Është edhe punë parash: kësaj radhe 11 miliardë dollarë – dhe pse mund të fitojë Donald Trumpi (ose pse fitoi më 2016 dhe cili është faji i Obamës dhe Clintonëve)?
1.
Sipas Center for Responsive Politics zgjedhjet presidenciale dhe ato për Senat në SHBA do të jenë më të shtrenjtat në historinë amerikane. Kjo organizatë vlerëson se të dy partitë në këto zgjedhje do të harxhojnë 11 miliardë dollarë. Kjo është një rritje e jashtëzakonshme në krahasim me vitin 2016, kur u harxhuan 6,5 miliardë dollarë. Së fundi Donald Trump është ankuar se po i zbrazet arka, ndërsa Joe Biden befas qëndron më mirë, ndonëse në fillim të fushatës brenda Partisë Demokratike ai ishte para falimentimit. Të bëhesh president i Amerikës – kjo është edhe punë parash. S’fitohen zgjedhjet vetëm me fjalime të mira. Ose populiste.
2.
Tani për tani gjasat që të fitojë Donald Trumpi janë të vogla. Në anketa serioze prin Joe Biden. Por edhe nëse nuk fiton Trump, pyetja mbetet: si qe e mundur që një antipolitikan i tillë të zgjidhet president më 2016? Qe pse: sepse Obama, Clintonët, Bideni dhe pothuaj krejt establishmenti liberal i Partisë Demokratike kanë harruar punëtorët e thjeshtë, nuk kanë bërë sa duhet për mbrojtjen e industrisë vendore, kanë besuar verbërisht në globalizëm dhe nuk e kanë kundërshtuar sa duhet Kinën, e cila po mbulon botën me prodhime të lira.
3.
Në lidhje me këtë temë profesori i Harvardit Michael Sandel ka shkruar një libër interesant (The Tyranny of Merit: What’s Become of the Common Good?). Sandel thekson se liberalët janë treguar arrogantë ndaj klasës punëtore dhe kështu ia kanë hapur udhën Trumpit për të marrë pushtetin. Derisa Hillary Clinton merr 300 mijë dollarë për një fjalim 40-minutësh në qarqet e Wall Streetit dhe tallet me “punëtorët e mjerë” që kanë mbetur të papunë, nuk duhet pritur që “punëtorët e mjerë” e shpërblejnë atë me vota.
4.
Një problem tjetër është koncentrimi i njëanshëm i demokratëve, liberalëve, të majtëve në temat identitare. Për shembull: në New York me vite është diskutuar nëse duhet të ketë WC publike edhe për ata që s’ndihen as meshkuj, as femra. Po, është fantastike që në një shoqëri të jenë të gjithë të barabartë, askush të mos diskriminohet dhe secili të jetojë jetën e tij sipas preferencave intime. Por kur debati dominohet vetëm nga temat identitare (nevojtore të veçanta apo jo për ata që s’ndihen as meshkuj, as femra), atëherë nuk është befasi që bujku i arave me misër në Iowa do të votojë për një popullist si Donald Trumpi.
5.
Ndërsa Hillary Clinton tallej me të mjerët që votojnë Trumpin, Barack Obama i etiketonte si njerëz që besojnë vetëm në “armë dhe fe”. Por pse është kështu? Liberalët mendojnë se kush dëshiron, kush ka vullnet i ka të hapura të gjitha dyert për sukses në SHBA. Profesori Sandel mendon se kjo nuk është e vërtetë. Nuk i kanë të gjithë shanset e barabarta në SHBA. Për një zezak nuk mjafton vetëm dija. Muret e barrierat që duhet të kapërcejë një zezak janë ende të larta. Për një të bardhë muret janë më të ulëta ose nuk ekzistojnë fare – falë prindërve të pasur ata që nga mosha e re përgatiten për të hyrë në universitetet më elitare. Kësisoj është krijuar ndarja mes elitës së majtë dhe klasës punëtore, shtresave pa privilegje, shtresës së ulët të mesme. Këto kategori prej vitesh kërkojnë alternativa të reja politike. Meqë sistemi politik në SHBA dominohet nga dy parti, nuk është befasi që një pjesë e konsiderueshme e të paprivilegjuarve i janë bashkuar republikanëve. Jo të gjithë që votojnë republikanët janë “burra të bardhë” e arrogantë. Disa votojnë republikanët, sepse me të drejtë janë të zhgënjyer nga demokratët, nga elitizmi i tyre arrogant, nga retorika boshe. Fitorja eventuale e Joe Bidenit më 3 nëntor mund të jetë shans për demokratët. Por vetëm nëse debati i tyre për hallet e shoqërisë amerikane nuk mbetet i kurthuar në nevojtoret “tregjinore” të New York–ut.