Përplasjet për Teatrin Kombëtar kanë hyrë në një fazë të re. Gazeta e njohur gjermane, “Frankfurter Allgemeine” shkruan se protesta për teatrin vjen pas protestave studentore dhe atyre opozitare. A shkon kjo kauzë përtej mbrojtjes së një godine? Cilët janë skenarët që na presin? Flasin Robert Budina, Neritan Liçaj, Laert Vasili, Romir Zalla dhe Grida Duma
Nga Alessia Selimi
Në mars të këtij viti, gazetari i Deutsche Welle, John Laurenson vizitoi Tiranën me qëllim përgatitjen e një reportazhi për rezistencën e artistëve ndaj shembjes së Teatrit Kombëtar. Ishte mbushur viti dhe artistët vazhdonin të protestonin çdo natë. Në reportazh thuhej se askush nuk e di me saktësi kur do të nisë shkatërrimi, por theksohej se protestuesit janë të vendosur ta mbrojnë me trupat e tyre godinën e vjetër, për të cilën organizata europiane e trashëgimisë, Europa Nostra, thotë se nuk duhet shembur.
I habitur se si një artist i kthyer në kryeministër mund të ndërmarrë një veprim të tillë, gazetari ngrinte pyetjen nëse skandali i Teatrit Kombëtar do e rrëzonte Edi Ramën. Muajt kaluan, vendi mbajti një palë votime dhe situata është aty ku ishte. Pyetja e gazetarit gjerman duket normale në Gjermani, por krejt naive në Shqipëri, në një vend ku nuk mbahen as zgjedhje të rregulta. Si mund të rrëzohet nga teatri një kryeministër që nuk rrëzohet nga zgjedhjet?
E megjithatë, të mërkurën u shënuan zhvillime të reja. Teatri u rrethua dhe aktivistët e vendosur për mbrojtjen e godinës u përplasën me forcat e rendit. Ngjarjet dramatike u përshkallëzuan deri në mbrëmje, kur policia u tërhoq dhe situata u qetësua disi, por pa u zgjidhur përfundimisht.
***
“Jo çdo gjë e vjetër duhet ruajtur”- tha kryeministri shqiptar, Edi Rama për Deutsche Welle-n. “Nuk mund të mbajmë një varr të historisë në mes të qytetit”-tha Rama, duke premtuar një godinë të re dhe moderne për teatrin. Mbështetësit e tij besojnë se partneriteti që kanë zbuluar me privatin mund të sjellë mrekulli. Fjala bie, rasti i Stadiumit Kombëtar është një tregues. Privati merr diçka, publiku merr diçka tjetër në këmbim. Të gjithë fitojnë, qyteti zhvillohet dhe ec përpara.
Por a është kaq e thjeshtë kjo histori? Në pamje të parë mund të duket kështu. Megjithatë aktivistët thonë se nuk janë kurrsesi kundër një teatri të ri, por ka disa gjëra që duhet të merren parasysh. E para, kjo nuk është një histori e thjeshtë për shkak se godina është një pjesë e trashëgimisë kulturore dhe historike të kryeqytetit. Përpjekja për ta nxjerrë nga lista e mbrojtur dhe për ta diskredituar ka për qëllim të maskojë një histori interesash financiarë. E dyta, kjo mbetet një grabitje e pastër e publikes, për shkak se trualli do të merret për të ndërtuar një seri qiellgërvishtësish në një zonë shumë të lakmuar të Tiranës.
***
Askush nuk di ta thotë me saktësi se si do të rrjedhin ngjarjet. Një deklaratë e kreut të OSBE se çështja duhet të shtyhet derisa të shprehet Gjykata Kushtetuese, ka hapur një dritare shprese për mbrojtësit e godinës. Kjo ishte e para herë që një ndërkombëtar shprehej hapur për një kauzë të tillë të rëndësishme. Por teksa qeveria nuk ka lënë të kuptohet se ka ndërmend të zmbrapset nga iniciativa për të shkatërruar godinën dhe për të hapur rrugën për një projekt që nga disa përllogaritje amatore që bëhen online, i kapërcen 240 milionë eurot, aktivistët thonë se nuk u intereson më ajo që bën qeveria.
“Kujt i plas çfarë ka ndarë Rama? Pyetja është çfarë kemi ndarë ne. Nuk varet nga Rama kjo punë, po nga vendosmëria jonë. Nëse ne të gjithë jemi atje në shesh, Rama do të thyejë turinjtë e vet dhe, nëse e ka ndarë mendjen, aq më keq për të”, thotë aktivisti Ergys Mërtiri.
Një zgjidhje e propozuar nga protestuesit është referendumi, pikërisht për të ndarë nëse shumica, siç pretendon kryeministri shqiptar, qëndron pro idesë së shembjes së ndërtesës së vjetër dhe ndërtimit të teatrit të ri modern.
Nga ana tjetër, demokratët e angazhuar vazhdimisht pro kauzës për mbrojtjen e teatrit, e çuan më tej nismën e tyre. Kryetari Lulzim Basha nënshkroi me artistët e rezistencës një pakt besimi, një dokument i rrallë në historinë politike shqiptare, që e angazhon PD-në jo vetëm për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar kur të vijë në pushtet, por edhe me një seri hapash në mbrojtje të demokracisë në vend.
Në pritje të zhvillimeve të tjera, ajo që pranojnë shumica e njerëzve është se tashmë nuk bëhet fjalë vetëm për një godinë, por për vetë demokracinë. Jo më kot edhe gazeta gjermane, Frankfurter Allgemeiner e rreshton rezistencën për teatrin në vijim të protestave studentore dhe protestave të opozitës.
Këtë e pranon tërthorazi edhe kryeministri kur flet për sundim të shumicës, por edhe të gjithë protestuesit që duan për herë të parë të shohin se çfarë mendojnë qytetarët. Sigurisht kur të jenë të lirë për të menduar dhe vendosur.
Regjisori Robert Budina: Marrëveshja me opozitën zgjon ndërgjegjen qytetare
Ndonëse është bërë një vit e gjysmë që protestohet për projektin që thuhet se do të marrë jetë, ju i mbeteni besnik pankartës “Unë jam Teatri”. Mëngjesin e së mërkurës ju u goditët me grusht nga një polic privat, e megjithatë, ja ku jeni, sërish përpara Teatrit Kombëtar. Si mund ta përkufizoni këtë betejë jetëgjatë?
Betejë për liri. Betejë për demokraci. Çështja e Teatrit ka zbërthyer si kurrë më parë centralizimin që i është bërë gjithçkaje në këtë vend. Fare thjesht, më lejoni t’ua zbërthej zinxhirin që paraqitet plotësisht kundër demokracisë. Qeveria nuk e ka financuar asnjëherë artin në vend. Ndërsa sot, varfërinë e artistëve po e përdor si pretekst të volitshëm që teatrin t’ia japin privatit. Po mirë, privati nuk do të marrë “pakëz” truall? Në të vërtetë, nëse diçka e tillë ndodh, do t’i falim shumë më tepër se teatrin, do t’i falim mundësinë për të mbjellë para të pista. Dhe me to, do t’i falim gjithashtu dorën për të ushtruar dhunë. Etjen e thekshme për këtë të fundit e demonstroi të mërkurën, kur më grisën rrobat… Ajo që i bashkon njerëzit përpara godinës së Teatrit Kombëtar është arti, që identifikohet nga hera si dritë mbi skëterrën shpirtërore. Dhe për këtë dritë, unë personalisht jam i gatshëm t’i futem në zyrë kryeministrit tonë të nderuar dhe t’i gjuaj në shpullë. Për kulturën e vendit tim, s’ka çfarë të më thotë njeri.
Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha nënshkroi mëngjesin e së mërkurës marrëveshjen me artistët, se sapo të jetë në mazhorancë do të anulojë ligjin që parashikon prishjen e Teatrit Kombëtar. Gjithashtu, PD-ja mori përsipër që Teatrin Kombëtar ta shpallë monument kulture, duke e ndalur përgjithmonë prishjen e tij, për t’i hapur rrugë vetëm restaurimit. Çfarë mendoni për këtë pakt me opozitën?
Për mua është një kontratë simbolike. Përse e them këtë? Sepse e shoh si një mjet që mund të ngacmojë potencialisht ndjeshmërinë e popullit për të rritur presionin ndaj qeverisjes së papërgjegjshme. Pra, jo vetëm Robert Budina bën presion. Nuk bëhet fjalë vetëm për presion ndaj qeverisjes aktuale, por edhe përkundrejt Partisë Demokratike. Politika nuk duhet të na ikë në drejtim të paditur, jo më!
Ju kërkuat ditën e martë mbështetje politike, institucionale, morale dhe njerëzore në mbarë hapësirën europiane, që projekti i qeverisë të ndalet një orë e më parë. Mendoni se do ta gjeni një mbështetje të qenësishme?
Hmm..deri më tani e kemi marrë një çerek mbështetje. OSBE është shprehur se pa një vendim nga Gjykata Kushtetuese, nuk mund të ndërmerret asnjë hap për prishjen e godinës së Teatrit Kombëtar. Pra, ne do të vijojmë të qëndrojmë stoikë në qëndrimin tonë, nuk do t’i shesim shpirtin djallit.
Një përplasje finale, si dhe kur e shihni?
Fitorja jonë nuk është konceptuar kurrë me një përplasje finale. Gjithçka ka qenë në vazhdimësi, sepse demokracia fitohet përditë. Është si puna e ujit që gërryen shkëmbin. Edhe ne, nuk do ta prodhojmë një përplasje finale. Do ta gërryejmë qeverisjen aktuale pak e nga pak, që t’i fashitet fuqia. Nëse ne ikim nga këtu, ata vijnë dhe e shembin fare thjesht godinën e teatrit. Por nëse ne nuk ikim, si do të vijnë ata, si do të ketë një përplasje finale? Nëse këtu ka njerëz që nuk e ulin vigjilencën, nëse ne do të vendosim shfaqje që do të administrohen po nga ne, si do të na sulmojnë? Pra, ata do të kërkojnë pashmangshmërisht një zgjidhje politike… mund të kërkojnë të flasin. Nëse nuk arrihet një marrëveshje që të gjitha palët të binden…Po le që ç’të bindesh, nuk bie Teatri Kombëtar. Duhet të heqë dorë, përndryshe do të shndërrohet në kryeministrin më famëkeq në botë.
Aktori Neritan Liçaj: Diktatura rrugaçërore duhet të marrë fund
Ndonëse është bërë një vit e gjysmë që protestohet për projektin që thuhet se do të marrë jetë, ju i mbeteni besnik pankartës “Unë jam Teatri”. U fotografuat mëngjesin e së mërkurës i vetëm përballë një turme të madhe policësh. E më tej, qarkulloi në rrjet edhe një video ku shiheshit në lot. Ndonëse imazhet flasin më shumë se mijëra fjalë, si mund ta përkufizoni këtë betejë tuajën jetëgjatë?
Tani ka tejkaluar edhe beteja për artin, artistin dhe pronën publike. Është kthyer në një betejë për demokraci dhe rezistencë. Nëse teatri bie, futemi në diktaturë. Teatri është vatra e fjalës, ka lindur si nevojë e brendshme e njeriut për të thënë gjëra të vërteta, e tillë ka qenë ndër shekuj. Kjo diktaturë, e cila s’më duket veçse rrugaçërore, po shkatërron të ardhmen e fëmijëve tanë. Unë nuk po flas me ju si një aktor, por si një prind. Nuk dua që fëmijët e mi të rriten nën tutelën diktatoriale. Jetojmë në një vend kaq të bukur dhe sërish, i ndiejmë nën lëkurë flakët e ferrit.
Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha nënshkroi mëngjesin e së mërkurës marrëveshjen me artistët, se sapo të jetë në mazhorancë do të anulojë ligjin që parashikon prishjen e Teatrit Kombëtar. Gjithashtu, PD-ja mori përsipër që Teatrin Kombëtar ta shpallë monument kulture, duke e ndalur përgjithmonë prishjen e tij, për t’i hapur rrugë vetëm restaurimit. Çfarë mendoni për këtë pakt me opozitën?
Unë besoj fort në marrëveshjen që artistët kanë nënshkruar me Partinë Demokratike. E megjithatë, nuk mund ta përjashtoj mundësinë se opozita mund të ndryshojë qëndrim. Nëse nuk u mbahet pikave të parashtruara në kartë, ne do të na ketë prapë në shesh. Ky është një qëndrim që po mundohemi t’ia kultivojmë edhe qytetarit të thjeshtë. Ata duhet t’i kursejnë duartrokitjet ndaj çdo lloj lideri. Fundja, çfarë është në fund të ditës një deputet, ministër apo kryeministër? Shërbëtor!
Ju kërkuat ditën e martë mbështetje politike, institucionale, morale dhe njerëzore në mbarë hapësirën europiane, që projekti i qeverisë të ndalet një orë e më parë. Mendoni se do ta gjeni një mbështetje të qenësishme?
Ne tashmë jemi shumë më tepër, si dhe shumë më të fortë. Opinioni publik na mbështet si kurrë më parë. I kemi vendosur në lëvizje të gjithë organizmat… Kultura dhe e drejta për të jetuar në një vend demokratik, nuk mund të mos mbështetet nga hapësira europiane. Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së e tregoi haptazi qëndrimin kundër qasjes që po ndjek qeveria. Dhe kjo besoj se vlen shumë në një moment të tillë, kur godina po shihet si sfiduese e një fati mizor të paracaktuar.
Një përplasje finale, si dhe kur e shihni?
Jemi të rrezikuar çdo sekondë, kjo gjë është tashmë e ditur. Po i vijnë rrotull godinës së Teatrit Kombëtar. Nëse nuk humbasim vigjilencën, unë them se do të fitojmë ne. Por edhe nëse do të arrijmë në atë pikë që të shohim përpara syve tanë rrënojat, këto të fundit do të shndërrohen për kryeministrin Rama në një varr të mirëfilltë.
Ish-deputetja Grida Duma: Beteja, e fituar vetëm me qytetarët
Partia Demokratike është rreshtuar që nga hera në krah të artistëve që protestojnë për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar. Ju si një ish-deputete e kësaj force politike, si mund ta përkufizoni këtë betejë të zgjatur prej një viti e gjysmë?
Jemi në kushtrimin e një pushteti jo autokratik, por diktatorial. Padyshim që ne e dimë shumë mirë që kur ka një aferë ekonomike gjigante, siç është kjo e 200 milionëve, Rama nuk ka ditur të ndalet. Ai ka përdorur të gjitha mjetet antihumane, antiligjore, antihistorike, antikulturore dhe antishpirtërore. Këtë betejë nuk kam se si mos ta përkufizoj si qëndresë dhe rezistencë, pikërisht ndaj pushtetit diktatorial.
Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha nënshkroi mëngjesin e së mërkurës marrëveshjen me artistët, se sapo të jetë në mazhorancë do të anulojë ligjin që parashikon prishjen e Teatrit Kombëtar. Gjithashtu, PD-ja mori përsipër që Teatrin Kombëtar ta shpallë monument kulture, duke e ndalur përgjithmonë prishjen e tij, për t’i hapur rrugë vetëm restaurimit. Çfarë mendoni për këtë pakt me artistët?
Padyshim që kishte ardhur momenti që Partia Demokratike të vendosej në pozita kontraktualiteti me të gjitha grupet përfaqësuese të shoqërisë. Çdo qytetar duhet të dijë se çfarë do ta presë në të ardhmen, nëse do të qeverisë Partia Demokratike. Marrëveshja e saj me aktorët e teatrit, padyshim momenti më absolut për kontratën e qartë dhe transparante me qytetarin shqiptar.
Një përplasje finale, si dhe kur e shihni?
Artistët e Teatrit Kombëtar janë mbështetur dhe do të vijojnë të gjejnë mbështetje te Partia Demokratike. Megjithatë, kjo nuk mjafton. Tentativat e Ramës me arrestime, burgosje tek ‘Astiri’, që s’janë veçse sinjale përkundrejt aktivistëve qendrestarë, mund të ndalen vetëm me një masivitet të madh njerëzish. Që të mbërrijmë në një përplasje finale, ku qeveria të heqë dorë nga projekti korruptiv, shoh si kusht kryesor mobilizimin e qytetarëve. Në fund të ditës, beteja bëhet për ta, që të mos mbeten pa gojë, sy, tru, e mbi të gjitha, pa zemër.
Aktori Laert Vasili: Marrëveshja për Teatrin, si Mërgata e Qyqeve
Është bërë një vit e gjysmë që protestohet përpara godinës së Teatrit Kombëtar, për projektin që thuhet se do të marrë jetë. Mëngjesin e së mërkurës, pati përplasje midis forcave policore dhe aktivistëve. Si mund ta përkufizoni ju këtë betejë jetëgjatë?
Unë e konsideroj protestën kundër ndërtimit të Teatrit të ri Kombëtar, politike. Disa kolegë janë shprehur se do ta mbrojnë teatrin me trupin e tyre. Kjo është kaq patetike. Në të vërtetë, qëndrimi i aktivistëve është një formë ‘shpëtimi’ për Partinë Demokratike, pasi ka mbetur pa kauzë. Bota nuk ngjall monumente kulture që janë kancerogjene. Aktorët që kanë lënë eshtrat në Teatrin Kombëtar, janë ankuar se ai material nëpërmjet nxehtësisë së prozhektorëve nxjerr substancë helmuese. Këtë qëndrim absurd nuk mund ta cilësoj betejë, pasi kjo e fundit ndërmerret me qëllimin për të fituar. Kjo është një nismë për të vrarë teatrin. Askush nuk mund të dalë i fituar nga ky qëndrim absurd…
Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha nënshkroi mëngjesin e së mërkurës marrëveshjen me artistët, se sapo të jetë në mazhorancë do të anulojë ligjin që parashikon prishjen e Teatrit Kombëtar. Gjithashtu, PD-ja mori përsipër që Teatrin Kombëtar ta shpallë monument kulture, duke e ndalur përgjithmonë prishjen e tij, për t’i hapur rrugë vetëm restaurimit. Çfarë mendoni për këtë pakt me opozitën?
Marrëveshja e firmosur mes Partisë Demokratike dhe Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar është propagandë. Në fakt bëhet fjalë për një marrëveshje në formë premtimesh elektorale. Ata që e vunë firmën janë anëtarë të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike. Një sasi e tillë njerëzish nuk mund të marrë peng teatrin. E di si më ngjau? Si Mërgata e Qyqeve. Nëse duan të kthejnë kohën e mërgatave të qyqeve me qeveri imagjinare le të luajnë komedi në skenë siç kanë bërë edhe me çadrën.
Aktivistët kërkuan ditën e martë mbështetje politike, institucionale, morale dhe njerëzore në mbarë hapësirën europiane, që projekti i qeverisë të ndalet një orë e më parë. Mendoni se do ta gjejnë një mbështetje të qenësishme?
Unë dua të them këtë: artistët kanë zgjedhur të mos jenë pjesë e diskutimeve publike që janë bërë për ligjin për Teatrin Kombëtar. Ka një VKM, e cila është miratuar. Nëse zotërinjtë në fjalë do të dëshironin të vinin në tryezat e rrumbullakëta ku janë pyetur komuniteti i artistëve, ata do të ishin aty. Më pyesni për mbështetje të qenësishme kur në të vërtetë ata nuk duan asgjë, veçse të duartrokasin qeverinë imagjinare të Bashës. Artistët i sabotuan mbledhjet e organizuara nga Ministria e Kulturës, bashkia dhe grupet e interesit. Le të mos shkojmë kaq larg…
Një përplasje finale, si dhe kur e shihni?
Definitivisht me një Teatër të ri Kombëtar. Protestës politike dhe propagandistike do t’i vijë shumë shpejt fundi. Do e lëmë pas shpine këtë absurditet. Teatri i ri Kombëtar nuk do ta humbasë traditën. Çka do thotë se kultura teatrale do të trashëgohet edhe te brezat e mëtejshëm. Do të ketë brenda një muzeale ku do të nderohen të gjithë ata të cilët kanë kontribuar. Përse jam kaq i bindur? Sepse edhe ditën e marrëveshjes mes Partisë Demokratike dhe Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, qytetarët e vërtetë rrinin jashtë, të veçuar.
Aktori Romir Zalla: Përplasja finale, ligjore. Nëse shkon drejt luftës, luftë le të ketë
Është bërë një vit e gjysmë që protestohet përpara godinës së Teatrit Kombëtar, për projektin që thuhet se do të marrë jetë. Mëngjesin e së mërkurës, pati përplasje midis forcave policore dhe aktivistëve. Si mund ta përkufizoni ju këtë betejë jetëgjatë?
Preferoj ta quaj qëndresë, megjithëse nëse kjo punë do të shkojë drejt luftës, luftë do të ketë. Është rezistencë qytetare mbi një vit e gjysmë ndaj padrejtësisë, paligjshmërisë, korrupsionit, vjedhjes dhe propagandës. Qëndresë e nisur nga artistët, të cilëve u janë bashkuar edhe aktivistë, intelektualë, studentë, gazetarë dhe qytetarë.
Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha nënshkroi mëngjesin e së mërkurës marrëveshjen me artistët, se sapo të jetë në mazhorancë do të anulojë ligjin që parashikon prishjen e Teatrit Kombëtar. Gjithashtu, PD-ja mori përsipër që Teatrin Kombëtar ta shpallë monument kulture, duke e ndalur përgjithmonë prishjen e tij, për t’i hapur rrugë vetëm restaurimit. Çfarë mendoni për këtë pakt me opozitën?
Ajo “kontratë” është firmosur si një akt publik, ku politika zotohet se nuk do të bëjë si t’i dojë qejfi me Teatrin dhe në dëm të tij. Personalisht nuk besoj te premtimet politike në përgjithësi. Nesër, edhe politikës së krahut tjetër “do t’ia fus gishtin në sy” nëse tallet me teatrin. Një gjë është e sigurt: Qëndresa jonë besoj se i ka bërë politikanët e të gjithë krahëve që të kuptojnë se ka ikur koha kur mund të bësh gallatë me teatrin dhe popullin në përgjithësi.
Një përplasje finale, si dhe kur e shihni?
Unë besoj se me një ligj të paligjshëm të kthyer dy herë dhe të ankimuar në Kushtetuese nga Presidenti i Republikës, të kundërshtuar nga ndërkombëtarët, dhe që në fund të fundit ka skaduar që në dhjetor të vitit 2018, me projekte plagjiaturë, të kundërshtuara dhe të pezulluara, me konkurse të hapura me urgjencë dhe konflikte interesi midis firmave private, publikes, bashkisë që nuk ka tagër fare dhe mungesës totale të shkresave dhe vendimeve zyrtare të firmosura dhe vulosura në bazë të ligjit dhe Kushtetutës, përplasja finale do të jetë ligjore. Tregimet e forcës, sikurse ndodhi mëngjesin e së mërkurës, nuk bëjnë gjë tjetër veçse tregojnë se sa të dëshpëruar, frikësuar, të nxituar janë dhe se sa e paligjshme dhe e padrejtë është kjo çështje. Kush ka sy dhe veshë duhet ta ketë kuptuar tashmë këtë. Neve na ka mbetur veç fjala dhe mbështetja e qytetarëve dhe ndërkombëtarëve. Koha do ta tregojë kush ka të drejtë.