Thellohet bilanci i viktimave nga përmbytjet masive në Gjermani, pas daljes nga shtrati të lumenjve. Reshjet e shiut dhe stuhia që goditi Europën Perëndimore kanë qenë në sasi rekord për stinën e verës, por Gjermania duket se është më e goditura nga katastrofa.
Mësohet se deri më tani kanë ndërruar jetë 80 persona, ndërkohë që 1 300 të tjerë rezultojnë të zhdukur.
Rheinland-Pfalz dhe Merzbach në Nordrhein-Westfalen janë zonat më të goditura ku mijëra banorë janë shpëtuar me helikopter pasi përmbytjet shkatërruan zonën.
Shkollat janë të mbyllura dhe lidhjet e transportit janë ndërprerë në të gjithë Gjermanisë perëndimore.
Gjendje e jashtëzakonshme është shpallur në rrethin e Schuld bei Adenau, në rajonin malor Eifel, thonë mediat gjermane. Në Ahrweiler raportohet për qindra të zhdukur, ndërsa fshati Schuld, afër Adenau, me 700 banorë është zhdukur nga harta.
Kancelarja gjermane Angela Merkel ka premtuar mbështetje të plotë për viktimat. Armin Laschet, kryeministri i Nordrhein-Westfalen, fajësoi motin ekstrem dhe ngrohjen globale, gjatë një vizite në një zonë të goditur rëndë.
“Ne do të përballemi me ngjarje të tilla pa pushim, dhe kjo do të thotë se duhet të përshpejtojmë masat e mbrojtjes së klimës … sepse ndryshimi i klimës nuk është i kufizuar në një shtet,” tha ai.
Ekspertët thonë se ndryshimi i klimës do të shkaktojë më shumë katastrofa të kësaj natyre.
E rëndë situata paraqitet edhe në Belgjikë ku raportohet se kanë humbur jetën 11 persona.
🌧 La crue de la Vesdre atteint une ampleur dramatique à Verviers dans l’est de la Belgique ce matin ! Certaines rues sont noyées sous près de 2 mètres d’eau ! (© Katia Bogaert) pic.twitter.com/yDGNgflP1y
— Météo Express (@MeteoExpress) July 15, 2021
Holanda gjithashtu është goditur keq nga stuhia e ditëve të fundit. Përmbytjet nga lumenjtë kanë dëmtuar shumë shtëpi në provincën jugore të Limburg. Përmbytje ka patur edhe në Luksemburg e Zvicër.
Si të mos mjaftojë e gjithë kjo tragjedi, meteorologët parashikojnë reshje intensive shiu edhe gjatë ditës së premte.