Presidenti i SHBA Joe Biden tha të hënën se ai do të përdorte forcën për të mbrojtur Tajvanin, nëse ai sulmohej nga Kina, duke sinjalizuar kështu një ndryshim në politikën e jashtme të Uashingtonit kundrejt Azisë Lindore.
Biden i bëri komentet gjatë vizitës në Japoni, e para vizitë pas marrjes së detyrës vitin e kaluar. Duke iu përgjigjur pyetjeve të një gazetari për Tajvanin, në një konferencë për shtyp me kryeministrin japonez Fumio Kishida, Biden tha se mbrojtja e Tajvanit ishte një “angazhim”.
Ai tha se ndërsa SHBA pajtohet me “politikën e një Kine”, që thotë se ekziston një Kinë e vetme, por nuk e përcakton atë, ideja se “Tajvani mund të merret me forcë” nuk është “e pranueshme”.
Menjëherë pas komenteve të Bidenit të hënën, një zyrtar i paidentifikuar i Shtëpisë së Bardhë u tha gazetarëve se “nuk ka ndryshim në politikën e SHBA ndaj Tajvanit”, sipas Reuters.
Matthew Kroenig, zëvendësdrejtor i Qendrës Scowcroft për Strategjinë dhe Sigurinë e Këshillit Atlantik, tha se ndërsa është e diskutueshme, nëse Biden foli gabim apo jo, vërejtjet e presidentit qartësojnë të menduarit e tij për Tajvanin.
“Disa thonë se është një fushatë jo qartësisht e koordinuar. Të tjerë thonë se Biden është i moshuar dhe ka folur gabimisht. Unë do të argumentoja se në këtë pikë arsyeja nuk ka shumë rëndësi”, tha Kroenig për Al Jazeera. “Në rast lufte, do të jetë gjithmonë në dorën e presidentit të vendosë nëse do të ndërhyjë apo jo, pavarësisht nga politika formale. Tani kemi një dritare të qartë se cili do të ishte vendimi i Bidenit.”
Kroenig dhe komentues të tjerë thonë se SHBA-të duket se është larguar nga paqartësia strategjike në favor të “qartësisë strategjike” për disa kohë.
Paraardhësi i Bidenit, Donald Trump, nisi një luftë të gjerë tregtare kundër Kinës dhe rriti lidhjet me Taipein, kryeqytetin e Tajvanit, përmes shitjeve të armëve dhe vizitave diplomatike.
Shtetet e Bashkuara kanë premtuar prej kohësh se do të ndihmojnë Tajvanin të mbrohet sipas Aktit të Marrëdhënieve me Tajvanin e vitit 1979, por nuk kanë premtuar se do të dërgojë trupa, ose do të marrin pjesë drejtpërdrejt në çdo konflikt.
Akti thotë vetëm se “Shtetet e Bashkuara do t’i vënë në dispozicion Tajvanit artikuj të tillë mbrojtës dhe shërbime mbrojtëse në sasi të tilla që mund të jenë të nevojshme për t’i mundësuar Tajvanit të mbajë një aftësi të mjaftueshme vetëmbrojtjeje”./Liberale.al