Dyshimi se anëtari i KLP-së Bujar Sheshi ka qenë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit përplas institucionet. Reagon Sheshi: “Nuk kam qenë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit, pas kësaj fshihen njerëz të rëndësishëm të politikës”. Anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë padit në prokurori Autoritetin e Dosjeve për falsifikim të dokumenteve
Në momentin e krijimit të KLP-së, entuziazmi ndërkombëtar dhe një pjesë e politikës në vend reaguan me “shpresë” se tashmë kishte nisur një erë tjetër në sistemin e drejtësisë së re, por shpejt kanë nisur problemet serioze. Anëtari i KLP-së Bujar Sheshi, rezultoi sipas Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH), si ish-bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. Për këtë çështje reagoi dje edhe Prokuroria e Përgjithshme me një qëndrim zyrtar. Prokuroria pranon se në situatën e krijuar janë hapur hetimet si për shkak të vonesës në kthimin e përgjigjes nga AIDSSH, ashtu edhe ndaj Sheshit për formularin e vetëdeklarimit të Sheshit, ndërsa këmbëngul se Sheshi i plotësonte kriteret ligjore për të qenë anëtar i KLP-së. “Në rastin e kandidatit për KLP, prokurorit Bujar Sheshi, Prokurori i Përgjithshëm, i ka kërkuar Komisionit verifikimin e të gjitha kushteve ligjore parashikuar në nenin 108 të Ligjit nr. 115/2016, dhe, njëkohësisht i ka dërguar për verifikim AIDSSH, formularin përkatës të plotësuar dhe nënshkruar prej kandidatit në respektim të nenit 29 të Ligjit 45/ 2015”, thuhet në reagim. Sipas institucionit qendror të akuzës, “prokurori Bujar Sheshi plotësonte kushtet dhe kriteret ligjore për të qenë kandidat i KLP, në kushtet kur verifikimi në AIDSSH nuk ishte një prej kritereve të parashikuara në ligj, brenda afateve ligjore të detyrueshme, Prokurori i Përgjithshëm ka vijuar me procedurën për organizimin e Mbledhjes së Përgjithshme si hapi përfundimtar për ngritjen e KLP-së”, deklaron prokuroria. Për këtë çështje, që vë në pikëpyetje të madhe integritetin profesional dhe moral të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, po krijohen edhe përplasje institucionale. Nga njëra anë është Prokuroria e Përgjithshme që këmbëngul se ka zbatuar ligjin dhe në anën tjetër AIDSSH që shprehet se është dashur kohë për të verifikuar kandidaturën e Sheshit, për shkak të dokumentacionit të komplikuar. Vetë personazhi që ka trazuar gjithë sistemin e ri të drejtësi, Bujar Sheshi, u shpreh se nuk ka qenë kurrë bashkëpunëtor i sigurimit të Shtetit, ndërsa këtë “sulm” e konsideron si përpjekje politike për të anatemuar institucionet e drejtësisë. Madje të martën ai deklaroi se ka paditur në prokurori Autoritetin e Dosjeve për falsifikim të dokumenteve.
Prokurori vs AIDSSH…
Është vetëm një emër që po trazon gjithë sistemin e drejtësisë dhe në raste të tilla institucionet përgjegjëse nisin akuza për “fajin” se përse nuk u zbulua më parë. Prokurorja e Përgjithshme argumenton në reagimin e saj se i ka drejtuar kërkesën Autoritetit të Informimit mbi Dosjet e Sigurimit të Shtetit që në tetor të vitit të kaluar. Në mungesë të një përgjigjeje më të shpejtë, prokurorja gjykoi se Bujar Sheshi i plotësonte “kriteret” për të qenë anëtar i KLP-së. Ndërsa në ligjin për institucionet e reja të drejtësisë në pikën 2 thuhet: “Kandidati të mos kenë qenë anëtarë, bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit para 2 korrikut 1991”. Pavarësisht se mungonte një përgjigje në kohë nga Autoriteti për Hapjen e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, Prokuroria e Përgjithshme e kaloi kandidaturën e Sheshit dhe më pas ky i fundit arriti të bëhet pjesë e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Po në vazhdën e reagimeve, mbajti qëndrim edhe Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit. Në deklaratën e publikuar në faqen zyrtare Autoriteti i Dosjeve thuhet se: “Nga administrimi i dokumentacionit që disponojmë dhe nga verifikimet e kryera në fondet arkivore të cilat përmbajnë dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit, të cilat ruhen në godina të ndryshme, shumë larg nga zyrat aktuale të AIDSSH, u ndeshëm me ekzistencën e dokumenteve kontradiktore për sa iu takon të dhënave për shtetasin Bujar Sheshi, si dhe me faktin e njohjes me dokumentin e tërheqjes në bashkëpunim të shtetasit Bujar Sheshi në moshë të mitur (nën 18 vjeç). Në këtë kontekst, u zhvillua dhe procesi i riverifikimit, përmes Drejtorisë së Gjendjes Civile, të gjenealiteteve të shtetasit Bujar Sheshi (kontradiktore me të dhënat e shënuara në Formularin e Aplikimit nga vetë z. Sheshi)”, thekson Autoriteti i Dosjeve. Për shkak të volumit të dokumentacioneve dhe për specifikën e punës që kërkohet në zbulimin e emrave të bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit të Shtetit, koha prej tre muajsh në hulumtimin e plotë për Sheshin është konsideruar e nevojshme. Pas përplasjeve institucionale në “lojë” është përfshirë edhe Komisioni i Pavarur i Reformës në Drejtësi, e cila kërkoi që Parlamenti të thërrasë në seancë dhe t’i kërkojë shpjegime kreut të Autoritetit të Dosjeve, për vonesën lidhur me shqyrtimin e rastit të Bujar Sheshit, i emëruar në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, por që rezultoi më pas me probleme në të shkuarën, si bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. Po ashtu, organi i lartë i Drejtësisë, i kërkon Prokurorisë që të marrë masa pas rastit të krijuar. Dhe gjithashtu, kërkon të dijë nga Arta Marku, se cilat janë veprimet e saj, pasi është vënë në dijeni nga Autoriteti i Dosjeve për rastin Sheshi.
Sheshi: Nuk jam sigurims. Ambasada e SHBA, thirrje prokurorëve…
Gjatë mbledhjes së KLP, anëtari i anatemuar tashmë Bujar Sheshi, tha se nuk ka qenë asnjëherë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit dhe akuzat i cilësoi si skenar mafioz me prapavijë politike. “Deklaroj se nuk kam qenë asnjëherë bashkëpunëtor i fshehtë i Sigurimit të Shtetit. Objektivi i këtij sulmi, më i ulët se kaq. Synohet të goditet procesi i Reformës në Drejtësi. Fakti që kanë arritur të manipulojnë deri në institucione shtetërore, më krijon bindjen që pas tij fshihen njerëz të rëndësishëm të politikës”, tha Sheshi. Ai e çoi më tej dyshimin, duke e konsideruar si një rast që duhet parë edhe më “thellë” për shkak të situatës së krijuar. “Në rastin tim nuk synohet vetëm goditja ndaj meje për çështjet që kam hetuar, por synohet goditja si institucion i KLP, pasi kemi ardhur në një moment për krijimin e SPAK. Pas këtij veprimi fshihen segmente të caktuara, jo vetëm në njërin krah, por persona me pushtet”-shtoi anëtari i KLP-së. Jo rastësisht, dje pati deklaratë edhe nga Ambasada e SHBA që ndonëse nuk është ndaluar në rastin konkret, ku një anëtar i KLP-së dyshohet si ish-bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, iu ka bërë thirrje prokurorëve të ndershëm që të bëhen pjesë e SPAK (Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion). “Shqipëria po krijon një sistem të ri drejtësie, bazuar te pavarësia, profesionalizmi dhe integriteti. Prokurorët të cilët mishërojnë këto ideale i përgjigjen një thirrjeje për shërbim publik që është më e lartë sesa thjesht një vend pune. Ne iu bëjmë thirrje këtyre njerëzve me kurajë që të bëhen pjesë e të ardhmes së Shqipërisë duke aplikuar për të qenë anëtarë të SPAK”, thuhet në apelin e ambasadës amerikane në Tiranë, bërë përmes një statusi në Facebook. Deri më tani, tre prokurorë kanë aplikuar për të qenë pjesë e SPAK, Anton Martini, Besnik Muçi dhe Klodian Braho, ndërsa kërkohen 15 prokurorë për strukturën e re.