Besa Shahini: Nuk ka një identitet kosovar, por vetëm shqiptar

Intervistë ekskluzive e ministres së Arsimit për gazetën MAPO. Shahini tregon se deri ku ka shkuar “Pakti për Universitetin” dhe sa janë plotësuar kërkesat e studentëve: Do vazhdoj karrierën në Tiranë

Në një intervistë ekskluzive për gazetën MAPO, ministrja e Arsimit, Besa Shahini, tregon se deri ku ka shkuar ai që njihet si Pakti i Universitetit, me pak fjalë, sa prej kërkesave të studentëve janë realizuar. Shahini thotë se është punuar me kërkesat financiare, dhe ka patur disa arritje në aspektin e infrastrukturës. Ajo thotë se ka punë për të bërë, por askush nuk mund ta akuzojë sipas saj qeverinë, që nuk i dëgjon studentët.



Shahini erdhi në krye të Ministrisë së Arsimit në kohën e krizës që shkaktoi protesta e studentëve që nisi në dhjetor. Ajo dhe ministri i Jashtëm, janë dy qytetarë të Kosovës, që shërbejnë si ministra në Tiranë, por Shahini nuk pranon se Rama ka një marrëdhënie preferenciale me ta, krahasuar me anëtarët e tjerë të kabinetit. Ministrja flet dhe për të ardhmen e karrierës së saj politike në PS dhe për një debat që bëhet herë pas here lidhur me një pretendim, mbi atë që disa e quajnë “identitet kosovar”.

Intervistoi: Blerina Gjoka

Zonja Shahini, ju erdhët në këtë detyrë pas një momenti kritik, kur protestat e studentëve u zhvilluan disa javë në të gjithë vendin me kërkesa direkte për ulje tarifash, rritjen e cilësisë së universiteteve etj. Qeveria ka premtuar “Paktin për Universitetin” për të kënaqur këto kërkesa. A besoni se i kënaq ky “Pakt” kërkesat kryesore të studentëve dhe nëse mundeni, shkurtimisht, ku jeni me zbatimin e këtij “Pakti”?

Protesta shërbeu për të rikthyer edhe njëherë vëmendjen te cilësia e arsimit të lartë në Shqipëri. Studentët protestuan për tarifat e studimit, jo vetëm pse ato në vetvete janë të larta, por sepse vlera e asaj që marrin nga universitetet është e ulët. Kjo është arsyeja pse ne në fakt e morëm çështjen e tarifave shumë seriozisht dhe ofruam një pako financiare që subvencionon tarifat e studentëve në masën 50% apo 100% dhe kap vlerën totale prej 2.3 miliardë lekësh të rinj. Por, më lejoni t’i marrim me radhë…

Sot që flasim, kemi rreth 11.400 studentë që marrin bursë të plotë prej 10 mijë lekësh të rinj çdo muaj, një numër ky i dyfishuar në raport me vitin e kaluar për shkak se përfshimë në ekselencë cilindo student që arrin ta mbajë mesataren nga 9 deri 10.  Natyrisht, bursa prek edhe kategoritë në nevojë, të cilëve përveç të tjerave u është hequr totalisht edhe tarifa e regjistrimit për t’ua lehtësuar atyre barrën financiare. Ndërsa për të gjithë studentët e tjerë tarifa është përgjysmuar.

Një çështje tjetër që ngritën studentët dhe që është problem i gjithë gjeneratës së tyre jo vetëm në Shqipëri, por edhe vendet e tjera më të zhvilluara ekonomikisht, është punësimi i të rinjve. Për t’u punësuar kërkohet eksperiencë pune në CV, të cilën të sapodiplomuarit nuk e kanë. Kështu që, vendosëm të hapim gjithë administratën për të diplomuarit e shkëlqyer. Sipas meritës, studentët më të mirë marrin kontratë pune 1-vjeçare për të punuar në administratën publike. Kjo na shërben edhe ne në modernizimin e administratës sepse besojmë se më të mirët mund të kontribuojnë në përmirësimin e dhënies së shërbimeve ndaj publikut.

Mbi transparencën në menaxhimin e fondeve kemi krijuar portalin “u-transparenca.al” ku gjendet çdo informacion në lidhje me marrëveshjet, shpenzimet, bursat, jetëshkrimet e stafeve akademike si dhe garancia e një pike referimi ku ankesat e studentëve mund të adresohen. Gjithashtu, shkarkuam të gjithë anëtarët e Bordeve të Administrimit që ishin emëruar nga MASR dhe përmes një gare të hapur, u përzgjodhën figurat më të përshtatshme për të shërbyer nëpër Borde. Një nga anëtarët zgjidhet nga vetë studentët, proces i cili ka përfunduar në disa universitete ndërsa në të tjerat aktualisht procesi zgjedhor i brendshëm po merr kohën e vet.

Arritja më e madhe në kuadër të “Paktit për Universitetin” është ofrimi i Bibliotekës Digjitale (ulibrary.rash.al). Ajo shërben si një platformë me miliona artikuj shkencorë, libra akademikë dhe module për mësimin e gjuhës së huaj, e cila ofrohet falas për të gjithë studentët, pedagogët dhe kërkuesit shkencorë. Kjo përbën bazën dhe thelbin e përmirësimit të cilësisë së arsimit që ofrohet në universitet.

Për kartën e studentit dhe konviktet –  probleme të mbartura prej vitesh – na u desh të përfshijmë bashkitë për t’i dhënë një zgjidhje. Vetëm pak ditë më parë, së bashku me Bashkinë e Tiranës kemi nisur bashkëpunimin për realizimin e kartës në Tiranë dhe po bëjmë përpjekje të përfshijmë edhe bashkitë e tjera për të bërë të njëjtën gjë për studentët në Korçë, Gjirokastër, Shkodër dhe Vlorë. Ndërsa konviktet po rinovohen me shpejtësi, Bashkia Tiranë po pret pushimet e verës që dhomat të lirohen nga studentët dhe të rinovohen edhe ato.

Këto janë disa nga masat që kemi ndërmarrë në kuadër të “Paktit për Universitetin”. Disa janë tashmë të realizuara, ndërkohë që disa të tjera janë në implementim e sipër sepse kërkojnë kohë. Por një gjë është e vështirë të thuhet, që qeveria nuk i ka dëgjuar kërkesat e tyre.  Frika ime është se përveç Bibliotekës Digjitale, pikat e tjera do të përmirësojnë eksperiencën studentore por nuk do të përmirësojnë cilësinë e arsimit të lartë në Shqipëri. Kështu që duhet të bëjmë shumë më shumë dhe universitetet duhet të aktivizohen të marrin më shumë përgjegjësi për pjesën që u takon.

Sondazhin Kombëtar të Studentëve e kemi zbatuar për herë të parë – mbi 20,000 studentë janë përgjigjur. Në qershor do të kemi rezultatet e para dhe do të kemi edhe mundësinë të shohim bashkërisht me universitetet se çfarë elementesh duhen adresuar dhe në cilat universitete në mënyrë që të përmirësohet cilësia e arsimit që ofrohet aty.

Para pak ditësh morët një vendim gati të paprecedentë, duke pezulluar rektorin e UT-së. A është ky veprim një ndërhyrje në autonominë e universiteteve? Pse duhej të shkohej deri në këtë pikë? A keni vështirësi në bashkëpunimin me rektorët e tjerë?

Së pari, më lejoni të qartësoj konceptin e autonomisë. Autonomia ka lindur si një nevojë për të mbrojtur botën universitare nga ndërhyrja e dhunshme politike, siç ka ndodhur në vitet e kaluara dhe pikërisht për këtë arsye, qeveria ka punuar fort për t’u dhënë autonominë IAL-ve duke e përkthyer edhe në ligjin për arsimin e lartë.

Por nga ana tjetër, pajisja e universitetit me këtë autonomi nuk legjitimon pengimin e mbarëvajtjes së shëndetshme të tij. Në raste të tilla, ligji sigurisht lë hapësira për ndërhyrje kur kemi të bëjmë me raste flagrante të shkeljes së kësaj pavarësie. Në cilësinë e ministrit të Arsimit, sigurisht që më duhet të kryej detyrat e mia në funksion të mbarëvajtjes së sistemit universitar dhe kjo nuk është aspak një shkelje e autonomisë, por ushtrimi i një funksioni që ligji e garanton.

Së dyti, duke qenë se ky pezullim mund të kërkohet në rastin e shkeljeve të rënda si tejkalimi i kompetencave, paralizimi i punës në fakultet duke penguar procesin e punësimit të stafit akademik, mos funksionimi i sistemit të teknologjisë informative në universitet, shtuar këtu edhe pengesat konstante në implementimin e “Paktit për Universitetin”, mendoj se janë argumente të mjaftueshme dhe më vjen keq që na u desh të shkonim deri në këtë pikë. Për më tepër, koha e tregoi se pezullimi i tij ishte i drejtë, pavarësisht mospërputhjes me mendimin e Presidentit, sepse në vetëm dy javë u zgjidhen shumë nga ngërçet që përmenda më sipër. Rrjedhimisht, më vjen keq që Presidenti i Republikës vendosi ta mbështesë një shkelës të ligjit dhe të kontribuojë në rivendosjen e ngërçit në UT, duke e refuzuar kërkesën time për shkarkim të rektorit.

Dua të theksoj se nuk kemi asnjë problem në bashkëpunimin me rektorët e tjerë dhe se Ligji i Arsimit të Lartë zbatohet në të gjitha universitetet e tjera publike. 

Edhe në mandatin e parë qeverisës u fol për reformat në arsimin e lartë. E para ishte ajo ligjore që rezultoi me mbylljen e disa universiteteve; e dyta është ajo e cilësisë që i detyroi të futeshin në akreditimin britanik (siç u quajt); dhe e treta, ishte ligji i ri për Arsimin e Lartë. Çfarë nuk shkoi me hapin e tretë të reformës? A ka nevojë ky ligj për t’u abroguar (ndryshuar) apo duhen akte nënligjore që ta bëjnë të zbatueshëm?

Reformat që përmendët kanë nisur në vitin 2013 dhe secila prej tyre ka rezultuar e suksesshme duke mbyllur disa plagë që e bënin arsimin e lartë të vuante prej vitesh, ndërsa Ligji për Arsimin e Lartë pas një debati publik shterues dhe ezaurues me palët e interesit, të zgjatur rreth 2 vite, është aprovuar në parlament në vitin 2015.

Ky ligj, në momentin që është miratuar ka patur absolutisht nevojë për bashkëpunimin e të gjithë hallkave institucionale dhe institucioneve ligjzbatuese, ku bëjnë pjesë edhe IAL-të, për të përmbushur qëllimin e tij. Këto institucione kanë patur mirëkuptimin tonë dhe vullnetin e plotë politik, si për nxjerrjen e akteve nënligjore, ashtu edhe për marrjen e të gjitha masave të nevojshme për të realizuar zbatimin e parashikimeve ligjore.

Ligji është sulmuar politikisht gjatë protestës së studentëve, por debati mbi të ka qenë i përciptë dhe askush nuk ka mundur të prekë në detaj mangësitë e t’i evidentojë ato. Kam pyetur të gjithë kritikët nëpër takime apo paraqitje të ndryshme publike që të më identifikojnë se cili element në ligj ka shkaktuar problemet që kemi sot në arsim dhe unë të nis procesin e ndryshimit të ligjit. Deri tani, askush nuk ka arritur të bëjë një ndërlidhje të tillë për shkak se një ndërlidhje e tillë nuk ekziston. Problemet në arsimin e lartë janë pjesërisht të trashëguara dhe pjesërisht të shkaktuara nga mungesa e vullnetit dhe dijes së disa udhëheqësve të universiteteve për të bërë më të mirën për studentët e tyre. Unë do ta them përsëri: ne jemi të hapur për çdo përmirësim të ligjit – kur të bindemi se ligji qenka problemi – dhe vetë “Pakti për Universitetin” është një tregues i vullnetit tonë për t’u rreshtuar në favor të arsimit cilësor dhe studentëve sa herë që ka hapësira.

Besoj biem të gjithë dakord se thelbi i cilësisë është kërkimi shkencor dhe po ashtu problem themelor që ka sot universiteti shqiptar është niveli i ulët i cilësisë së mësimdhënies, i literaturës bazë që jepet dhe i plagjiaturës, që është një fenomen tejet i përhapur në të tria ciklet e studimeve. Si po i qaset ministria juaj këtij problemi, pra rritjes së cilësisë së universiteteve?

Absolutisht thelbi i cilësisë është kërkimi shkencor, i cili ka nevojën jetike të bëhet me integritet dhe me ndërgjegje të pastër. Por edhe në këtë pjesë, kërkimi shkencor lidhet ngushtë me vizionin që drejtuesit e IAL-ve kanë mbi institucionin që drejtojnë dhe menaxhimin e fondeve që bëjnë.

Ajo që ne kemi ofruar është një mbështetje për përkthimin e teksteve ikonike të secilës prej degëve të studimit. Kjo nismë merr një rëndësi të veçantë për çdo student pasi u jep atyre një tekst alternativ cilësor në lartësinë e atyre që kanë në duar kolegët e tyre që studiojnë jashtë.

Kemi lançuar gjithashtu edhe ulibrary.rash.al, një bibliotekë digjitale ku kanë qasje studentët, pedagogët dhe kërkuesit shkencorë që shërben si një univers informacionesh të vlefshme ku përfshihen libra, revista shkencore, teza, disertacione e ku secili prej të interesuarve mund të marrë e të kultivojë dijet. Mjafton vetëm dëshira për zhvillim personal.

Ky kërkim shkencor duhet të jetë me integritet dhe kjo është sfida jonë e radhës: si të gjykojmë në integritetin e kërkimit shkencor me të cilin janë promovuar pedagogët dhe si të mbjellim bazat e integritetit në kërkim shkencor te studentët. Si masë e parë, ne do japim qasje në një software online për verifikimin e plagjiaturave të të gjitha universiteteve dhe ato pastaj do të vendosin rregullat e etikës në kërkim shkencor. Ndërkohë, duhet të verifikohet edhe integriteti i botimeve të deritanishme duke u bazuar në rregulloret e universiteteve dhe fakulteteve dhe duke u bazuar në bazën ligjore në fuqi që nga viti 2012.

Ka një debat publik tashmë për plagjiaturat në mbrojtjen e doktoraturave. A ka një plan konkret ministria për detektimin dhe anulimin e titujve shkencorë të marrë me plagjiaturë?

Më duhet të sqaroj se mbrojtja e disertacioneve nuk është kompetencë e MASR, por një ekskluzivitet i komisioneve të vlerësimit, si një strukturë e brendshme që ngrihet nga vetë universiteti me përbërës stafin e tyre akademik. Janë këto komisione që ndjekin hap pas hapi çdo punim shkencor dhe kritikojnë aspektet metodologjike apo përmbajtësore të doktoraturave duke lëshuar në fund titujt akademik.

Universitetet kanë përgjegjësinë ekskluzive për produktin që nxjerrin në fund të një karriere universitare, por me sa duket, në dekadat e fundit në vendin tonë elementi i përgjegjshmërisë është venitur, ose ka qenë latent. Për rrjedhojë, kjo hallkë nuk ka funksionuar me profesionalizëm dhe integritet shkencor.

Por kjo nismë duhet të fillojë nga rregulloret e universiteteve dhe nga ngritjet e strukturave përkatëse të cilat “hetojnë” këto punime doktorale. Siç u shpreha edhe më parë, kemi vendosur gatishmërinë tonë për t’u ardhur në ndihmë universiteteve për të përmirësuar çështjet e integritetit akademik dhe shkencor.

Një tjetër gangrenë e arsimit të lartë në vend, por sipas gjasave një fenomen jo vetëm shqiptar (skandali në SHBA), është korrupsioni. Me korrupsion kuptoj, jo vetëm atë të drejtpërdrejtë që ka të bëjë me marrjen e parave nga pedagogët në këmbim të notës, por dhe korrupsionin në emërimin e pedagogëve, që futen në sistem pa konkurse reale dhe sipas lidhjeve nepotike me drejtues të IAL-ve. A keni ju të dhëna për nivelin e korrupsionit dhe çfarë masash mund të merrni për minimizimin e tij?

Duhet të ndajmë korrupsionin nga perceptimi i korrupsionit. Duhet të marrim seriozisht dhe të ndëshkojmë rastet e korrupsionit, por duhet të adresojmë edhe perceptimin për korrupsionin. Ka studime pafund të organizatave të ndryshme që pyesin studentët: “A mendoni se ka korrupsion në universitetin tuaj?”. Përgjigjja në këtë pyetje është jorelevante për politikëbërjen sepse mendimi apo përshtypja mbi ekzistencën e një fenomeni negativ nuk është indikator i faktit.

Kjo është edhe arsyeja se pse në Sondazhin Kombëtar të Studentëve kemi përfshirë pyetje konkrete nëse studentët kanë përjetuar vetë korrupsion gjatë studimeve të tyre. Është pikërisht kjo që na intereson për politikëbërje. Ndërsa për masat ndëshkimore duhen fakte, sepse fatkeqësisht nuk mund të ndëshkohet dikush me akuza verbale pa e faktuar krimin.

U kemi bërë thirrje studentëve që të njëjtën kurajo që kanë për të dalë në rrugë dhe për të protestuar për një universitet më të mirë, ta shfrytëzojnë për të denoncuar rastet konkrete të korrupsionit që kanë përjetuar dhe në këtë formë të vihet në vend drejtësia. Ajo që duhet të evitojmë është që studentët të akuzojnë një pedagog për korrupsion në rastet kur ai apo jo e ka ngelur disa herë për përgatitje të dobët. Pra, faktet e korrupsionit duhet të ekspozohet për ndëshkim.

Korrupsioni është një fenomen real që ka prekur dhe jo pak, të gjitha nivelet e përfaqësimit në IAL por që karakterizohet nga një perceptim subjektiv dhe si i tillë, nuk mund të ndërmerren fushata masive ndryshimesh pa rregulla të qarta sepse rrezikojmë të fusim në të njëjtën llogore edhe më të korruptuarit, edhe stafin akademik që kryen me pasion e ndershmëri punën e tyre.

Ministria ka bërë të ditur se ka nisur Sondazhin Kombëtar të Studentëve. Çfarë prisni prej këtij sondazhi dhe çfarë masash do të merren në varësi të perceptimit të tyre?

Duhet theksuar se Sondazhi Kombëtar i Studentëve është diçka që u zhvillua për herë të parë në Shqipëri. Në kuadër të “Paktit për Universitetin”, Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ASCAL) ngriti një grup pune që mori kohën e mjaftueshme për formulimin e pyetësorëve dhe që prek çështjen e eksperiencës studentore në mënyrë shumë të detajuar, çka bën të mundur që raporti final i sondazhit të jetë në një farë mënyre shterues e të mos lërë hapësira për interpretime subjektive. Procedura ka qenë e thjeshtëzuar pasi të gjithë studentëve u ka mbërritur në email-in universitar ose në atë personal, linku i personalizuar ku mund të aksesonin pyetësorin me rreth 100 pyetje dhe ta plotësonin për 10 minuta. Rezultatet do t’i kemi në nivel kombëtar dhe në nivel universiteti dhe do ta dimë saktë se ku duhet ndërhyrë dhe me cilat masa të nevojshme. Ndërkohë, universitetet duhet të bëjnë sondazhin për secilin pedagog, në mënyrë që ata të reflektojnë mbi punën që bëjnë me studentët. Kjo bëhet në secilin universitet të mirë në botë dhe duhet të bëhet edhe në Shqipëri.

Zonja Ministre, nëse më lejoni edhe disa pyetje për profilin tuaj politik dhe publik. Së pari, në publik krijohet përshtypja se kryeministri ka një marrëdhënie më të kujdesshme, preferenciale me ju dhe ministrin e Jashtëm, krahasuar me ministrat e tjerë. A vjen kjo për shkak se jeni të rinj, ende të paambientuar me politikën e Tiranës?

Unë kam një marrëdhënie të ngushtë bashkëpunimi, përtej të zakonshmes, me të gjithë kabinetin qeveritar, përfshirë Kryeministrin dhe stafin e tij, pikërisht për shkak të “Paktit për Universitetin”. Masat që kemi ndërmarrë për arsimin e lartë nuk janë vetëm të MASR, por nga të gjitha ministritë. Me Anilën (Ministren e Financave dhe Ekonomisë) kemi patur shumë diskutime për realizimin e pakos financiare që nuk ishte parashikuar për buxhetin e vitit 2019, por të cilën u desh ta përfshinim ndërkohë. Me Blendin (ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural) kemi punuar ngushtë për marrëveshjen me Universitetin Bujqësor të Tiranës. Ndërsa me Belindën (ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë) jemi përpjekur shumë për të vendosur të gjithë instrumentin financiar të parashikuar për rrugën “Thumanë-Kashar” në dispozicion të universiteteve për të investuar në kampuset universitare.

Kryeministri ka qenë i përfshirë ngushtë në ndërtimin e “Paktit për Universitetin”, ngaqë protesta e studentëve ishte protestë e vërtetë universitare që duhet të sjellë ndryshim në politikëbërje. Unë mora përsipër të udhëheq Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë në një moment shumë të vështirë, por që ngërthente në vetvete të gjithë mundësinë për transformim rrënjësor të universiteteve. Kjo nuk do të ndodhë në rast se nuk përfshihet intensivisht e gjithë qeveria, përfshirja e së cilës më bën të ndihem mirë.

A mund të na thoni, cila është arsyeja e karrierës së suksesshme në qeveri, pasi duhet të pranojmë që nuk është pak të jesh ministre. Cilës gjë ia atribuoni këtë arritje? A e shihni veten për shumë kohë pjesë të politikës së Tiranës?

Po e marr nga fundi: po, e shoh veten gjatë në politikën e Tiranës. Një gjë është bërë e mundshme me vendimin kurajoz të Partisë Socialiste që të hapet ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe karrierat politike e kontributi shoqëror të mos jetë më i kufizuar brenda kufijve shtetërorë, por të jetë fluid. E shoh të mundshme që të shërbej në Kosovë për një kohë dhe të kthehem prapë në Shqipëri, apo edhe të shërbej në Shqipëri pa ndërprerje për të mirën e përbashkët publike.

Është një nder i madh që të shërbej në Shqipëri si ministre e Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Unë kam mbi 15 vite pune ndërkombëtare në analiza dhe advokim të politikave publike në përgjithësi, si dhe politikave arsimore në veçanti. Kjo u reflektua edhe gjatë intervistave të shumta që kisha me stafin e kryeministrit para se të emërohesha zëvendësministre.

Ajo që është impresive dhe jo e zakonshme, e cila ka mundësuar edhe ardhjen time në Shqipëri, është vendimi i kryeministrit që në kabinet qeveritar të ketë profesionistë të fushave që qeverisin dhe të ketë më shumë gra se burra. Jo vetëm në Ballkan, por as në BE, nuk ka qeveri të përbërë me një shumicë kaq të madhe të grave. Nga 13 ministri, 8 udhëhiqen nga gratë. Kjo është një arritje e madhe. Gratë qeverisin ndryshe dhe Shqipëria do të jetë tjetër për shkak të grave që udhëheqin në qeveri.

Në Kosovë ka një debat, ose një pretendim për identitet kosovar, të ndryshëm nga ai shqiptar. Çfarë mendoni ju për këtë temë?

Kjo është një temë delikate dhe më duhet të kujdesem se si të përgjigjem. Identiteti kosovar, në një rrafsh është i vërtetë dhe real, ndërsa në një rrafsh tjetër është vetëm sajesë e rrymave të ndryshme politike për njerëzit që jetojnë në Kosovë. Politikëbërësit jugosllavë kanë patur gjithmonë synim që të reduktojnë identitetin, kulturën dhe gjuhën shqipe duke identifikuar shqiptarët e Kosovës si të tjerë nga ata të Shqipërisë. Rrjedhimisht, janë munduar të zbehin lidhjet e natyrshme mes shqiptarëve duke na parë gjithmonë si rrezik për idenë e Jugosllavisë me shumicë popullsie sllave.

Pas luftës, në emër të konceptit të shtetit multietnik, të njëjtën politikë e kanë ushqyer fuqishëm edhe udhëheqësit ndërkombëtarë të Kosovës. “Kosovarët” ishte termi që përdorej për shtetasit e Kosovës, si ata shqiptar ashtu edhe ata serb. Me të vetmin dallim që serbët nuk është se e përbrendësuan termin “kosovar” – ata vazhduan ta quajnë veten vetëm serb – ndërsa një pjesë e shqiptarëve me bujari pranuan të quhen “kosovarë”, gjithmonë duke aluduar më shumë te shtetësia. Edhe pse ka një grup të vogël të opinionbërësve në Kosovë që mundohen ta ndërtojnë konceptin e ‘kombit’ kosovar, me të cilët kam mospajtime të fuqishme.

Aty ku mendoj se identiteti i shqiptarit të Kosovës ndryshon nga shqiptari i Shqipërisë është te socializmi disadekadash që ka ndodhur plotësisht i ndarë mes dy vendeve. Unë dhe një bashkëmoshatar i imi në Shqipëri kemi patur eksperienca krejt të ndryshme si fëmijë – kemi parë emisione të tjera në televizor: ai ka mësuar italishten si gjuhë të dytë, ndërsa unë serbishten. Kështu që, ky dallim ekziston, por po zbehet me secilën gjeneratë ngaqë po afrohen gjithmonë e më shumë njerëzit mes vete.

Gjuha është dallimi kryesor që kemi: unë flas shqipen standarde, por me elemente të gegërishtes, njëlloj si dikush në Shkodër apo Dibër, por shumica flet shqipen me elemente të toskërishtes. Për mua është pozitiv fakti që lejojmë dhe promovojmë diversitetin gjuhësor në shkolla, televizione apo hapësira të ndryshme publike. Rrjedhimisht, çuditem kur ish-deputetët e opozitës të cilët braktisen parlamentin, më sulmojnë rregullisht për mënyrën se si e flas gjuhën shqipe. Gjë që për mua shfaq njëfarë racizmi të brendshëm që ata ndiejnë ndaj një pjese të popullit shqiptar – një pjese të votuesve të vetë, se PD ka shumë votues që flasin si unë – të cilin unë nuk e kuptoj dhe e dënoj fuqishëm. Diversiteti është pasuri edhe unë ndihem mirë që në qeverinë shqiptare ka dy ministra që flasin pakëz më ndryshe se shumica.


Fatal error: Uncaught ___C_0: (E_ERROR) Trying to access array offset on value of type bool in /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/js/tinymce/skins/wordpress/images/formatting.config:252 Stack trace: #0 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(13): ___C_5->_errorHandler(2, 'Trying to acces...', '/home/gazetamap...', 13) #1 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(17): JNews\Module\Block\Block_9_View->get_demo_style() #2 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(74): JNews\Module\Block\Block_9_View->get_image_size() #3 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(63): JNews\Module\Block\Block_9_View->build_column(Array, 'jeg_col_2o3') #4 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(47): JNews\Module\Block\Block_9_View->render_column(Array, 'jeg_col_2o3') #5 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/BlockViewAbstract.php(17): JNews\Module\Block\Block_9_View->render_output(Array, 'jeg_col_2o3') #6 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/ModuleViewAbstract.php(165): JNews\Module\Block\BlockViewAbstract->render_module(Array, 'jeg_col_2o3') #7 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Single/SinglePost.php(1265): JNews\Module\ModuleViewAbstract->build_module(Array) #8 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Single/SinglePost.php(205): JNews\Single\SinglePost->related_post(false) #9 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php(307): JNews\Single\SinglePost->related_post_hook('') #10 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php(331): WP_Hook->apply_filters(NULL, Array) #11 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/plugin.php(474): WP_Hook->do_action(Array) #12 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/fragment/post/single-post-1.php(66): do_action('jnews_single_po...') #13 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template.php(772): require('/home/gazetamap...') #14 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template.php(716): load_template('/home/gazetamap...', false, Array) #15 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/general-template.php(204): locate_template(Array, true, false, Array) #16 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/single.php(16): get_template_part('fragment/post/s...') #17 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template-loader.php(106): include('/home/gazetamap...') #18 /home/gazetamapo/public_html/wp-blog-header.php(19): require_once('/home/gazetamap...') #19 /home/gazetamapo/public_html/index.php(17): require('/home/gazetamap...') #20 {main} thrown in /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/js/tinymce/skins/wordpress/images/formatting.config on line 252