Në një shkëmbim deklaratash publike në media me Presidentin e Republikës lidhur me rikujtimin e përvjetorit të Besëlidhjes, zoti ministër i Brendshëm deklaroi se “s’kemi nevojë për Besëlidhje të re, duhet të ruajmë atë të vjetrën..” Madje ai vuri në dukje edhe madhësinë e sallës ku po kremtohej ngjarja, duke theksuar se “në këtë ditë duhet të kemi gjithë shqiptarët..”
Fjalë të tilla të urta, patriotike vështirë të hasësh gjetkë. Përgjegjshmëri në raport me drejtësinë që duhet të sundojë mbi gjithë shqiptarët, vështirë se e has gjetiu. Por si zakonisht të mbetura vetëm në kuadër fjalimesh dhe larg, por shumë larg Besëlidhjes së cilës i referohet qeveritari. Besëlidhje është dhënie e fjalës, por jo një fjalë e çfarëdoshme.
Në brendësi ajo përmban një premtim që ka forcën, detyrimin e ligjit dhe që për gjykatë ka përgjegjshmërinë e burrave të drejtë, seriozë për çfarë japin besën dhe me vizion për ta mbajtur atë. Besëlidhja është institucioni ku morali i të qënurit burrë u transformua në ligj për të gjykuar të mirën dhe të keqen, të drejtën dhe të padrejtën. Dhe jo siç pretendon një koleg deputet i Ministrit kur deklaron se duhet të ndajmë moralin me drejtësinë.
Ajo sallë, e cila Ministrit iu duk fare e vogël për të mbledhur gjithë shqiptarët, edhe sikur të ishte e mundur, nuk do të kishte brenda saj 3000 punonjësit e policisë të cilët paraardhësit e Ministrit i hodhën në mes të rrugës, pa të drejtën e tyre themelore të rikthehen rast pas rasti në punë. Pra, Ministri ynë flet për besëlidhje ndërkohë që pabesisht dhe në mënyrë të paligjshme i heq të drejtën për t’i shërbyer vendit një shtrese të popullsisë dhe ua jep të tjerave. Nuk bëhet fjalë për shkelje ligji, por për hartimin e një ligji që shkel rëndë pikërisht Besëlidhjen e Ministrit tonë, kushtetutën.
Neni 49, pika 1 e ligjit për Policinë e Shtetit është më i zi se neni 55 i Diktaturës. Ai është një nen të cilin mund ta krahasosh vetëm me aparteidin në Afrikën e Jugut apo me ndarjen e të drejtave themelore ndërmjet fiseve hutu dhe tuci në Ruandën e viteve ‘70 ku këta të fundit sundonin si racë superiore. Po të ishe anëtar i fisit tuci lejohej shkollimi i fëmijëve. Po të ishe hutu, nuk lejohej.
Pika 1 e nenit 49 thotë shprehimisht: “Një person mund të rikthehet në punë nëse ai ka ndërprerë marrëdhëniet e punës me strukturat e Policisë së Shtetit brenda dy viteve të fundit dhe është liruar nga policia për shkurtim të funksionit, në kuadër të pakësimit të limitit të përgjithshëm organik të Policisë”.
Pra shumica dërrmuese e 3000 të larguarve nga radhët e policisë nuk kanë pasur shkelje ligjore. Ata janë larguar thjesht se u shkurtuan vendet e punës. Megjithëse e pavërtetë. Këtë fakt Ministri ynë i Besëlidhjes e ka të lehtë ta verifikojë. Megjithatë, duke e pranuar veprimin për një moment, teorikisht ai justifikohet, pavarësisht se kolegët e besëlidhjes së Ministrit e realizuan në mënyrën më të padrejtë e djallëzore. Në terma të tjerë, u shpikën disa rreshta të cilat morën karakterin e një neni ligjor për t’i dhënë gradualisht duart 3000 punonjësve. Ky veprim nuk duket brenda konceptit të Besëlidhjes së adhuruar nga Ministri.
Por nuk mjaftoi me kaq. Besëlidhja e sotme qeveritare vazhdoi më tej thellimin e hendeqeve për të përjashtuar nga të drejtat e tyre themelore të 3000 punonjësit vetëm sepse ata kishin pasur fatin e keq që t’i shërbenin me aq sa mundeshin vendit të tyre kur shokët e Ministrit ishin në opozitë. Neni 49 u jep vetëm dy vite afat të rikthehen, ndryshe për ta nuk ka më polici, në jetë të jetëve. Ndërkohë që për të gjithë procesi i ankimimit në gjykatat administrative të të dyja shkallëve vazhdoi shumë më shumë se dy vite. Pra besëlidhja e Ministrisë së Brendshme u dha një të drejtë për t’i ngopur me lugë bosh. Kjo është pabesi, jo besëlidhje.
Përse të mos kthehet përsëri në radhët e policisë gjithë kategoria e punonjësve të policisë të cilën neni 49 e ndalon? Kur gjykatat administrative rast pas rasti kanë rrëzuar si të paligjshëm pushimin e tyre nga puna për shkurtim të funksionit organik?
Diskriminimi më i pabesë qëndron në faktin se ky ligj nuk ua njeh të drejtën e rikthimit vetëm këtyre 3 mijëve, sepse gjithë të tjerëve që për çfarëdolloj motivi, qofshin dhe të rënda, që janë larguar dikur nga policia, ua njeh rikthimin. Madje tutje afatit 2-vjeçar. Thuajse të gjithë të riardhurit në Policinë e Shtetit kanë mbi 5 vite të larguar nga puna. Madje edhe 16 vite.
Pra në total, Besëlidhja aktuale qeveritare ia njeh të drejtën e rikthimit në punë një pale dhe ia mohon me ligj një tjetre. Pra, fiseve tuci ua jep, kurse atyre hutu ua mohon. Asgjë nuk kishte më pak as edhe aparteidi në Afrikën e Jugut.
Në kuadrin e konceptit të Besëlidhjes që karakterizon qeverisjen e klasës aktuale drejtuese të shtetit, ndërmjet tyre edhe Ministrin tonë të Brendshëm, ligji i Policisë iu nënshtrua disa ndryshimeve të mëpasme. Sepse policia është e të gjithëve theksonte nëpër publik Ministri. Ndryshimet ligjore iu dhanë mundësi apo më saktë të drejtën që me programe afatshkurtra trajnimi policor të integrohen në radhët e policisë edhe studentë të ekselencës. Ata u rekrutuan, u trajnuan dhe iu dha një post i caktuar në polici.
Por kjo mundësi nuk iu dha asnjërit prej 3000 të përjashtuarve. Sepse janë nga fisi hutu dhe nuk janë tuci. Besëlidhja vazhdoi më tej edhe me ushtarakët. Maja e diamantit të OFL-së. Edhe ata, njëlloj si universitarët, u integruan në radhët e policisë pas një trajnimi të shkurtër. Edhe këtë radhë kampioni ynë i Besëlidhjes nuk pati vizionin e paraardhësve të tij të largët për të ndryshuar nenin e turpshëm 49 dhe për t’i hapur të drejtën themelore të mohuar pabesisht nga ligji i Policisë së Shtetit i vitit 2014. Përse nuk hiqet ai nen i tipit aparteid? Nëse vitet e largimit iu kanë zbehur njohuritë të larguarve, le të krijohen kurse për t’ua rifreskuar ato. Por për këtë duhet vullnet dhe Besëlidhje e vërtetë.