Sunday, March 26, 2023
  • Login
Gazeta Mapo
  • Shqipëria
    • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Ekonomi
    • Sociale
  • Opinione
    • Editorial
    • Analizë
    • Koment
    • Blog
    • Gjeopolitikë
  • Universiteti
    • Politologji
    • Jurisprudencë
    • Economi
    • Inovacion
    • Mjekësi
  • Bota
    • BE
    • Kosova
    • Maqedoni
    • Mali i Zi
    • Globi
  • Revista
    • Libri
    • Letërsi
    • ShowBiz
    • Shije
    • Sport
No Result
View All Result
Gazeta Mapo
No Result
View All Result

Bilanci i tre viteve/ Njerëzit e pushtetshëm që ranë në rrjetën se SPAK, nga prokurorë dhe gjyqtarë deri te ish-ministra dhe kryebashkiakë

A po u jep “drejtësia e re” dhe SPAK shpresë për drejtësi shqiptarëve jo të pushtetshëm?

by us er1
13/07/2022
in Aktualitet, Jurisprudencë, Kronika, Kryesore, Universiteti
0

Nga Laert MIRAKU

Termi SPAK apo epo emërtimi Prokurori e Posaçme nuk janë më të huaja për shqiptarët. Tashmë thuajse të gjithë e dinë që ka një strukturë të posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. SPAK, institucioni i “drejtësisë së re”, u ngrit me ndihmën e ndërkombëtarëve për të vënë në pranga të korruptuarit dhe për të goditur krimin e organizuar. Përgjatë tre viteve kalendarike ka pasur mbi 1400 persona qe janë proceduar ose arrestuar me urdhër të SPAK. Në media dhe në opinionin publik kanë bërë me tepër “zhurmë” arrestimet e njerëzve të pushtetshëm. Në këtë shkrim do të ndalemi te procedimet dhe arrestimet më të bujshme të SPAK të cilat janë bërë në harkun kohor të tre viteve, nga momenti i  ngritjes së institucionit të ri. Të proceduarit dhe të arrestuarit janë ndarë sipas profesioneve dhe disiplinave ku kanë krijuar pushet edhe emër, sigurisht edhe para. Në këtë shkrim është bërë dhe një krahasim i dy raporteve të SPAK për vitet 2020 dhe 2021. Këtë vit SPAK mbush 3 vite nga krijimi, punët më të zëshme të këtij institucioni janë të përmendura më poshtë, por a është kjo ajo që kanë pritur shqiptarët nga drejtësia e re?



Politikanë nën akuzë dhe të arrestuar

Arrestimi i kryetarit të Bashkisë së Lushnjes Fatos Tushe dhe 10 zyrtarëve të kësaj bashkie me urdhër të SPAK më 6 korrik të vitit 2021 u komentua shumë në media. FNSH dhe RENEA zhvilluan operacion masiv në zyrën e ndërmarrjes së pasurive në Bashkinë e Lushnjes. Fatos Tushe u akuzua nga SPAK se ka dhënë leje ndërtimi të paligjshme për subjekte dhe individë të caktuar duke shfrytëzuar pozitën e tij si kryebashkiak i Lushnjes.

Vetëm 6 ditë më pas në 12 korrik, Prokuroria Speciale godet një tjetër rast të shpërdorimit të detyrës dhe shkelje të barazisë në tendera apo ankande publike. Këtë herë është ish-kryetari i Bashkisë së Pogradecit Eduart Kapri, nënkryetari Avdulla Cano dhe zyrtarë të tjerë.

Ish-zëvendësministrja e Brendshme, Rovena Voda u arrestua më 13 Korrik nën akuzën e “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Rovena Voda u akuzua se “ka pranuar dhe ka marrë përfitime monetare dhe materiale me qëllim që të ushtronte ndikim të paligjshëm në persona të tjerë, që ushtrojnë funksione publike për të favorizuar në mënyrë të padrejtë një vajzë në mënyrë që kjo e fundit të emërohej, punonjëse në shërbimin civil në Ministrinë e Brendshme”.

Viti 2021 duket se ka qenë “i zi” për disa kryebashkiakë. Pas kallëzimit të Partisë Demokratike, më 1 nëntor, SPAK pas përfundimit të hetimeve për kryebashkiakun socialist të Mallakastrës, Qerim Ismailaj, njofton se është vërtetuar akuza ndaj tij për veprën penale “falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, ku parashikohet një dënim deri në 4 vjet burgim.


Arrestimi i ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka më 14 Dhjetor të vitit të kaluar është një nga goditjet më të mëdha që ka bërë SPAK që nga krijimi i kësaj strukture të re. Arrestimi i Lefter Kokës erdhi pas hetimeve të nisura për çështjen e inceneratorëve e cila filloi pas një kallëzimi të bërë nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Raportohet se Koka, akuzohet për shpërdorim detyre, korrupsion dhe pastrim parash. Në media është përfolur se çështja e inceneratorëve është një nga abuzimet më të mëdha me fondet publike që pas vitit 1990. Kujtojmë se Koka, ka qenë Ministër i Mjedisit nga radhët e LSI-së në vitet 2013-2017, më pas deputet i PS, 2017-2021. Ai fitoi mandatin në 25 prill 2021, por më pas hoqi dorë.

Tjetër ngjarje kur SPAK mori vëmendjen e publikut dhe të medias është kur kërkoi 12 vite burg për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Prokurorët e SPAK-ut këmbëngulën për deklarimin fajtor të Tahirit për akuza që e lidhin atë me trafikun e drogës dhe grup të strukturuar kriminal. Ndërkohë, ish-ministri Tahiri kërkoi pafajësi. Por për shkak të gjykimit të shkurtuar, SPAK ka kërkuar 8 vite burg për ish-zyrtarët. Më 4 shkurt të këtij viti Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar lë në fuqi vendimin e shkallës parë, me ndryshimin që Tahiri do ta vuante në burg dënimin me 5 vite heqje lirie. Për shkak të uljes së dënimit, Tahiri do të kalojë në burg 3 vite e 4 muaj.

Për çështjen e inceneratorëve SPAK kërkon dhe arrestimin e një deputeti te ri nga radhët e PS-së. Pasi Kuvendi “ndezi” dritën jeshile për arrestimin e deputetit, i riu Alqi Bllako nuk u gjet në banesë. Ai u vetëdorëzua në polici në orët e para të datës 1 Prill. Alqi Bllako u vendos pas hekurave për abuzim me inceneratorin e Fierit. Bllako akuzohet nga SPAK për shpërdorim detyre dhe korrupsion.

Prokurorë dhe gjyqtarë të arrestuar

Më 9 shtator të vitit 2020, SPAK kërkoi arrestimin e gjyqtares së Apelit në Korçë Mimoza Margjeka dhe avokatit Skënder Demiraj, të cilët u akuzuan për korrupsion. Sipas SPAK avokati i kanë dhënë një shumë prej 6 mijë eurosh gjyqtares Mimoza Margjeka për të nxjerrë nga burgu një shtetas. Gjyqtarja në këmbim do t’i ndryshonte masën e sigurisë nga ‘arrest me burg’ në ‘garanci pasurore’. Kujtojmë se Mimoza Margjeka është gjyqtarja që cilësoi nul zgjedhjet e 30 qershorit në Durrës.

Më 11 shkurt të vitit 2021, gjyqtarja  e Krujës, Enkelejda Hoxha është arrestuar me urdhër të SPAK, pasi akuzohet për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Hoxha, e njohur si  “gjyqtarja e lirimit të të fortëve” akuzohet për favoret që ka bërë për lirimin e Endrit Dokles e Hekuran Billës. Ky i fundit është ekzekutuar me armë zjarri.

Prokurori i Sarandë, Sali Hasa u arrestua me kërkesë të SPAK më 19 qershor të një viti më parë pasi u akuzua për korrupsion në sistemin e drejtësisë. Dosja e prokurorit Hasa në Sarandë rrjedh nga hetimi i SPAK në Gjykatën e Krujës, që “fundosi” gjyqtaren Enkeleda Hoxha.

Më 2 korrik 2021, Maksim Sota, prokuror në Prokurorinë e Vlorës është arrestohet nga oficerët e Prokurorisë Speciale dhe oficerët e Antimafias që kanë ardhur nga Italia posaçërisht për këtë operacion. SPAK ngriti akuzën e shpërdorimit të detyrës ndaj prokurorit.

Prokuroria e Posaçme ka kërkuar më 14 Dhjetor ekstradimin e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, i cili u arrestua në Romë pasi ndaj tij më parë ishte lëshuar një urdhër arresti. Llalla është një nga “peshqit e mëdhenj” që arrestohet pas hetimeve të drejtësisë së re në Shqipëri. Adriatik Llalla u dënua me dy vite burg lënë në fuqi edhe nga Apeli me akuzën e refuzimit për deklarimin, mosdeklarim dhe fshehje ose deklarimi i rremë i pasurive” i cili bëhet kështu zyrtari më i lartë shqiptar i sistemit të drejtësisë në pranga.

Më 23 Dhjetor të një viti më parë SPAK kërkoi për të dërguar për gjykim ish-kryeprokurorin e përkohshëm të Kukësit Edmond Karriqi. Ish-prokurori u vu në pranga në qendër të Kavajës, ku kishte shkuar të merrte 2 mijë euro ryshfet për lehtësimin e masës së sigurisë për një grup të rinjsh që u kapën me drogë. Ish-drejtuesi i Prokurorisë së Kukësit akuzohet për veprën penale: Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë.

Media

Politikanë të ndryshëm përgjatë dy dekadave të fundit kanë hedhur akuza ndaj mediave për gjobëvënie. Një pjesë kanë mbetur akuza politike dhe rrallë janë ngritur padi. Por as media nuk mund të mbetet jashtë akuzave dhe aferave.

Me 8 Tetor, të një viti më parë SPAK kërkoi arrestimin e ish-drejtorit të Radio-Televizionit Publik Shqiptar, Thoma Gëllçi, dhe tre punonjës të këtij institucioni. Akuza e Prokurorisë së Posaçme ishte se Gëllçi ka kryer shkelje ligjore “Shpërdorimi i detyrës”, në procedurën e prokurimit “Procedurë e hapur”, me objekt “Blerje pajisje për kanalin RTSH Agro”, me nr. REF-90011-10-16-2018, me fond limit 86. 908 550, 00 lekë”.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë kërkoi më 21 korrik 2020 sekuestrimin e 32 pasurive për shtetasin Ylli Ndroqi (alias Xhemail Pasmaçiu).

Në atë kohë SPAK njoftoi se kishte përfunduar verifikimet në lidhje me procedimin pasuror në ngarkim të shtetasit Ylli Ndroqi, pronari i televizioneve “RTV Ora” dhe “Ora News”. Kërkesa e SPAK për sekuestrim u përsërit edhe më 14 qershor 2021.  Rreth një muaj më parë, më 11 prill Ylli Ndroqi u shpall “ non grata” duke u futur në ‘listën e zezë’ për amerikanët. “Ndroqi ka shfrytëzuar mediat që dikur i ka pasur nën kontroll për të ushtruar shantazh ndaj qytetarëve shqiptarë nëpërmjet kërkesave për para dhe blerjeve të reklamave në këmbim të ndalimit të publikimit të njoftimeve negative në media”, thuhet në njoftimin e DASH.

Akuza për pronarë, drejtues dhe aktorë të tjerë të medias që janë të korruptuar ka pasur gjithmonë në media. Ende nuk ka asgjë publike nëse SPAK ka filluar hetimet për njerëz që “punojnë” në media dhe paguhen njëjtë sa presidenti i SHBA-ve.

Mjekësi

Lajmi për arrestimin e njërit prej kardiokirurgeve më të mirë siç është Edvin Prifti, i akuzuar për mitmarrje u përhap me shpejtësi në media. Mjeku u arrestua në sallën e gjyqit më 13 shkurt 2021 pasi Prokuroria e Posaçme e akuzoi për korrupsion dhe pastrim parash. Emri i tij doli nga përgjimet që po kryheshin në Gjykatën e Krujës për gjyqtaren Enkelejda Hoxha. Kontrollet në banesën e mjekut zbuluan se ai kishte 250 mijë euro cash dhe 160 milionë lekë të vjetra. 50 mijë euro të tjera dhe 3 mln lekë iu gjetën në zyrë. Mjekut në banesë i është gjetur një bllok, ku shkruante emrat e pacientëve dhe paratë që kishte marrë prej tyre.

Një muaj më pas, më 9 Mars, me urdhër të SPAK u vu në pranga Niko Nika, mjek i Institutit të Higjienës i cili ishte shpallur në kërkim pak muaj më parë. Mjeku akuzohej për korrupsion, falsifikimit të dokumenteve dhe shpërdorimit të detyrës.

Më 10 tetor 2021 arrestohet Florian Marku, i cili ishte distributor i madh i ilaçeve. Ai kishte futur ilaçe kontrabandë në sasi të mëdha pa paguar asnjë taksë, pjesa dërrmuese e tyre përdoreshin për t’u mjekuar kundër COVID-19. Marku ka mashtruar në dy krahët, shtetin duke shmangur taksat dhe qytetarët me çmimet dhe cilësinë.

Në polici

Më 2 Korrik, 2021 arrestohet Festim Lelaj, ish-nënkomisar i Policisë së Fierit. I dënuar më parë për trafik nakotikësh. Këtë herë Prokuroria e Posaçme kërkoi dënimin me 17 vite burg. Ka qenë një nga efektivët e implikuar në atë që u quajt kanabizim i vendit në vitet 2016-2017. Edhe SPAK ka hasur vështirësi ne ecurinë e procesit, kjo për shkak të ndryshimit të gjyqtarëve.

Ish-shefi i Sektorit Ligjor të Burgut të Sigurisë së Lartë të Peqinit, Gani Shehu, përfundoi në pranga më 12 nëntor 2021 me urdhër të Prokurorisë së Posaçme. Shehu falsifikonte dokumente për të favorizuar deri në lirimin e një të burgosuri që kishte bërë dy vrasje.

Ish-drejtori i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela është dënuar më të njëjtën ditë me ish-ministrin Saimir Tahiri, të akuzuar nga prokuroria si bashkëpunëtorë. Të dy kanë marrë të njëjtin dënim me 3 vite e 4 muaj burg. Çela është akuzuar nga SPAK për shpërdorim detyre, trafik droge, aktivitet dhe përfshirje në grup të strukturuar kriminal, por gjykata e dënoi vetëm për shpërdorim detyre ashtu si ish-ministrin.

Operacioni me më shumë të ndaluar në radhët e efektivëve të Policisë së Shtetit, i ndërmarrë nga SPAK deri më tani është me 8 Prill të këtij viti në lidhje me korrupsionin e ushtruar në doganë. Prokuroria e Posaçme njoftoi se ishin marrë masa arresti për 32 oficerë të policisë kufitare në Drejtorinë e Policisë në Kukës të cilët akuzohen për “312 episode të veprimeve korruptive”. Mbi 50 oficerë u arrestuan në dy anët e kufirit.

Statistikat e raporteve vjetore për punën e SPAK

Puna e Prokurorisë së Posaçme nuk matet me numër padish të ngritura, por me rezultate konkrete. Sidoqoftë shifrat janë tregues i rëndësishëm të cilat raportojnë punën  konkrete të SPAK në vite të ndryshme. Deri tani kemi raportet e plota të publikuara nga vetë SPAK për dy vite 2020-2021. Në këto raporte bëhet një rezyme e punës për secilin vit dhe paraqiten me shifra konkrete rezultatet e punës së tyre.

Figura 1 TABELA PËRMBLEDHËSE E SPAK PËR VITIN 2020

Për vitin 2020 raportohet se janë 564 çështje nga të cilat 348 kanë mbetur në hetim për vitin pasardhës. Në vitin e parë të funksionimit të SPAK janë pushuar 28 çështje dhe janë pezulluar 18 prej tyre. Ndërkohë 100 çështje janë transferuar. Gjithsej, të hetuar dhe të pandehur për vitin 2020 janë 746 persona.

Për vitin 2021, Struktura e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar nuk ka prezantuar një tabelë përmbledhëse ashtu si ka paraqitur një vit më parë.

Figura 2 TABELA E SPAK PËR VITIN 2021

Për vitin 2021 në raport shkruhet se janë proceduar 675 çështje, këtu nuk duhet të harrojmë se më shumë se gjysma e këtyre çështjeve janë të mbetura nga viti 2020. Në publikimin e dy raporteve ka një mospërputhje shifrash. Raporti i vitit 2020 tregon se janë 348 çështje që kanë mbetur në hetim për vitin pasardhës. Ndërkohë raporti i vitit 2021 thekson se janë 352 procedime. Në raportin e vitit 2021 theksohet se 314 procedime janë për herë të parë ndërkohë janë rifilluar 36 procedime. Për vitin 2021 janë hetuar 519 persona. Në raport gjithashtu sqarohet se 449 procedime mbarten në hetim për vitin 2022, me 187 persona në hetim.

Loja e shifrave është shpesh e ngatërruar për shumicën e qytetarëve, por sidoqoftë ato janë objekt i matshëm për punën e kësaj strukture të re të drejtësisë. Qytetarët kërkojnë drejtësi për ata që i kanë vjedhur dhe shkatërruar për këto tre dekada tranzicion.

Politikanët përpiqen ta përdorin SPAK për sulme politike

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar gjithmonë në media se është mbështetës i reformës në drejtësi. Në Kongresin e Partisë Socialiste të mbajtur më 9 Prill të këtij viti, Rama i kërkoi që SPAK të hetojë Sali Berishën, pasi Departamenti Amerikan i Shtetit e shpalli atë non grata disa muaj më parë, ndërkohë dhe prokurorët dhe gjyqtarët që i largoi Vettingu sepse nuk justifikonin dot pasurinë e tyre.

Gjithashtu në Kongresin e PS-së, kryeministri tha: “Ne vërtet kemi bërë një reformë që të kemi një drejtësi që sheh vetëm drejt, jo që të kemi një drejtësi që ha vetëm nga njëra anë se kjo nuk quhet drejtësi, kjo quhet diçka tjetër….. dhëntë Zoti mos e lexoni si dobësi mbështetjen tonë”

Deklaratat e shefit të qeverisë nga shumë analistë të politikës u morën si kërcënim ndaj SPAK. Kërkesa e kryeministrit për të filluar hetimet ndaj liderit historik të PD-së u komentua si përpjekje për të ndikuar në drejtësinë e re.

Nga ana tjetër ish-kryeministri i vendit Sali Berisha është shprehur se kryeministri i vendit Rama e ka trajtuar në Kongresin e PS-së, SPAK-un si hanxhar të partisë. Berisha ka bërë një paralelizëm mes Kuvendit të PD-së të mbajtur më 30 prill dhe Kongresit të PS-së të mbajtur më 9 prill, dy ngjarje të zhvilluara në një hark kohor të shkurtër mes njëra-tjetrës.

“Të ia kishte shkruar presidenti i Cosa Nostras atë fjalim, nuk mund ta shkruante ndryshe, përveç kësaj çështja e dytë e Kuvendit të Cosa Nostaras ishin hanxharët, shpalli hanxharët, shpalli SPAK-un si hanxhar të partisë” deklaroi Berisha më 3 maj, pak ditë pas Kuvendit të PD-së.

Ambasadorja e ShBA-ve në Tiranë, Yuri Kim e vetmja që ka mbështetur pa asnjë rezervë punën e SPAK

Mbërritja në Tiranë e Juri Kim si ambasadore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës përkon me nisjen e punës në SPAK. Që nga nisja e punës në Tiranë, Juri Kim ka mbështetur plotësisht institucionin e drejtësisë së re. Në një nga deklarata e saj në 20 dhjetor 2021, Juri Kim ka deklaruar se SPAK është kthyer në tmerrin e kriminelëve! Ajo foli me superlative për prokurorët duke shtuar se i kanë lënë mbresa për guximin që kanë treguar për të mbrojtur drejtësinë.

Rreth një muaj më parë, më 8 prill, Juri Kim u takua me shefin e SPAK Arben Kraja për të përgëzuar në emër të publikut shqiptar, prokurorët dhe hetuesit për sjelljen e më shumë rezultateve të vërteta. “Rritja e numrit të hetimeve, vënies përpara ligjit dhe konfiskimit të aseteve etj, tregon se askush është mbi ligjin,” theksoi Juri Kim.

“Shtetet e Bashkuara do të vijojnë të mbështesin fort reformën në drejtësi përfshi punën e SPAK, për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë, vënien përpara përgjegjësisë zyrtarët e korruptuar dhe të përfshirët në krim të organizuar duke forcuar shtetin ligjor. Kjo është e nevojshme të në të afruarit me kërkesat e BE dhe nevojës së qytetarëve për drejtësi,” ishte mesazhi përmbyllës i ambasadores me shefin e SPAK. Mesazhi i amerikanëve është shumë i qartë, por pyetja në këtë rast është nëse është kuptuar nga qytetarët shqiptarë.

Pritshmëritë e shqiptarëve

Pjesa më e madhe e shqiptarëve, atyre që nuk u jepet hapësirë në media dhe rrallë ju merret mendimi janë të vetëdijshëm së në Shqipëri në këto tre dekada nuk ka pasur drejtësi. Shqiptarët i kishin humbur shpresat se drejtësinë e munguar në tre dekada do jua “dhuronin” politikanët dhe njerëzit e pushtetshëm që ua kishin vjedhur dhe kishin bërë padrejtësi. Investimi i plotë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për reformën në drejtësi zgjoi shpresën te qytetarët shqiptarë se do të kenë shtet ku do të prevalojë demokracia dhe drejtësia.

Pritshmëritë e shqiptarëve ishin shumë të mëdha nga Vettingu dhe krijimi i SPAK. Një pjesë e mirë e shqiptarëve u zhgënjyen shpejt nga “drejtësia e re” sepse nuk po përmbushte pritshmëritë e tyre. Shumica e shqiptarëve e kanë shumë të qartë se nga cilët politikanë dhe njerëz të pushtetshëm janë vjedhur dhe dhunuar. Nëse nuk shohin këta njerëz prapa hekurave e kanë në vështirë që të besojnë se po vjen era e ndryshimit.

Pjesa më e madhe e shqiptarëve që nuk përfitojnë nga qokat dhe shërbimet ndaj politikës dhe ndërkombëtarëve janë të mendimit se gjerat po ndryshojnë. Deri para pak vitesh as nuk mendohej që të shihje njerëz të pushtetshëm që do shinin qelitë e burgjeve. Në këto tre vite, që nga dita kur SPAK u themelua janë dhjetëra emra njerëzish të pushtetshëm që janë hetuar dhe dënuar me burg. Për këtë shqiptarët i janë mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ajo që i shqetëson më shumë shqiptarët e thjeshtë është nëse po dënohen vërtet aq sa duhet dhe aq sa parashikon ligji këta njerëzit e pushtetshëm të korruptuar dhe kriminelë? Ajo që vihet re është se këta të arrestuar po marrin dënimet më minimale. Ajo që po ndodh është se të pushtetshmit po shfrytëzojnë hapësirat ligjore dhe po dalin thuajse “pa u lagur”. Shumica e shqiptarëve pyesin nëse kemi vërtet prokurorë dhe gjykatës “kampion” të cilët përpiqen maksimalisht për “drejtësinë e re”, apo kemi zyrtar të lartë diplomatë të cilët përpiqen t’i kënaqin të gjithë, të pushtetshmit e korruptuar, qeverinë dhe ndërkombëtarët? Shqiptarët janë skeptikë në ardhjen e “Pranverës” sepse dyshojnë që mund të jetë e rrejshme.

Mendimet e vërteta të shqiptarëve është e vështirë që t’i matësh me sondazhe ose qoftë edhe me referendume. Tashmë shqiptarët nuk po dalin më në sheshe. Prej shumë vitesh ka filluar “revolucioni i heshtur”, emigrimi masiv. Perëndimi e kujton mirë vitin 1997 kur shqiptarët hipnin në anije sepse në vendin e tyre nuk kishte me shpresë. Kryeministri italian i kohës, Romano Prodi erdhi në vendin tonë jo për të ndryshuar gjërat me “shkop magjik”, por për të na dhënë shpresë se gjerat do të ndryshojnë për mirë. Thuajse pas çerek shekulli, shqiptarët e thjeshtë, ata që nuk përfitojnë nga lëmoshat e politikës dhe donacionet e ndërkombëtarëve janë sërish në udhëkryq; të qëndrojnë apo të largohen pa bërë zë. A po u jep “drejtësia e re” dhe SPAK shpresë për drejtësi shqiptarëve jo të pushtetshëm?

Tags: Bilanci i tre viteveLaert MirakuSPAK

JU SUGJEROJME

NGJARJA E DITËS 25 VITE MË PARË/ Të jesh fotoreporter në Shqipëri; Armando Babani, fotografi i ngjarjeve
Arkiva

NGJARJA E DITËS 25 VITE MË PARË/ Të jesh fotoreporter në Shqipëri; Armando Babani, fotografi i ngjarjeve

24/03/2023
NGJARJA E DITËS 25 VITE MË PARË/ PD ka zhvatur 1 miliard
Arkiva

NGJARJA E DITËS 25 VITE MË PARË/ PD ka zhvatur 1 miliard

24/03/2023
NGJARJA E DITËS 25 VITE MË PARË/ PR kundër demokratëve
Arkiva

NGJARJA E DITËS 25 VITE MË PARË/ PR kundër demokratëve

21/03/2023
NGJARJA E DITËS 25 VITE MË PARË/ Ambasada jugosllave i refuzon vizat Ilir Metës dhe Afrim Krasniqit
Arkiva

NGJARJA E DITËS 25 VITE MË PARË/ Ambasada jugosllave i refuzon vizat Ilir Metës dhe Afrim Krasniqit

20/03/2023
Next Post
“Më plasi bombola, jam fukareshë, nuk kam bukë”, deklarata e “milioneres” së inceneratorëve

"Më plasi bombola, jam fukareshë, nuk kam bukë", deklarata e “milioneres” së inceneratorëve

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

No Result
View All Result

     








Më Të Lexuarat

  • NGJARJA E DITËS 25 VITE MË PARË/ Të jesh fotoreporter në Shqipëri; Armando Babani, fotografi i ngjarjeve
  • NGJARJA E DITËS 25 VITE MË PARË/ PD ka zhvatur 1 miliard
  • NGJARJA E DITËS 25 VITE MË PARË/ PR kundër demokratëve
  • NGJARJA E DITËS 25 VITE MË PARË/ Ambasada jugosllave i refuzon vizat Ilir Metës dhe Afrim Krasniqit
  • Zyrtare/ Berisha dhe Meta dorëzojnë koalicionin në KQZ: Bashkë fitojmë



Editorial: [email protected]
Synimi: Ndikimi në debatin dhe veprimtarinë e aktorëve shoqëror përmes përthyerjes së ngjarjeve dhe fenomeneve me interes publik është synimi kryesor i Gazetës

Editorial: [email protected]
Synimi:
Ndikimi në debatin shoqëror dhe veprimtarinë e aktorëve shoqëror përmes përthyerjes së ngjarjeve dhe fenomeneve me interes publik është synimi kryesor i Gazetës

Marketing

Drejtor Marketingu
Ledio Trungu
Tel : +355683673191
Email : [email protected]

2022. Te gjitha te drejtat e rezervuara
Dev by Wearedope.com

No Result
View All Result
  • Shqipëria
    • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Ekonomi
    • Sociale
  • Opinione
    • Editorial
    • Analizë
    • Koment
    • Blog
    • Gjeopolitikë
  • Universiteti
    • Politologji
    • Jurisprudencë
    • Economi
    • Inovacion
    • Mjekësi
  • Bota
    • BE
    • Kosova
    • Maqedoni
    • Mali i Zi
    • Globi
  • Revista
    • Libri
    • Letërsi
    • ShowBiz
    • Shije
    • Sport

2022. Te gjitha te drejtat e rezervuara
Dev by Wearedope.com

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In