Pas dokumentarit që publikoi me 26 nëntor, 1 vit pas tërmetit, ku në qendër të historisë, të kohës, të hapësirës dhe kombit, ishte portreti i Edi Ramës, ndijimet, përjetimet dhe emocionet e tij, kryeministri, ca ditë më pas vendosi të bëjë një bilanc.
Siç e do zakoni në një vend normal, ku puna e një qeverie vlerësohet me çfarë ka bërë, dhe jo me se si duket figura e shefit nën prozhektorë dhe efekte.
Sa hero dhe sa kalorsiak ngjan ai.
Dhe pikërisht, tek bilanci që ai ka bërë, kuptohet arsyeja, përse e shmangte, përse e zvarriste, dhe përse në vend të këtij normaliteti, ofroi kinemanë.
Sepse, në tre bilance që ka nxjerrë deri tani, për Durrësin, Kurbinin dhe Shijakun, dominon fjala; së shpejti.
Ka aty radhë të tipit: “ndërtuar 50 banesa, nisin së shpejti edhe 380, nisin së shpejti edhe 2 mijë apartamente”.
Gjen aty: “ka përfunduar një shkollë, nisin së shpejti edhe 9 të tjera”.
Sigurisht, si një çdo komunikim tjetër, synohet të impresionohet populli me kumte të natyrës: Po punohet natë e ditë, të shtunave dhe të dielave.
Askush nuk priste që rindërtimi të përfundonte brenda vitit, asnjë mendje e shëndoshë, asnjë llogjikë që nuk ka futur lagështirë, nuk e pretendon këtë, edhe pse, Edi Rama e premtoi, dhe e theksoi me të madhe, ditët e para pas tërmetit të një vitit më parë.
Çfarë është shqetësuese, është përpjekja për të mbuluar hiç punën, pak punën, me propagandën që ofron një realitet që nuk ekziston.
Që në krye, kjo kërkonte thjesht një menaxhim serioz dhe komunikim të hapur, të vërtetë me të prekurit, me të pastrehët.
Por, nxitimi për t’i trajtuar ata si një trupë elektorale, dhe problemin e tyre si argument për votën në zgjedhjet që po vijnë, e bën qeverinë të shfaqet si gënjeshtare, që shkel fjalën e dhënë, dhe e bën shefin e saj të vijë në një material filmik si rock-star, si yll hollivudi, me shpresën se kështu do të fshihet dështimi me rindërtimin.
Kur qeveria nuk bën dot mrekulli, kur nuk bën në fakt as punën, rruga më e mirë është të jetë më së paku e drejtë dhe pa hile.
LEXO EDHE: