Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka prezantuar sot në ambientet e Bankës së Shqipërisë Raportin e Tranzicionit për vitin 2017.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko pohoi se raporti ka vlerësim pozitiv për zhvillimet në rajon. Ai shtoi se disa vende te rajonit kanë e ecur me shpejt se vende të tjera me kushte të njëjta zhvillimi.
Megjithatë, raporti vëren se produktiviteti i bizneseve është ulur. Problematike janë sidomos bizneset e vogla, që nuk po zgjerohen dhe nuk po rrisin prodhimin dhe kanë një produktivitet shumë të ulët.
Raporti rekomandon që duhet bërë më shumë për fuqizimin e tyre. 80 për qind e bizneseve në rajon janë të vogla dhe kanë peshë të rëndësishme për prodhimin e brendshëm bruto, punësimin etj. Por, ata kanë vështirësi të gjejnë financime dhe mbështetje me politika.
Kjo kategori e biznesit është shumë e rëndësishme për procesin e konvergjencës (rritjes me ritme më të shpejta se vendet e zhvilluara për ta kapur sa më shpejt mesataren e të ardhurave të Bashkimit Europian). Raporti thekson se është pikërisht produktiviteti, ai që përcakton shpejtësinë e konvergjencës, pra se ku do të arrijmë mesataren e të ardhurave të Bashkimit Europian.
BERZH rekomandon që në këto kushte integrimi do të vonohet nëse nuk rritet produktiviteti. “Nëse nuk ndihmohen bizneset e vogla ky proces integrimi mund të vonohet”, tha Sejko, duke iu referuar gjetjeve të raportit.
Në tërësi raporti ka një frymë optimiste për rajonin. Raporti sugjeron që politikat duhet të përqendrohen te sipërmarrja.
Drejtori i Zyrës së BERZH në Shqipëri, z. Matteo Colangeli, tha se BERZH ka mbështetur me financime sidomos sipërmarrjet. BERZH ka interes në financimin e sektorit të energjisë. Turzimi është një sektor tjetër me interes për zhvillim. “Do të mbështesim sipërmarrjen private në sektorin e turizmit. Agrobiznesi është gjithashtu me interes dhe ne jemi duke parë mundësi për financime”, tha ai.
Zëvendësdrejtori i Sektorit për Çështjet dhe Politikat Ekonomike të Vendeve në BERZH, z. Peter Sanfey, tha se të gjitha vendet në rajon kanë pësuar rritje pas konflikteve. “Ekonomia e Shqipërisë është rritur pas krizës por me ritme më të ulëta krahasuar me para krizës”, tha ai.
Edhe ekspertët e Bankës Botërore janë shprehur skeptikë sot lidhur me uljen e pragut të TVSH-së te biznesi i vogël nga 5 në 2 milionë lekë.
Gjatë prezantimit të Raportit të rregullt ekonomik për Ballkanin Perëndimor, Hilda Shijaku, eksperte e Bankës, tha se barra administrative për ta mbledhur TVSH-në te biznesi i vogël është e ulët, ndërsa përfitimi që mund të vijë nga kjo nismë është i ulët.
Ekspertët e Bankës theksuan se ata nuk kanë informacion për rritje të kostove te biznesi.
Qëndrimi i Bankës Botërore është pak a shumë në të njëjtën linjë me atë të Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili ka pohuar më herët se përfshirja e këtyre bizneseve në skemë do të krijojë më shumë ngarkesë për administratën dhe do ta shpërqendrojë, në vend të fokusohet te ndërmarrjet e mëdha. Kjo mund të ndikojë në uljen e të ardhurave.
Përfaqësuesi i përhershëm i FMN-së, në Shqipëri, Jens Reinke, është shprehur se “pas vlerësimeve të shumta nga ekspertët tanë të taksave, ne e kemi këshilluar qeverinë fuqimisht kundër uljes së kufirit të TVSH-së nga niveli aktual. Ndërmarrjet e vogla përbëjnë gjysmën e të gjithë bizneseve, por sjellin vetëm 2% të transaksioneve të taksueshme. Zgjerimi i sistemit të TVSH-së do të jetë një barrë shumë e rëndë për burimet e Departamentit të Taksave. Informaliteti dhe evazioni i taksave mund të rritet dhe eficenca e administratës së taksave ka të ngjarë të bjerë. Sipërmarrjet e vogla do të mund të përballen gjithashtu me një barrë të shtuar të kërkesave për raportime”, ka pohuar ai.
Megjithatë qeveria vijoi me planin e saj dhe TVSH për biznesin e vogël filloi të zbatohej më 1 prill, duke ngjallur pakënaqësi të shumta te sipërmarrjet e vogla, që disa herë kanë mbyllur qepenat në formë proteste.
Ndërsa ministri i Financave Arben Ahmetaj, ka këmbëngulur se skema e TVSH që përfshin bizneset e vogla, është një hap i rëndësishëm në luftën ndaj informalitetit. Sipas ministrit, kjo reformë nuk ka në fokus të gjenerojë të ardhura nga biznesi i vogël, por saktësimin e deklarimeve të biznesit të madh.