Kryesore

Bild nuk ndalet: Dy shkrimet që tronditën Shqipërinë






               Publikuar në : 20:30 - 16/06/19 |
mapo.al

Java nis me të tjera përgjime nga gazeta më e madhe në Europë. Ndërkohë, një samit i BE nuk do i japë dritën jeshile Shqipërisë për nisjen e negociatave. Kriza pritet të thellohet në pritje të protestës opozitare


Java që i paraprin 30 qershorit pritet që të nisë menjëherë me ‘flakë’. E përditshmja më e madhe gjermane, Bild, ka paralajmëruar se do të publikojë të hënën pasdite të tjera përgjime që faktojnë manipulimet zgjedhore në Shqipëri. Gazetari Peter Tiede i gazetës më të madhe europiane i ka ftuar në shqip të gjithë që ta ndjekin portalin Bild.de për të parë të tjera ‘bomba’. Këtë herë thuhet se do jenë më shumë se përgjime. Ka spekulime se do jenë në total 16 të tilla. Jo vetëm kaq, por thuhet përgjimet do të vazhdojnë edhe të enjten.

Publikimi i këtyre informacioneve bombastike nga kjo gazetë pikërisht në këtë moment, ka ngritur shumë dyshime nëse kjo histori është më e madhe se vetëm një raportim nga gazeta Bild. Tek e fundit, Gjermania i ka bërë bllokadë Shqipërisë në rrugën e integrimit. Këtë javë, vendi ynë nuk do marrë ndonjë sinjal pozitiv nga drejtuesit e BE, që do të mblidhen në një samit duke nisur nga e marta.

“A lejohet të hyjë në BE ky vend? Shqipëria e dëshiron, Brukseli nuk ka gjë kundër- dhe Gjermania e mbështet në parim çeljen e negociatave të pranimit me shtetin ballkanik, duke i dëshmuar atij përparim të madh në demokratizim. Por në të vërtetë, vendi po zhytet në kaos, gjendet në udhëkryq: ose në rrugën drejt kushteve demokratike- ose përfundimisht si republikë e mafias.

Shqipëria- ky bastion i drogës në Europë!

Protesta masive çdo javë, policë dhe prokurorë që largohen nga vendi, një udhëheqje e korruptuar policore, pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë funksionale- Shqipëria është në një krizë të madhe, pavarësisht disa përparimeve në turizëm. Një nga arsyet, që i ka nxjerrë masat në rrugë: akuzat se qeveria e kryeministrit Edi Rama ka blerë votat në mënyrë masive- me ndihmën dhe paratë e mafias së drogës, që dominon vendin. Që kur Edi Rama mori detyrën, kultivimi i marihuanës është përhapur në të gjithë vendin- duke u bërë industria kryesore e vendit përveç trafikut të drogës. Dhe paratë e drogës po qeverisin vendin!” shkruante gazeta Bild në artikullin e fundit të 5 qershorit.

Sa të lidhura janë këto gjëra? Ende nuk mund të thuhet me saktësi, por duket se java do jetë shumë e trazuar, në pritje të ditës së premte, kur opozita pritet të dalë sërish në shesh.

Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama do të vazhdojë takimet e tij elektorale, që janë shoqëruar me protesta dhe tensione.

“Kryeministri akuzohet vazhdimisht për lidhje me drogën. Kështu, opozita e akuzon atë për blerjen e votave me paratë e drogës. Regjistrimi i një telefonate duhet ta provojë këtë. Më 11 shtator të vitit 2016, Rama i telefonoi kreut të një komisioni zgjedhor rajonal për të pyetur nëse zgjedhjet kishin shkuar ashtu siç ishte diskutuar. Përgjigjja e drejtuesit të zgjedhjeve: Po, shef, gjithçka siç e kemi diskutuar. Rasti është i njohur në Shqipëri si ‘Dosja 184’,” shkruante Peter Tiede në shkrimin e tij të parë më 15 maj, atëherë kur Bild e ndezi ndjeshëm tensionin politik në Shqipëri.

Gjermanët nuk kanë ndërmend të ndalin, ndërkohë që e gjithë situata vjen në kohën kur ka nisur të ketë zëra se kryeministri Edi Rama e ka humbur ‘mocionin e besimit’ në Berlin. Por edhe në Bruksel.

LEXO EDHE:

Shembulli i një vendi kaotik në duar gangsterësh

SHKRIMI I PLOTË I BILD: Ja si i manipulon mafia votimet në Shqipëri


Etiketa: , , , ,

Pas