Ardi Veliu largohet nga drejtimi i policisë së shtetit ende pa mbushur afatin 100-ditor të vendosur nga kryeministri Edi Rama për ndryshimin e situatës së kriminalitetit në vend.
Ai u emërua në krye të policisë së shtetit me vendim qeverie në 5 Shkurt 2018, me propozim të ministrit të kohës Fatmir Xhafaj.
Ardi Veliu e mori detyrën si një emër që nuk kishte besimin e opozitës, ndërkohë që kritika kryesore ishte mungesa e gradës të cilën e mori vetëm pak ditë para se të emërohej Drejtor i Përgjithshëm.
Katapultimi i këtij personazhi në krye të policisë pa pasur gradën dhe meritat e duhura, u komentua në atë kohë edhe si një sponsorizim i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Kreu i policisë u lakua publikisht për ndërhyrje direkte në çështjen e audiopërgjimit të “Babales”, një skandal që shigjetonte politikisht Ministrin që kishte propozuar emërimin e Ardi Veliut dhe mazhorancën e majtë.
Pasi mori detyrën, Ardi Veliu, jo vetëm që nuk arriti të shuajë mosbesimin e opozitës, por ai e thelloi hendekun me krahun tjetër politik si pasojë e akteve të përsëritura të dhunës dhe gazit lotsjellës me shumicë të hedhur ndaj protestuesve të opozitës.
Lidershipi i Ardi Veliut në policinë e shtetit arriti kulmin negativ me vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha.
Ngjarja e rëndë në vetvete u pasua me përpjekjen e policisë për manipulimin e ngjarjes përmes përpjekjes për ta paraqitur krimin në publik si vetëmbrojtje të policit.
Zyra e shtypit e policisë së drejtuar nga ardi veliu tentoi pa rezultat ta lidhte viktimën Klodian Rasha me një armë të pa identifikuar të gjetur në anën tjetër të rrugës ku u vra i riu.
Protestat masive që kërkonin nominalisht largimin e tij nga drejtimi i Policisë së Shtetit, duke pezulluar jetën e Tiranës për disa ditë, arritën të ‘hanë kokën’ e ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, por Ardi Veliu mbeti i paprekur.
Por dhe dhuna ndaj qytetarëve u shtua. Përkundër sjelljes së policisë, në rastin e 15-vjeçarit të goditur në Liqenin Artificial, Veliu akuzoi nënën e tij duke publikuar një video ku ajo shfaqej me pistoletë. Drejtori i policisë pa dashje apo me qëllim harroi të thoshte se ajo po aktronte në xhirimin e një filmi.
Pas skandalit Veliu kërkoi falje, por vetëm kaq.
Në këtë mënyrë, kreu i policisë shënoi një rekord në llojin e tij duke i mbizotëruar shkarkimit edhe pas largimit të dy ministrave, përfshirë edhe Fatmir Xhafajn që ishte propozues i tij.
Ardi Veliu mesa duket ishte betonuar në krye të policisë, dhe besimin e ofruar e shpërbleu më së miri me këtë deklaratë kontraverse të bërë nga Elbasani pas vrasjes së Pjerin Xhuvanit, pak ditë para zgjedhjeve të 25 prillit.
“Nga këqyrja e automjetit tip ML Benz pa targa, i gjetur në vendngjarje, grupi hetimor nuk ka konstatuar sende të kundërligjshme apo të dyshuara se mund të përdoreshim për shitblerje të votës”, tha Ardi Veliu në një deklaratë për mediat.
Koha e drejtimit të policisë nga Ardi Veliu do të mbahet mend edhe si epoka në të cilën reparti special RENEA u keqpërdor duke u dërguar në aksione minore për kontroll automjetesh e kapje armësh pa leje, duke shënuar disa rezultate negative në kapjen e personazheve të rrezikshëm të krimit në Lushnje, Elbasan dhe Krujë.
Madje në Elbasan në tregun agroushqimor u përplas qëllimisht makina e policisë, ndërsa efektivët nuk reaguan. Çuditërisht ndryshuan drejtuesit por jo Veliaj.
Ardi Veliu u la jashtë çdo përgjegjësie edhe pas ‘dushit të ftohtë’ dhe termave të ashpër që përdori kryeministri Edi Rama në takim me drejtuesit e policisë së shtetit për mosveprim, korrupsion dhe degradim të shërbimeve ndaj qytetarëve.
Ardi Veliu largohet nga detyra pa e mbushur 100 ditëshin e lënë nga Rama, mesa duket për shkaqe që nuk kanë të bëjnë me bilancin dhe punën e policisë, përsa kohë që kryeministri Edi Rama shprehu vlerësim për punën e tij edhe pas dorëheqjes./ Ora News