Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi se 12 nëntori, dita e protestës së opozitës, do të jetë dita e ‘gjyqit popullor’ ndaj kryeministrit Edi Rama dhe qeverisjes së tij.
Gjatë fjalës së tij, në seancën plenare në Kuvend, Berisha ftoi të gjithë qytetarët në protestë për të rrëzuar qeverinë e drejtuar nga Edi Rama.
Sipas Berishës, kjo mazhorancë nuk mendon për qytetarët, por vetëm për pushtetin e saj, prandaj edhe më 12 nëntor do t’i bëhet gjyqi popullor, që do të çojë në “dënimin “e saj.
“12-a është dita e gjyqit, gjyqit popullor. Vrimë miu nuk do gjesh atë ditë, dil po deshe, do të gjejmë aty ku je, edhe zyrën do të ta tregojmë. Nuk ka parlament si ky, nuk ka. Ke këtu, një grup super hajnash dhe një turmë që u mban iso këtyre. Si mund të rrini ju me këta?”, iu drejtua Berisha kreut të qeverisë nga foltorja e Kuvendit.
“Këta mendojnë vetëm si të mbajnë karrigen e tyre, derisa t’ua përmbysim karriget atyre. Qytetarë, 12 nëntori është dita juaj, dita e së vërtetë shqiptare, ju ftoj kudo që jeni, brenda dhe jashtë Shqipërisë, të përzëmë këtë bandë nga pushteti”, theksoi ish-kryeministri nga Foltorja e Kuvendit.
Pas 7 korrikut kjo do të jetë protesta e radhës, e thirrur nga Berisha. Para zgjedhjeve lokale, ish-kryeministri ka bashkuar forcat me Partinë e Lirisë, që drejtohet nga ish-presidenti Ilir Meta.