-Libri më i vjetër që keni në bibliotekë…
Leon Tolstoi “Lufta dhe Paqja” në gjuhën angleze, botim i vitit 1957. I blerë i përdorur në Bristol kur isha student. Ndër përkthimet më të mira në anglisht nga Rosemary Edmonds.
-Librat i zgjidhni nga autori apo zhanri?
Varet. Por kryesisht nga zhanri dhe preferoj politikë ose histori.
-I keni lexuar të gjithë librat që keni në bibliotekë?
Jo. Kam shumë libra të grumbulluar ndër vite që nuk kam patur mundësi t’i lexojë të gjithë.
-Libri i parë që keni kursyer për ta blerë…
Kam qenë në moshën 17-vjeçare në Oksford kur fitova konkursin e matematikës dhe s’më dhanë para cash, por kupon për të shpenzuar për libra. Menjëherë më shkoi ndër mend për një libër që kisha parë në fundjave mbi oligarkët rusë, që kushtonte 17 sterlina. Libër mbi privatizimet e para të shkruara shumë mjeshtërisht nga David Hoffman. The Oligarchs wealth and Power in the New Russia.
-Me kë i ndanit librat kur ishit gjimnazist apo student?
S’më ka tërhequr shumë shija e të tjerëve në lexim. Jam individual në përzgjedhjen e asaj që dua të lexoj. Jam zhgënjyer nga lëvdatat e tepërta për Remarkun kur isha në tetëvjeçare dhe që atëherë ndjek kritikët letrarë përpara se të lexoj një libër.
-A keni patur kartë anëtarësimi në Bibliotekën e qytetit?
Jo, nuk kam patur. Familja ime ka një bibliotekë të pasur dhe jam rritur i rrethuar me libra. S’e kam ndjerë ndonjëherë nevojën për t’u anëtarësuar.
-A shkonit në Bibliotekë dikur, dhe a vazhdoni ta frekuentoni edhe sot?
Eksperienca e parë me bibliotekën ka qenë në kolegj dhe ka vazhduar më pas në universitet. Biblioteka ka qenë shtëpia ime e dytë për gjashtë vitet e studimit tim në Angli. Pas kthimit në Shqipëri, fatkeqësisht nuk e frekuentoj më.
-I keni marrë ndonjëherë një mikeshe apo miku një libër dhe me ndërgjegje nuk ia keni kthyer më? Nëse po, cili është ai libër?
– Thonë që të marrësh një libër e mos ta kthesh më nuk quhet vjedhje. Por sërish mendoj se çdo libër ka një vlerë të fortë për këdo që e ka në bibliotekë. Mua më kanë marrë libër nga biblioteka dhe më duket sikur më kanë vjedhur nga llogaria bankare.
-Keni humbur libra që i keni pasur shumë të dashur?
‘100 vjet vetmi’ e Markezit, më ka humbur ose më mirë e kam harruar në autobus, çuditërisht pak minuta pasi e mbarova librin. Ironia është se, ashtu siç mbaron dhe vetë libri me fshirjen e fshatit Makondo, ashtu dhe libri u zhduk pak minuta më vonë.
-A lexonit dikur libra të ndaluar? Mund të na përmendni disa tituj dhe si i siguronit?
Fatmirësisht, s’e kam jetuar këtë kohë të errët.
-Dhurimin e librave është një rit që e vlerësoni, apo librat preferoni t’i zgjidhnit vetë?
Është dhurata më e vështirë për t’u bërë. Më ka qëlluar të lexoj një libër dhuratë, që nuk do ta blija kurrë vetë, dhe akoma më kujtohet stërmundimi fizik për ta lexuar.
-Cilat janë zakonet tuaja të leximit? Lexoni shtrirë në kurriz, përmbys, në tryezën e punës… ?
Kryesisht gjysmë shtrirë.
-A lexoni në banjë?
Me teknologjinë tashmë dhe me iPad lexohet kudo.
-Në çfarë gjuhe tjetër përveç shqipes lexoni?
Fatkeqësisht, në anglisht lexoj më shumë sesa në shqip.
-Ç’libër keni në duar aktualisht?
Po lexoj një libër të blerë në Itali, kur isha me pushime gjatë verës, mbi ngritjen e familjes Medici të Firences nga një familje modeste te ndër më të fuqishmet në Europë.
-Mbani shënime kur lexoni?
Bëj nënvizime me shpresën se do t’i rikthehem pasazhit.
-Në letërsi ju tërheq më shumë proza apo poezia? Kur shenjoni një autor që ju pëlqen, lexoni gjithçka të tij/saj?
Preferoj prozën mbi poezinë dhe nuk besoj se çdo libër i autorit mundet të jetë i arrirë sa për t’i lexuar të gjithë.
-Cilët janë ata libra apo autorë që ju rekomandoni se duhen lexuar patjetër?
Louis de Bernieres- Mandolina e Kapitel Korelit. Robert Harris- Triologjia mbi Ciceronin Imperium, Lustrum dhe Diktator (që sapo ka dalë dhe jam i sigurt që është po aq i mirë sa dhe dy të parët). Carlos Ruis Zafon- Hija e Erës.
-Po t’ju thonë se në Arkën e Noes së Librave duhet të shtini 3 libra për t’i shpëtuar nga Apokalipsi, cilët do ishin?
“100 vjet vetmi” Gabriel Garsia Markez; ‘Komedia Hyjnore’ – Dante Alligeri; ‘1984’- Xhorxh Oruell.
-Na thoni një maksimë për librat që e mbani mend ose e përsërisni shpesh…
“Koha është një iluzion. Pushimi i drekës, dy herë më tepër” – Hitchhikers Guide to the Galaxy, nga Douglas Adams.
-Cili është personazhi i preferuar i romaneve që keni lexuar?
Ciceroni, si personazh i trilogjisë së Robert Harris.
-Autografi më i çmuar apo më i çuditshëm që keni në bibliotekën tuaj?
-Më i çmuari mund të them është ai i Alastair Campbell. Kur studioja për shkenca politike kam ndjekur me shumë interes “spinin” e tij në media dhe më ka tërhequr aftësia politike e një gazetari.
Nga Remark duhet lexuar ne shqip “Tre shoket” dhe mendimi mbi ‘te si shkrimtar esht tjeter. Dhe, meqe proza i pelqeka me shume se poezia, atehere qenka tip qe duhet te lexoje Viktor Hygone dhe Carl Dikens-in.