Kryesore

“Biri”/ ‘Flutnesha’, requiem për fëmijën dhe shokun e humbur








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 14:50 - 26/09/20 |
Nga Alessia Selimi

Flutnesha ndodhet në rënie, të lirë, të zbrazët. Nuk ka ekuilibër, busull orientimi apo të ardhme sikundër shprehet ajo; ka vetëm një libër, më të vështirin dhe të ndjerin e jetës së saj.


“Biri” trajton në përmasa të pamata dashurinë pa kompromis me kohën dhe hapësirën, përmes humbjes, dashurinë për fëmijën.


Flutura Açka nuk mban zi, ndonëse është ngjyrë mbizotëruese në atë çfarë ka veshur në promovimin e librit. Në pavijone të bardha, ku e zeza shtriu rrënjë, Jerin van den Brink i rrëfeu çka do ta mundonte përtej dyerve të jetës, larg udhëtimeve, bisedave e mbamendjeve. “Do të më vijë shumë keq mam po të të shoh me rroba të zeza nëpër rrugët e Tiranës duke qarë.


Në përpjekje për ta respektuar atë, jo vetëm si bir, lotët duket se nuk njohin komandë; burimi ndodhet tjetërkund, mes mijëra pyetjesh, buzë kujtimeve. Flutneshë! E tillë ishte shkrimtarja për të birin, kandërr magjepsëse fluturuese, njëherazi luftarake. Në hyrje të një prej bareve të kryeqytetit, mes miqsh, dashamirës dhe lexuesish, ajo shihet e dorëzuar. “Askush nuk më pyeti për ikjen e plazmës sime”, shprehet ajo zëulur, e mrrolur.


Në kopertinë është portreti i tij i mbramë, ndërsa në brendi dëshmia e një nëne, që rrëmon, reflekton e përjetëson. Dhe nënshkruan shkrimtarja, ajo e zhveshura përballë humbjes, zisë së gruas për të birin. Flutura mban në fytyrë aksesorin trend të vitit 2020, maskë.


Ndryshe nga herët e tjera, nuk ka përqafime e fotografi, por ndjeshmëria është po ajo. Shkrimtarja përqafon me sy të rrëmbushur çdokënd, dhe ca më shumë nënat. Ajo i njeh ato, ua njeh frikërat. Ajo është e vetëdijshme se çka e dallon prej tyre është aftësia për të artikuluar atë se çfarë mendon, sepse në thelb, në substancë, të gjithë mendojnë njëlloj për tragjedi të këtilla përmasave.

Autofiksioni përmban emra të përveçëm, të cilat sipas Fluturës janë vetëm konvencione për t’iu afruar së vërtetës njerëzore dhe blatimit hyjnor. E ndodh që është pikërisht kjo e vërtetë njerëzore që ka bërë bashkë gazetarë, shkrimtarë e gjithkënd që s’lodhet së ndjeri. “Shpesh unë mbyll sytë dhe e përfytyroj tim bir në ceremoninë e diplomimit, tek zë thinja, tek ngre fëmijën e tij në krah, tek më kujton pas ikjes sime të mbrame…

Përpos këtij rrugëtimi mendimesh, Flutura dëshiron të tregojë se ka mësuar të jetojë pa të. Dhe mbi të gjitha, se ka arritur t’i besojë plotësisht fjalët e të birit në prag të vdekjes. “Bota është aksident, asgjë më shumë se kaq. Sa u takon qenieve njerëzore, ato janë biologjike, të ndara…”

Në një libër të rrëmbyer nga një vajzë në moshë të re, Flutnesha fluturoi drejt së mirës. “Gjithmonë ka dritë edhe në ditë të vranëta”, shkroi ajo mbi faqen e parë, e bindur tashmë se gjithkush është i barabartë si në dramë edhe në gëzime, veçse me orë të kurdisur ndryshe.

Në kundërti me rregullin e pashkruar se fëmijët përpiqen t’u ngjasojnë prindërve, Flutura do t’i ngjajë të birit për nga pastërtia, bukuria që kishte si njeri, dhe për këtë ndodhet në fazë purifikimi; varka e Noes është mbushur plot e përplot me kujtime, buzëqeshje gurgulluese. Jerin van den Brink u nda nga jeta në të tetëmbëdhjetat e tij, prej një sëmundjeje shumë të rrallë, në një orë të vonë të natës. Nuk është e lehtë për një nënë ta lyejë bojën me të zezë për të tillë lajm.

Megjithatë “Biri” është një libër i pashmangshëm për shkrimtaren Flutura Açka, një udhëtim në kërkim të dritës, një luftë e hapur ndaj territ, që ndoshta ndjek edhe linja fetare. Ajo i mirëpriti miqtë me verë, hedhur në gota plastike, si të ish një Darkë e Fundit në kohëra moderne. Flutura e përshkruan të birin si një djalosh të hapur ndaj botës së madhe, një evropian fanatik, holandez të paqtë, me fe ligjin dhe lirinë, si dhe një shqiptar krenar, kureshtar dhe i dashuruar pas Kanunit, deri në atë pikë sa donte të shënjonte një prej vargjeve të tij.

Tërësia e normave të së drejtës dokësore shqiptare, mbeti pa u shtrirë në trupin që rezistoi deri në fund ndaj zbrazëtisë, sepse e donte të ardhmen. Gjithë ç’u tha përfshiu një porosi, sa për shkrimtaren, ashtu edhe për nënën. “Mam, prova jote se më ke dashur vërtet, fillon tani. Nëse do të dish të vazhdosh. Bëj gjënë më të mirë që di të bësh! Shkruaj! Të shkruash është terapia jote. Bëje, mam, mos hyr në spiralen e dhimbjes, atje humb.” Porosia u krye!

“Biri” është përgjigjja ndaj të birit të humbur, me kokë të kthyer pas, i cili nuk ia donte trishtimin. Jerin van den Brink i thoshte me një shqipe të roitur rrugës “Do të të mungoj”. Dhe duket se ka patur të drejtë! Flutneshës i mungon i biri, ekuilibri, busulla e orientimit.

Ajo i mëshon idesë se sikur njeriu të dinte të lexonte të ardhmen e tij, mbase do të dinte t’i ndreqte më mirë disa gjëra, t’i ruante më mirë disa kujtime dhe të vinte një rregull në jetën e tij. Ndoshta kjo është arsyeja se përse në libër “vret” nënën dhe i lë fronin shkrimtares.

Ndoshta kjo është arsyeja se përse “Biri” sjell një histori përtej personales, dhe që pavarësisht personazheve realë, mund të lexohet si një jetë njerëzish të zakonshëm, tepër të zakonshëm, që nuk janë imunë nga vdekja, ndonëse të ushqyer nga dashuria.


Etiketa:

Pas