Evazioni fiskal ka kufizuar kapacitetet e qeverisë për të rritur të ardhurat dhe zbatimin e politikave fiskale në funksion të ekonomisë. Edhe pse prej 2005, politikat fiskale kanë ndryshuar të paktën dy-tre herë në nivele dukshëm më të ulëta për tatimet mbi kapitalin dhe punën, informaliteti nuk ka lëvizur më poshtë se niveli 33%.
ALTAX.al
Treguesit e gjithë harkut kohor njëzetvjeçar kanë patur gjithnjë një shënjues me pak ndryshime të nivelit të informalitetit, pavarësisht populizmit dhe paketave fiskale në dukje favorizuese për bizneset apo edhe armike të informalitetit. Edhe pse prej 2005, politikat fiskale kanë ndryshuar të paktën dy-tre herë në nivele dukshëm më të ulët për tatimet mbi kapitalin dhe punën, informaliteti nuk ka lëvizur më poshtë se niveli 33%. Politikat fiskale, të cilat edhe pse mund të kenë patur të drejtë në synimet e tyre nuk kanë mundur dot asnjëherë të jenë të zbatuara në masë të plotë. Edhe nëse politikat do të kishin një kalibrim të saktë, përsëri duke mos u arritur të përmbushen direktivat e të ardhurave të buxhetit gjatë procesit të administrimit ka krijuar amullinë e shpeshtësisë së ndryshimeve ligjore për të mbushur boshllëkun midis tyre. Administrimi nuk është vendosur dot edhe pas mbi 20 vitesh në kuotat e nevojshme për të na bërë të kuptojmë se sa e saktë ka qenë politika e prodhuar për t’u konsumuar nga administrata. Kjo situatë që ka ndarë në vite administrimin nga politika ka krijuar probleme të dukshme edhe në stabilizimin e politikës fiskale drejt qasjeve anti-informalitet, por edhe nuk e ka lënë mundësinë e hapur për t’u zhvilluar. Por, a ka mundur administrimi të ketë arritur të ndalojë evazionin të përhapet? Nëse përgjigjja do të ishte po, atëherë do të ishte e natyrshme të shikonim ndryshimin e një modeli administrimi me një tjetër, i cili jo vetëm do të zëvendësonte modelin paraardhës, por do t’i kishte dhënë një tjetër dimension edhe politikës fiskale të bazuar mbi modelin e taksimit të ndershëm. Edhe pse politikanët e papjekur me sistemin kapitalist kanë kërkuar të shesin gjithnjë një politikë që i ka bërë dëm buxhetit, të paktën kanë lejuar që në Shqipëri të arrihet një ngarkesë fiskale më e ulët në realitet nga ajo që kanë miratuar në parlament. Nga statistikat e 20 viteve të fundit, edhe pse ngarkesa fiskale sipas ligjeve tatimore ka qenë mbi 30% e prodhimit të brendshëm, administrimi ka mundur të arrijë të mbledhë tatime deri në kufijtë e 26% të prodhimit të brendshëm. Pra, e gjithë diferenca prej 5-10% midis politikës që miraton qeveria dhe tatimeve që mbledh administrata është ajo pjesë që i mungon politikës për arsye të mungesës së koordinimit midis tyre. Qeveritë në 10-vjetëshin e fundit kanë ardhur me programe që kanë synuar ulje të taksave, dhe luftë ndaj informalitetit. Por, politika e uljes së taksave nuk ka arritur ende të zëvendësohet me zgjerimin e bazës së tatimpaguesve dhe detyrimisht fillimin e ngushtimit të informalitetit duke e futur problemin fiskal në një ekuacion.
Komunikimi me biznesin
Por, çfarë duhet bërë ndryshe nga sa po operohet për të qenë rezultativë në këtë luftë? Së pari, nevojitet që të krijohet mundësia për bizneset të deklarojnë vullnetarisht atë çfarë kanë detyrim ligjor (matja e përmirësimit të vullnetarizmit apo pajtueshmërisë me ligjin). Natyrisht, që për te arritur deri aty ku synohet nevojitet: rritja e cilësisë së shërbimeve për bizneset dhe individët, Forcimi i imazhit në publik i një administrate të pakorruptuar, transparencë dhe përgjegjshmëri e administratës ndaj biznesit dhe individëve, sistem apelimi i fortë dhe mbrojtje të drejtash të biznesit deri në shkallët finale të gjyqësorit për të garantuar të drejtën që kanë përballë veprimeve abuzive të administratës, lehtësimi i procedurave për deklarim, pagesë dhe rimbursim që ka si produkt uljen e kostos së përmbushjes së detyrimit ligjor, rritje e kapacitetit të administratës në mbledhjen e detyrimeve tatimore dhe doganore, rritje e forcës së ligjit për mospërmbushësit e detyrimeve ligjore. Së dyti, duhet arritur përmirësimi i faktorëve që ndikojnë për të parandaluar evazionin dhe shmangien (matja e kapaciteteve organizative duke krahasuar degët dhe rajonet me njëra-tjetrën). Por si mund të arrihet në ndryshimin e situatës? Fillimisht duhet planifikuar se si të ndryshohet niveli i ulët i edukimit fiskal. Me tej duhet të analizohen faktorët për uljen e kostos së lartë për përmbushjen e detyrimeve ligjore. Ndërkohë, paralel me veprimet me lart duhet punuar me një objektiv të qartë për rritjen e kapaciteteve të mbledhjes së detyrimeve. Dhe së fundmi, nevojitet që të rritet niveli identifikues dhe parandalues i evazionit. Së treti, duhet që dënimet të trajtohen me barazi ndaj të gjithë kundërvajtësve ndaj ligjit (matja e aftësisë për të detyruar zbatimin e ligjit nga mospërmbushësit vullnetarë). Në ndihmë janë më shumë burime në shërbim të rritjes së volumit të kontrolleve dhe zbulimeve, si dhe goditjes së veprimtarisë evazioniste, që janë objekt për ndjekje penale.
Administrata fiskale
Megjithatë kosto e evazionit mbetet ende e lartë, për faktin se çështjet që janë realisht në favor të administratës numërohen me gishtat e dorës. Por, cilat do të ishin disa programe të orientuara drejt segmenteve dhe risqeve më të mëdha për mbledhjen e të ardhurave? Parandalimi i shmangies tatimore nga shoqëritë e mëdha është rreziku në vlera absolute i objektivit për mbledhjen e të ardhurave. Disa shoqëri ndërkombëtare shmangin pagimin e tatimit duke zhvendosur shpenzimet dhe fitimin nga dhe prej vendeve të tjera. Në referencë të standardeve ndërkombëtare të tatimit korporativ duket se nuk kanë shërbyer si duhet për administratën tatimore. Ende duket se ajo nuk arrin të shfrytëzojë mundësitë për shkëmbim informacioni dhe të rritë kapacitetet e brendshme duke përdorur praktikat e mira globale për gjurmim të transaksioneve. Rastet e fundit me kompanitë që kryejnë aktivitet në shfrytëzimin e burimeve natyrore pasqyron shembullin e qartë se ende kompanitë kanë mundësi për të shmangur dhe evaduar prej detyrimit. Sistemi tatimor aktualisht është duke e kërkuar dhe mbledhur tatimin vetëm nga bizneset formale. Por, një politikë në drejtim të parandalimit të evazionit tatimor nga individët me risk të lartë për të ardhurat duhet të jetë tendenca, që duhet të orientohet politika e administrimit. Kjo politikë ka të bëjë me ndryshimin e bazës së piramidës së mbledhjes së të ardhurave, duke u zhvendosur nga tatimet mbi konsumatorin te tatimet mbi individin. Rritja dhe zgjerimi i kapaciteteve të hetimit tatimor duke kaluar tashmë për vitin 2017 nën varësinë direkte të ministrit të Financave, por edhe një bashkëveprim më i mirë me inteligjencën e doganave dhe të pastrimit të parasë synojnë të identifikojnë dhe të mobilizojnë administratën në front kundër evazionistëve më të mëdhenj dhe individëve më të fuqishëm dhe me risk.
Politikat fiskale
Për realizimin e objektivave nevojitet që Ministria e Financave duhet të fokusohet në rritjen e aftësisë dhe kapaciteteve për identifikimin dhe goditjen e evazionit dhe korrupsionit. Ky objektiv kërkon të përdoren të dhëna, ekspertizën dhe teknologjinë, me qëllimin për të arritur: Standarde të reja performance, sistem të ri të forcimit të kapaciteteve, rritjen e standardeve të bashkëpunimit midis institucioneve, një përsosje të modelimit të riskut tatimor. Një rëndësi që merr kuptim në këtë luftë frontale është zbatimi transparent i skemave dhe praktikave të mira kundër shmangies dhe evazionit. Veprime konkrete për të mundësuar zbatimin e këtyre skemave do të ishin: Draftimi i amendimeve ligjore dhe rregullave që minimizojnë qëllimin për të kryer evazion. Cilësia e shërbimit dhe specializimi sipas segmentit te tatimpaguesit, do të përbënte një masë të re për të arritur mirëkuptim me bazën e tatimpaguesve, si dhe këshilltarët e biznesit (Dhomat e tregtisë, shoqatat, zyrat fiskale), të cilët janë faktorë me peshë, që ndikojnë direkt në parandalimin e shmangies dhe evazionit. Forcimi dhe konsistenca e dialogut për ndryshimin dhe rishkrimin e ligjeve fiskale duhet të mbështetet te rritja e transparencës midis palëve, duke e bërë më të vështirë për skemat abuzive të shtrihen dhe fitojnë terren në të ardhmen.
Lufta ndaj evazionit dhe krimit financiar duhet kuptuar si një aktivitet i përbashkët dhe jo si veprime të shkëputura (izoluara) të institucioneve. Shkëmbimi i përvojës, njohurive, bashkëpunimet dhe veprimet e koordinuara të gjithë institucioneve të specializuara në luftën ndaj evazionit tatimor dhe krimit financiar sjellin suksesin e pritshëm. Nga përvoja e zbatuar dhe efektet që nevojiten për institucionet që kanë detyrë prioritare të luftojnë evazionin dhe informalitetin do të jetë me vlerë: Rishikimi i modelit të shkëmbimit të informacionit në institucionet, ku më të veçantat janë midis DPPPP me DPT dhe DPD (obligim për shkëmbim dhe raportim të aktiviteteve të dyshimta), por edhe midis DPPPP me policinë dhe prokurorinë. Rishikimi i modelit të bashkëpunimit duke kërkuar përshtatje me strategjinë e luftës ndaj informalitetit, si dhe duke futur forma inovative të bazuara në nevojat e veçanta, kuadrin e ri ligjor dhe eksperiencën. Përshtatja e praktikave të suksesshme duke synuar përfshirjen e tyre sipas kuadrit ligjor dhe eksperiencës dhe kapaciteteve zbatuese. Aty ku nuk ka mundësi përshtatje shikohet praktika tjetër apo ndërthurje e disa formave dhe modeleve. Vlerësimi i aftësisë së administratës për t’u përfshirë në hetim, kur janë të drejtuara nga institucionet e tjera. Në këtë drejtim duhen hequr barrierat që kufizojnë bashkëpunimin dhe shkëmbimin e ekspertëve dhe përvojës së tyre duke i bërë më elastike strukturat organizative. Nëse kapërcehen pengesat (a) operacionale (procedurat e gjata të shkëmbimit të informacionit, ndërgjegjësim i ulët, kapacitete të paplota) dhe (b) politike (korruptim vullneti politik, mos zbatim i rregullave të bashkëpunimit) do të arrihet edhe efekti i dëshiruar në luftën ndaj evazionit.