Më kujtohet, kur isha 17 vjeç, takova një djalë tek ura Bolshoi Moskvoretsky në verë. Ishte një vend për të bërë gjëra aq të bukura. Pas disa vitesh kam kaluar aty edhe mbrëmjeve, duke u ndjerë plotësisht e sigurt, edhe kur ishte vonë apo kur errësohej herët. E çfarë mund t”i ndodhë dikujt kaq pranë mureve të Kremlinit?
Politikani i opozitës, Boris Nemtsov u vra qëllua pikërisht aty të premten. “Moskvoretsky” është një prej vendeve më piktoreske në Moskë dhe është i famshëm si për turistët ashtu edhe për vendasit – një vend nga ku mund të shkrepësh fotografitë e para dhe të shijosh pamjen e Katedrales së Shën Vasilit, Kremlinin dhe lumin e Moskës. Ajo është ura që të duhet të përshkosh për të shkuar nga Sheshi i Kuq te lagjia historike e Zamoskvorechye-s.
Në përpjekje për të kuptuar vrasjen rrëqethëse të Nemtsov, iu bashkova fqinjëve të mi të vjetër në lagjen ‘Zamoskvorechye’, njerëz të cilëve iu ndodhi ngjarja thuajse në pragun e shtëpive. “Mos e quaj vrasje, quaje ashtu siç është, ekzekutim publik”, tha Katya, një mikeshë e vjetër e familjes sime që është banore e zonës.
Në moshën 40-vjeçare, Katya është një prej moskovitëve “dembabadem” e cila e ka kaluar pjesën më të madhe të jetës së saj në Zamoskvorechye. Sipas saj, vdekja e Nemtsov është vetëm një “prej mizorive të shumta” që kanë ndodhur që kur Rusia aneksoi Krimenë marsin e kaluar. Katya tha se ajo nuk është e sigurt se kush mund të përfitonte nga një akt i tillë dhune, por theksoi se veprimet e qeverisë, të përziera me propagandën shtetërore, kanë ndikuar shumë në destabilizimin e shoqërisë. “Ndoshta është një grup të çmendurish që kanë parë shumë filma me liberalë të frikshëm. Ndoshta mund të jetë edhe më keq”, – tha ajo.
Ndjesi të tilla çojnë shpesh te presidenti çeçen, Ramzan Kadyrov. Ato i referohen disa prej deklaratave të fundit të Kadyrov, përfshi një të dhjetorit 2014, se familjet e terroristëve duhet të konsiderohen përgjegjëse për sulmet terroriste. Akuzat e Kadyrovit kanë shkaktuar mosmarrëveshje në Moskë, në mënyrë të veçantë sepse ato bëjnë të duket sikur udhëheqësi çeçen duket sikur nuk ka nevojë ta zbatojë ligjin rus në territorin e Çeçenisë.
Disa mjaftohen duke e fajësuar direkt Kadyrovin për vdekjen e Nemtsovit, por shumica theksojnë se si retorika e tij, ashtu dhe retorika të ngjashme në jetën publike, çojnë drejt pranimit të një dhune më të madhe në shoqëri.
Gjatë viteve ‘90, një dekadë e karakterizuar nga kaosi dhe paqëndrueshmëria në Rusi, Nemtsov spikati si një pjesëtar i qeverisë, një anëtar i Parlamentit dhe zv.kryeministër. Pjesëtar i rrethit të ngushtë të presidentit të atëhershëm, Boris Yeltsin, Nemtsov u dëbua nga skena politike pas ardhjes së Putinit në pushtet.
Kritikat e Nemtsov për politikat antidemokratike të Putinit ranë plotësisht në vesh të shurdhër të qeverisë.
Sot, mbështetësit e axhendës së qeverisë pretendojnë se vrasja e Nemtsov mund të jetë rezultat i një komploti liberal, një lloj “sakrifice” për akuzën kundra qeverisë.
Logjika është e tillë. Kujt i leverdis vrasja? “Jo Putinit, por liberalëve”, – tha Sergei, pensionist. “Le të arsyetojmë. Nemtsov nuk ishte ndonjë njeri i veçantë. Ai ishte i mirënjohur vetëm për shkak të kaluarës së tij në qeveri. Nuk kishte të ardhme politike. Kështu që miqtë e tij të vegjël vendosën se mund të sakrifikohej”.
Sergei mund të përfaqësojë një pjesë të konsiderueshme të popullit që e mbështeti Putinin kur u aneksua Krimea. Pavarësisht problemeve aktuale ekonomike të Rusisë, ata vazhdojnë të kenë prirje të besojnë se e ardhmja do të jetë e begatë. Ata thonë se Putini u dha njerëzve shpresë dhe iu ktheu Krimenë, “trashëgiminë” e tyre natyrore. Kjo është një sfidë ndaj atyre që ata i shohin si provokime të huaja.
Në orët e para pas vdekjes së Nemtsovit, u ndesha me shumë ndjenja që ishin në të njëjtën linjë.
Sidoqoftë, për pakicën e rusëve që kanë qëndruar të shtangur, teksa vendi i tyre mësynte njëkohësisht Ukrainën dhe perëndimin, vrasja e një kritiku kaq premtues qeveritar është simbol i një tmerri më të madh që pritet të vijë. Marina Krapivina, një dramaturge dhe banore e Zamoskvorechye-s, tha se tani është seriozisht e shqetësuar nga rreziku se në Rusi mund të shpërthejë një tjetër ngjarje e përgjakshme si ato të 1930-s. “I kam zili njerëzit që kanë ende iluzione se çdo gjë do të ndreqet”,- më tha Marina. Ajo rreshtohet në krah të një pakice në rritje që mendojnë se dështimet e 1990-s janë shkaqet e nivelit të lartë të urrejtjes dhe paranojës shoqërore”.
“Nuk pati një larje të vërtetë hesapesh. Njerëzit nuk u lejuan që ta shfrynin dufin, që të paqëtoheshin me të kaluarën (sovjetike) dhe ta rindërtonin identitetin e tyre”, tha ajo. “Nuk u përballëm me plagët e vjetra dhe plagët janë rihapur”.
Një pasojë e kësaj ka qenë një nevojë e dëshpëruar e shumicës për të shmangur çdo kritikë për qeverinë, përfshi edhe shmangien e kritikave për makinerinë e propagandës qeveritare, çka e përshkruante çdo kritik të qeverisë së Nemtsov si tradhtarë të poshtër që kanë një axhendë filoperëndimore. Qeveria autoritare i ka marrë tërësish peng qytetarët e saj. Kështu që shumë rusë kanë jetuar për një brez të tërë si pengje. Ata kanë sindromën e Stokholmës. Kanë prirjen të besojnë se udhëheqësit e tyre janë të sjellshëm dhe mëshirëmëdhenj dhe se duan vetëm atë çka është më e mira – dhe mund të përballesh me një tmerr kafshëror nëse pohon të vërtetën.
Në një qytet ku kohët e fundit mijëra njerëz kanë marshuar kundër lëvizjes së protestës për Ukrainën – një anti-miting i mirëfilltë, aq më tepër që në një vend të huaj – ku disa mbanin parulla që kërkonin “spastrime”, ideja se aktualisht po ndodh një spastrim është e vështirë për t’u kapur.
Barbarizmi i kësaj, një qese e hedhur mbi një trup që qëndron trishtueshëm në tokë me në sfond bukurinë e Shën Vasilit, simboli i vërtetë i Rusisë; është mundësia se kërkesat e vazhdueshme për ndëshkime mund të kenë pasoja… e gjithë kjo ka gjasa që të ndrydhet në ndërgjegjen publike. Është me të vërtetë shumë për t’u duruar, sidomos në një vend që mbështetet te raportimi i njëanshëm televiziv, sikurse është Rusia që i paraqitet opinionit publik.
Shumë prej kolegëve të mi kanë kujtime nga Nemtsov, nga karakteri i tij i pavdekshëm, ashpërsia e tij dhe e kaluara konfliktuale. Habitesha se sa mirë vishej dhe sa i sjellshëm ishte, dhe se si arrinte ta fshihte nën edukatën e tij stresin. Ky ishte njeriu që dukej shumë i lodhur nga roli i tij prej armiku publik. Tani Nemtsov prehet në paqe. Ndërsa për gjithë ne të tjerët jam me të vërtet shumë e shqetësuar. /The Guardian