Editorial

Besa, ti nuk do jesh kurrë vetëm!





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 20:23 - 12/06/20 |
Mapo.al

Nga gjithë përgjigjet që mund të jepte sot për qindra maturantë që protestonin poshtë zyrës së saj, po me gjasë edhe për mijëra të tjerë që nuk ishin aty, po kanë të njëjtin hall, Besa Shahini zgjodhi më fyesen. Më pak eleganten. Më ciniken nga ato.


I quajti militantë të opozitës 18 vjeçarët që me kurajo ishin ngritur në këmbë, duke shpallur qartë pretendimet se provimi i Letërsisë përmbante lëndë që nuk janë mësuar gjatë pandemisë, apo se testi ishte voluminoz, i paasimilueshëm, dhe ekstremisht i vështirë.


Në fytyrën dhe në zërin e këtyre të rinjve shquaje lehtësisht shqetësimin përzier me trishtim për të ardhmen, preokupimin se si do të shkojë ky moment vendimtar për ta, për projektet që kanë bërë, në ato portrete e zëra dalloje revoltën e një padrejtësie, por kurrkund, nuk mund të shihje një agjendë politike apo partiake.


Dhe patjetër që ka diçka, një problem ekziston derisa nuk janë një, dy apo pesë vetë që e shprehin, por qindra.


Besa Shahini sot, si ministre e Arsimit, duhej patjetër të kishte reagimin e dikujt që supozohet se përfaqëson dhe administron dijen. Ajo po të donte, mund të shkonte edhe më tej, të demonstronte cilësi njerëzore, si empatia. Pra një hall i madh i ka mbledhur gjithë ata maturantë poshtë zyrës së saj, dhe me këtë rast lypsej të kishte ndjeshmëri.

Por jo.

Besa zgjodhi rrugën tjetër. Të manifestonte në mënyrë të vrazhdë se është një rilindase në adoptim e sipër, arrogante po e po, dhe se në vend të transparencës, llogaridhënies dhe mbajtjes së përgjegjësisë, për ndërprerjen e shkollës dhe për mungesën e shumë gjërave, përfshirë edhe cilësinë e mësimit on-line, vepron me sulm, me zbulim armiku. Dhe padyshim, fyese aq sa mundet.

Kjo zonjë nuk do të jetë kurrë vetëm, dhe sak slogani i Ramës gjen në të, një përjetësim absolut. Sepse Besa është si jo pak bija të rilindjes, që ka marrë kaq shumë pushtet, pa u votuar nga askush, ka përfituar kaq shumë privilegje pa u lodhur asnjë ditë, dhe tund tashmë skeptrin e fronit ministror, pa teklif, se nuk i detyrohet askujt, pos shefit të madh.

Duke jetuar e duke i shkuar mbroth kësisoj, ajo ska pse ta vrasë mendjen të jetë diçka apo dikush tjetër. Thjesht, merr të gatshme pikat që i vijnë nga zyra e propagandës e bën një deklaratë. Dhe mijëra të rinj që kërkojnë një të drejtë, të cilët duhen përgëzuar për kurajon që marrin që ngrenë zërin, i damkos si miliantë partie.

Bukur Besa, kështu vazhdo.


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas