Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi në Çim PEKA LIVE se ai është pjesë e grupit parlamentar të PD. Lideri historik i demokratëve tha se data 10, dita e përjashtimit të tij nga grupi parlamentar i PD, me vendim të kryedemokratit Lulzim Basha, ishte historike për të, pasi siç u shpreh Berisha, dështoi përpjekja për të marrë sovranitetin e Parlamentit.
“Data 10 ishte një ditë historike për mua. Një përpjekje e pandershme, e paimagjinueshme për të cenuar, për të marrë sovranitetin e parlamentit, për të diktuar se kush do hyjë në parlament, dështoi plotësisht.
Unë garantoj çdo shqiptar që qëllimi im nuk ishte personi Sali Berisha, por sovraniteti dhe dinjiteti i këtij vendi, të cilin për sa kohë të jetë i lirë dhe sovran, nuk duhet ta diktojë askush. Për mua kjo ishte më kapitalja,” tha Berisha.
“Unë jam anëtar i grupit të PD. Pavarësisht nga burokracia, por ka një ligj, i cili përcakton se kur deputeti nuk është anëtar i forcës së vet politike. Pse jam anëtar i grupit parlamentar të PD? Sepse unë kam kandiduar për PD dhe jo si i pavarur. Së dyti, KQZ e ka lëshuar mandatin e Sali Berishës si deputet i PD. Së treti, zoti Basha ka shpallur një deklaratë televizive, duke dhunuar çdo germë, çdo nen, çdo fjalë të statutit të PD.
Unë nuk kam asnjë vërejtje për mendimin e tij personal, por ky mendim është nul nëse nuk votohej minimumi në Këshillin Kombëtar ku duhet miratuar me dy të tretat”, tha Berisha.
Me tone të ulura, në krahasim me ato të ditëve të kaluara, Berisha u shpreh se nuk është qëllimi i tij të ndahet dhe copëtohet PD-ja.
“Unë nuk dua që nga ky debat nuk dua që PD të ndahet, të copëtohet të dëmtohet, unë do vbëj gjithçka që nga ky proces të shprehen të gjithë anëtarët e PD. Unë nuk dua që partia të ndahet ca të këtij, ca të atij. Ky ishte një veprim i papritur i atij. Ky veprim ka krijuar veprime shumë të rënda në PD me djegie teserash dhe largime…
Unë dua të shpëtoj PD nga një situatë tejet e rëndë e krijuar nga një vendim i paimagjinueshëm nga një kryetar partie. Lëvizja ime është për të bërë gjithçka për të mos lejuar zvogëlimin dhe përçarjen e PD. Do të nis foltoret vetëm me këtë qëllim.
Do bëj gjithçka që PD të dalë nga ky proces edhe më e madhe, edhe më e fuqishme. Me kushtin që të shprehet anëtarët e thjeshtë që të mos copëtohet partia. Lëvizja mbyllet ashtu siç votoi anëtarësia. Unë kam për qëllim të shpëtoj Partinë Demokratike nga një situatë tejet e rëndë, e krijuar nga një vendim i paimagjinueshëm për një kryetar partie.
E kam një lëvizje për të bërë gjithçka për të mos lejuar zvogëlimin dhe përçarjen e saj. Do filloj ‘foltoren’ me anëtarësinë. Çfarëdo që të caktojë anëtarësia, ne do i nënshtrohemi. Anëtarësisë së partisë do i kërkoj atë që ka shprehur, vlerësimin e vendimit”, deklaroi Berisha.
Gjithashtu, Berisha tha se Basha shkarkohet nga Këshilli Kombëtar me votim 50+1 të anëtarësisë, ndërsa për largimin e tij nga grupi parlamentar, Këshilli Kombëta duhet të votonte me 2/3, për të ndryshuar statutin e partisë.
“Ky vendim është nul nëse nuk votohej minimumi nga 2/3 e Këshillit Kombëtar. Unë nuk kam asnjë vërejtje për mendimin e tij personal si kryetar i PD që për këtë shkak nuk duhet të jetë në grupin parlamentar nëse nuk votohej minimumi në Këshillin Kombëtar të PD duke ndryshuar statutin me të paktën 2/3 e votave. Në variantin më minimal duhet të bëhej kjo. Këshilli Kombëtar merr masa me 2/3 dhe me shumicë votash 50+1 e shkarkon kryetarin.
Basha nuk shkoi në Këshill Kombëtar se e dinte nuk do kalonte vendimi i tij dhe ai duhej të jepte dorëheqje. Unë i kam kërkuar PD-së që në fillim që të mos merret me çështjen non grata. KQZ e ka lëshuar mandatin e Sali Berishës si deputet”, u shpreh Berisha duke sqaruar se nuk është qëllimi i tij primar rikthimi në krye të PD.
“Nuk është qëllimi im primar rikthimi në krye të PD”.