fbpx

Aktualitet

Beteja më e madhe e Ilir Metës nuk është personale





               Publikuar në : 13:25 - 21/11/19 |
Mapo.al

Kur Ilir Meta mbërriti në dyert e presidencës pas votimit në Kuvend, ai kishte plotësuar tashmë atë që është arritja më e madhe për një politikan; në CV-në e karrierës së tij do të shënohej se ka mbajtur postet më të larta në hierarkinë e një shteti: president, kryeministër, kryetar Kuvendi, ministër i Jashtëm. Pa e vënë akoma këmbën te pragu i godinës, kjo qeveri, e cila do të kujtohet vetëm për makinerinë e saj të frikshme propagandistike, kishte nisur të gatuante ‘skenarin’ e radhës: Ilir Meta po kalonte në pension. E dinin se kjo strategji do të funksiononte.


Tek e fundit, presidenca kishte shërbyer më shumë si një zyrë për të shijuar benefitet që të jep ai post. Kur thuhet se është një detyrë kryesisht ceremoniale, nënkuptohet se njerëzit i pëlqejnë ceremonitë. Pëlqejnë festat, pëlqejnë udhëtimet, pëlqejnë drekat e darkat, qetësinë dhe të gjitha facilitetet e tjera të detyrës. A ka më mirë se të kesh të gjitha këto në xhep, shto edhe faktin se do të njihesh si kreu i shtetit?



Por, ndërsa Edi Rama kishte parashikuar se ky do të ishte fillimi i fundit të një politikani të regjur prej tre dekadash në këtë profesion, nuk rezultoi aspak e tillë. Si mund të ishte e tillë përballë një njeriu që e sprovuar veten që në rini me politikën, diplomacinë, jurisprudencën, ekonominë?
Mjeshtëria e profesionit dhe prerja prej shtetari e bënin Metën që të manovronte me shkathtësi në çdo cep të asaj fushe të ngushtë loje që i ka lënë ligjvënësi kreut të shtetit.
Nga ana tjetër, qeveria vazhdonte të ‘pomponte’ lajme në opinionin publik se kjo është një betejë personale e Ilir Metës me qeverisjen.


Çfarë paradoksi! Po a nuk është kjo qeveri dhe ky kryeministër që janë vulosur tashmë jo vetëm nga shqiptarët, por edhe nga ndërkombëtarët, si autokratët e rajonit? A mos duhet shumë mund që të shpjegosh përpara shqiptarëve se çfarë do të thotë autokraci? A mos ndoshta nuk e dinë njerëzit se një autokrat është dikush që kërkon të kapë pushtetet e tjera? A nuk ishte edhe vendimi për të mos hapur negociatat për Shqipërinë, një flakareshë për qeverisjen autokratike? A nuk e tha edhe vetë kryeministri holandez, që në Shqipëri nuk ka ndarje pushtetesh? Pastaj, nëse nuk i besoni këto, a nuk ishte edhe Komisioni i Venecias që tha se qeveria po i kap të gjitha. Në fund të fundit, a nuk duhet të jetë presidenti i vendit një garant i Kushtetutës?

Pastaj, përse nuk duhet t’i bëjë përshtypje opinionit publik që qeveria po e ‘varros’ Shqipërinë në gropën e koncesioneve prej miliarda dollarësh dhe të mendojë se e ka personale betejën presidenti, i cili vetëm po zbaton atë që thuhet qartë në Kushtetutë kur bie fjala te Gjykata Kushtetuese. A nuk thuhet se duhet të ketë një rend për miratimin e anëtarëve? Si mund të ‘grabisësh’ anëtarin e presidentit dhe më pas të betohesh te noteri?

Për të gjitha këto, kjo nuk është histori si të tjerat në Shqipëri, ku palët zihen për tendera, licenca dhe koncesione. Në lojë është diçka më e madhe, e padukshme në momentin e parë, por jetike për vendin në shkallën fundore. Meta është aty si një digë për të ndaluar këtë rrënim total të shtetit.

Mapo.al


Etiketa: ,

Pas