Gjykata Administrative e Shkallës së parë Tiranë, ka pranuar sot kërkesën e kompanisë Albania Duty Free Distribution, me pronare bashkëshorten e gjyqtarit Gjin Gjoni, Elona Çaushi, për shfuqizimin e vendimit të Ministrisë së Financave për t’i anuluar autorizimin për ushtrimin e aktivitetit tregtar në ambientet “Duty Free” në Aeroportin e Rinasit.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka publikuar një deklaratë për mediat pas vendimit të Gjykatës Administrative. Të tilla vendime, thekson ambasada e SHBA, pengojnë investimet e huaja.
“Në situatën ku ndodhemi sot, rrethanat në lidhje me hapësirën Pa Taksë (Duty Free) në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës tregojnë sfidat me të cilat përballen investuesit e huaj në Shqipëri. Është zhgënjyese që klima aktuale e biznesit pengon rritjen e investimeve të huaja. Shqipëria duhet të zbatojë rregulla të drejta dhe transparente në mënyrë të barabartë për të gjitha bizneset. Shpresojmë që qeveria e Shqipërisë të shqyrtojë seriozisht sfidat në mjedisin aktual dhe të zbatojë ndryshime të prekshme, për të tërhequr investimet e huaja shumë të nevojshme”– shkruan ambasada.
Ditën e sotme Gjykata Administrative vendosi të pranojë padinë e shoqërisë ADFD për zonën e dyqaneve “Duty Free” në Rinas. Me vendimin e sotëm Gjykata rrëzoi urdhrin e Ministrisë së Financave që i anuloi lejen e shfrytëzimit për 5 vjet të tjera të “Duty Free” në Rinas nga ADFD.
Që prej korrikut të vitit të kaluar, kur nënshkroi dhe kontratën me Tirana International Airport (TIA) shoqërinë që administron aeroportin e Tiranës, kompania amerikane nuk ka mundur të marrë në zotërim zonën e dyqaneve “Duty Free”. Përmes një sërë padish në gjykata, Albania Duty Free Distribution (ADFD), kompania e cila ka administruar zonën “Duty Free” që prej viteve 2000, nuk u largua.