet e fundit. Kërcënimi që ajo bëri me barin. Po atë ditë i kërkova që të kërkonte ndjesë. Mendoj se PD duhet t’i kërkojë zonjës që të kërkojë ndjesë publikisht dhe pa asnjë diskutim ajo mbetet e hapur për bashkëpunim“, vijoi Berisha.
Berisha e akuzoi Yuri Kim se sillet si Guvernatore në Shqipëri, ndërsa tha se ambasadorja nxit dhe ndërmjetëson ligjore që shkelin Kushtetutën.
“Unë nuk dua të rrëzoj vendimin, por me padinë në gjykatë dua të rrëzoj shpifjet mbi të cilat është bazuar vendimi. Ambasadorja sillet si një guvernatore, në marrëveshjet që nxit dhe ndërmjetëson të cilat shkelin Kushtetutën dhe ligjet e vendit”.
LEXO EDHE:
Kërkesa e Yuri Kim, Berisha: Basha i ka kërkuar prova ambasadores gjatë takimit