Kolë Idromeno (Shkodër 15.08.1860 – 12.12.1939)
Piktor, arkitekt, urbanist, skulptor, fotograf, muzikant, skenograf. Mban titullin “Piktor i Popullit”. Piktori Kolë Idromeno është themeluesi i shkollës realiste të pikturës shqiptare të shekullit XIX – XX.
Ishte djali i një marangozi dhe projektuesi me origjinë nga Parga (Çamëri) i cili më 1856 vendoset me banim në Shkodër. Arseni (i jati) dhe Roza Saraçi (nëna) patën dy fëmijë: Kolën dhe Tonia Idromeno.
Pietro Marubi (piktor,arkitekt dhe fotograf) – një emigrant italian me banim në Shkodër, ka qënë mësuesi i parë i Idromenos. Vizatimet dhe akuarelet e para (të njohura) të Idromenos i përkasin viteve 1871-1874.
Në vitin 1875 Idromeno ishte student për gjashtë muaj në Akademinë e Arteve në Venecia, por pas shkëputjes prej saj, nuk largohet nga qyteti dhe qëndroi si ndihmës në studion e një piktori venecian për tre vjet.
Kur u kthye në Shkodër, mori pjesë në lëvizjen antiosmane për pavarësinë e Shqipërisë duke qënë në rrethin e intelektualëve të kohës (poetë e shkrimtarë). Në vitin 1883 realizoi tablonë “Motra Tone” që është dhe vepra e parë e rëndësishme realiste në pikturën shqiptare të periudhës së Rilindjes dhe Pavarësisë.
Idromeno ishte një figurë interesante dhe komplekse: i pëlqente muzika, luante në trompë në bandën muzikore të qytetit, realizonte dekoret e shfaqjeve teatrale dhe ishte për disa vjet piktori i karnavaleve (1917 – 1936).
Më 1885 hapi studion e tij fotografike në Shkodër “Dritëshkronja e Kolës”, më 1912 solli për herë të parë në Shqipëri aparatin për shfaqje filmash duke patur marrëveshje me vëllezërit francezë Lumiere.
Idromeno ishte urbanisti dhe arkitekti projektues i mbi 60 ndërtesave publike, sociale dhe vila (projektuar dhe zbatuar nga Idromeno), ndërmjet tyre mund të përmëndim, „Vila e Shirokës“ (1925–26), „Centrali elektrik“ (1928), „Banka e Shtetit“ (1930), „Kinemaja Rozafat“(1935), „Kafja e madhe“(1935) etj. Ekspozoi në Romë, Budapest, Vjenë, Bari, New Jork (gjatë viteve 1898 – 1939).
Piktori Idromeno përdori në tablotë e tij një penelatë uniformë koloristike, pa shumë kontraste, duke shpërndarë në tablo një dritë të qetë.
Idromenos i pëlqente realizmi fotografik, në tablotë e tij, përveç portreteve të familjes, gjejmë të realizuara portrete të miqve dhe shtresës së pasur të qytetit të tij të veshur me kostumet tradicionale shqiptare.
Pas tablove të para me temë fetare “Dy rrugët” (1896),
“Fluturimi i Zojës”(1890 – 96) etj. Idromeno pikturoi tema nga historia, jeta dhe zakonet tradicionale të popullit si: “Portreti i Skënderbeut”, “Dasma Shkodrane”, “Plaku i Postribës”, “Oborr shtëpie shkodrane” etj. duke hapur kështu i pari rrugën e pikturës realiste laike në Shqipëri.
Idromeno ishte piktori më i rëndësishëm i pikturës realiste shqiptare të gjysmës së pare të shekullit XX. Në Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë ndodhet dhe koleksioni më rëndësishëm i artistit ndër të cilët mund të kujtojmë: “Motra Tone” (1883(, “Pamje nga Ulqini” (1897 – 1898), “Portreti i së shoqes” (1931), “Portreti i mbesës – Orselina” (1932), “Oborr i shtëpisë shkodrane” (1933).
Në Drejtorinë e Përgjithëshme të Arkivave të Shqipërisë,, Tiranë ruhen vizatimet e tablosë “Dasma shkodrane”, koleksioni i negativave të tij si fotograf ndodhet në arkivin e Qëndrës Albanologjike, Tiranë.
Ne Fondin e Arkivit te Muzeut Historik Shkoder ruhet tabloja “Dy rruget”, 1896 Vaj ne kanavace, 200 x 170.
#kolidromeno #dyrruget #museum
Marrë nga faqja Muzeu Historik Shkodër:
https://www.facebook.com/718750628195454/posts/6562424853827973/