Në intervistën për gazetën Mapo, ministrja e Arsimit, Besa Shahini, tregon sa prej kërkesave të studentëve janë realizuar. Shahini thotë se është punuar me kërkesat financiare, dhe ka patur disa arritje në aspektin e infrastrukturës.
MAPO: Zonja Shahini, ju erdhët në këtë detyrë pas një momenti kritik, kur protestat e studentëve u zhvilluan disa javë në të gjithë vendin me kërkesa direkte për ulje tarifash, rritjen e cilësisë së universiteteve etj. Qeveria ka premtuar “Paktin për Universitetin” për të kënaqur këto kërkesa. A besoni se i kënaq ky “Pakt” kërkesat kryesore të studentëve dhe nëse mundeni, shkurtimisht, ku jeni me zbatimin e këtij “Pakti”?
Shahini: Protesta shërbeu për të rikthyer edhe njëherë vëmendjen te cilësia e arsimit të lartë në Shqipëri. Studentët protestuan për tarifat e studimit, jo vetëm pse ato në vetvete janë të larta, por sepse vlera e asaj që marrin nga universitetet është e ulët. Kjo është arsyeja pse ne në fakt e morëm çështjen e tarifave shumë seriozisht dhe ofruam një pako financiare që subvencionon tarifat e studentëve në masën 50% apo 100% dhe kap vlerën totale prej 2.3 miliardë lekësh të rinj. Por, më lejoni t’i marrim me radhë…
Sot që flasim, kemi rreth 11.400 studentë që marrin bursë të plotë prej 10 mijë lekësh të rinj çdo muaj, një numër ky i dyfishuar në raport me vitin e kaluar për shkak se përfshimë në ekselencë cilindo student që arrin ta mbajë mesataren nga 9 deri 10. Natyrisht, bursa prek edhe kategoritë në nevojë, të cilëve përveç të tjerave u është hequr totalisht edhe tarifa e regjistrimit për t’ua lehtësuar atyre barrën financiare. Ndërsa për të gjithë studentët e tjerë tarifa është përgjysmuar.
Një çështje tjetër që ngritën studentët dhe që është problem i gjithë gjeneratës së tyre jo vetëm në Shqipëri, por edhe vendet e tjera më të zhvilluara ekonomikisht, është punësimi i të rinjve. Për t’u punësuar kërkohet eksperiencë pune në CV, të cilën të sapodiplomuarit nuk e kanë. Kështu që, vendosëm të hapim gjithë administratën për të diplomuarit e shkëlqyer. Sipas meritës, studentët më të mirë marrin kontratë pune 1-vjeçare për të punuar në administratën publike. Kjo na shërben edhe ne në modernizimin e administratës sepse besojmë se më të mirët mund të kontribuojnë në përmirësimin e dhënies së shërbimeve ndaj publikut.
Mbi transparencën në menaxhimin e fondeve kemi krijuar portalin “u-transparenca.al” ku gjendet çdo informacion në lidhje me marrëveshjet, shpenzimet, bursat, jetëshkrimet e stafeve akademike si dhe garancia e një pike referimi ku ankesat e studentëve mund të adresohen. Gjithashtu, shkarkuam të gjithë anëtarët e Bordeve të Administrimit që ishin emëruar nga MASR dhe përmes një gare të hapur, u përzgjodhën figurat më të përshtatshme për të shërbyer nëpër Borde. Një nga anëtarët zgjidhet nga vetë studentët, proces i cili ka përfunduar në disa universitete ndërsa në të tjerat aktualisht procesi zgjedhor i brendshëm po merr kohën e vet.
Arritja më e madhe në kuadër të “Paktit për Universitetin” është ofrimi i Bibliotekës Digjitale (ulibrary.rash.al). Ajo shërben si një platformë me miliona artikuj shkencorë, libra akademikë dhe module për mësimin e gjuhës së huaj, e cila ofrohet falas për të gjithë studentët, pedagogët dhe kërkuesit shkencorë. Kjo përbën bazën dhe thelbin e përmirësimit të cilësisë së arsimit që ofrohet në universitet.
Për kartën e studentit dhe konviktet – probleme të mbartura prej vitesh – na u desh të përfshijmë bashkitë për t’i dhënë një zgjidhje. Vetëm pak ditë më parë, së bashku me Bashkinë e Tiranës kemi nisur bashkëpunimin për realizimin e kartës në Tiranë dhe po bëjmë përpjekje të përfshijmë edhe bashkitë e tjera për të bërë të njëjtën gjë për studentët në Korçë, Gjirokastër, Shkodër dhe Vlorë. Ndërsa konviktet po rinovohen me shpejtësi, Bashkia Tiranë po pret pushimet e verës që dhomat të lirohen nga studentët dhe të rinovohen edhe ato.
Këto janë disa nga masat që kemi ndërmarrë në kuadër të “Paktit për Universitetin”. Disa janë tashmë të realizuara, ndërkohë që disa të tjera janë në implementim e sipër sepse kërkojnë kohë. Por një gjë është e vështirë të thuhet, që qeveria nuk i ka dëgjuar kërkesat e tyre. Frika ime është se përveç Bibliotekës Digjitale, pikat e tjera do të përmirësojnë eksperiencën studentore por nuk do të përmirësojnë cilësinë e arsimit të lartë në Shqipëri. Kështu që duhet të bëjmë shumë më shumë dhe universitetet duhet të aktivizohen të marrin më shumë përgjegjësi për pjesën që u takon.
Sondazhin Kombëtar të Studentëve e kemi zbatuar për herë të parë – mbi 20,000 studentë janë përgjigjur. Në qershor do të kemi rezultatet e para dhe do të kemi edhe mundësinë të shohim bashkërisht me universitetet se çfarë elementesh duhen adresuar dhe në cilat universitete në mënyrë që të përmirësohet cilësia e arsimit që ofrohet aty.
*Më poshtë intervista e plotë e ministres së Arsimit për gazetën Mapo
Besa Shahini: Nuk ka një identitet kosovar, por vetëm shqiptar