Mbrëmjen e së hënës, fare pranë orës 12 të natës ose në pothuajse minutën e fundit të orës së fundit, partitë kryesore politike shqiptare dorëzuan listat e tyre të kandidatëve për zgjedhjet e 25 prillit. Gama e kandidatëve të ofruar dukshëm nuk ndryshon shumë nga zgjedhjet e vitit 2017 ndërsa dy udhëheqësit politikë të vendit, Edi Rama dhe Lulzim Basha, i paraprinë dorëzimit të listave me spektakle publike.
Gjergj Erebara/BIRN
Partitë kryesore politike dorëzuan listat e kandidatëve për zgjedhjet e 25 prillit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve natën e kaluar, duke vijuar traditën e dorëzimit të listave në limitet maksimale të orarit zyrtar, traditë kjo e filluar në zgjedhjet e vitit 2009 me ndryshimet kushtetuese të dakordësuara mes Edi Ramës dhe Sali Berishës të vitit 2008.
Partia Socialiste vendosi disa persona krejt të panjohur në jetën publike në disa qarqe të vendit ndërsa meset e listave, ku bëhet edhe beteja më e ashpër sipas sistemit aktual zgjedhor, mbeten në përgjithësi pa shumë ndryshime. Bie në sy rikandidimi i disa figurave kontroverse në qarkun e Durrësit, përfshirë deputetin aktual Ilir Ndraxhi, emri i të cilit u zbulua nga përgjimet e dosjes famëkeqe 339 për trafikun e drogës në Shijak. Sipas përgjimeve të prokurorisë, Astrit Avdyli, aktualisht i dënuar për trafik droge, dëgjohet duke organizuar një takim politik me udhëheqësit e socialistëve të zonës së Shijakut ku tema e bisedës është kandidimi i Ndraxhit në listat e Partisë Socialiste.
Ndraxhi u vendos i katërti në listën e PS-së në këtë qark në zgjedhjet e vitit 2017 ndërsa mban vendin e pestë në listën e vitit 2021. Rama ka vendosur të mbajë në listën e Durrësit edhe deputetin Rrahman Rraja, një emër i njohur jo aq shumë për fjalimet në parlament se sa për telashet e familjarëve dhe nipërve të tij me drejtësinë. Rraja mban numrin gjashtë në listën e PS-së së Durrësit, gjë që e bën pothuajse të sigurt rizgjedhjen e tij. Partia Socialiste ka fituar tetë mandate në zgjedhjet e vitit 2017 dhe gjashtë në vitin 2013. Lefter Koka, ish-ministër i Mjedisit për Lëvizjen Socialiste për Integrim, është vendosur numri 7 në listën e këtij qarku, rezultati i të cilit është i rëndësishëm për të përcaktuar fituesin e zgjedhjeve në rang kombëtar.
Një tjetër person i lidhur me dosjen tjetër famëkeqe, me numrin 184 dhe që lidhjet me blerjen e votave në zgjedhjet lokale në Dibër në vitin 2016, është Dionis Imeraj, i cili është aktualisht kryebashkiak i Dibrës. Imeraj nuk është akuzuar nga prokuroria por është hetuar dhe ka mohuar akuzat. Gjithsesi, atij do t’i duhet të luftojë për një vend në një pozicion të vështirë.
Në Dibër në zgjedhjet e këtij viti do të zgjidhen pesë deputetë ndërsa ai gjendet në vend të tretë në një zonë ku PD ka pasur kontroll tradicionalisht ndërsa LSI ka arritur të zgjedhë një deputet më 20013 dhe 2017. Ndër ndryshime të tjera të rëndësishme në listat e PS-së, Akademik Anastas Angjeli, ish ministër i Financave i shumëakuzuar për korrupsion, nuk do të jetë më deputet, pasi arriti të zgjidhet nga listat e Ramës në zgjedhjet e vitit 2017 në Elbasan dhe në Gjirokastër më 2013. Disa nga drejtorët e zyrave publike që normalisht duhej të ishin poste jopartiake pritet të garojnë në zgjedhjet e 25 prillit.
Benet Beci, drejtor i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, ka një vend të sigurt si i treti në listën e socialistëve të Shkodrës ndërsa Laert Duraj, drejtor i Posta Shqiptare, ka një vend të sigurt në listat e PS-së në Gjirokastër. Rama ka hedhur në fushëbetejë në kushtet, “fito ose ik” disa nga mininistrat e tij, duke u detyruar të luftojnë për fitore ose të mbeten jashtë parlamentit nëse bien në opozitë. Niko Peleshi është i gjashti në listën e Korçës, në një qark që ka dhjetë mandate ku gjashtë është numri maksimal i mandateve të fituara nga soclialistët në të shkuarën.
Blendi Çuçi është vendosur në pozicion të tretë në Gjirokastër, ku shpresat për rizgjedhje janë të pakëta. Listat e kandidatëve të Partisë Demokratike nuk kanë ndryshuar shumë në disa qarqe, si Gjirokastra ndërsa aleatët e demokratëve, si PDIU dhe PBDNJ duket se kanë kapur pozicione të mira pavarësisht ecurisë së dobët në zgjedhjet e kaluara. Demokratët duket se kanë vendosur të konkurrojnë më fort në Berat në bashkëpunim me aleatin e tyre republikan ndërsa dy deputetë meshkuj kanë zënë pozicione komode në Dibër për të lënë një grua në vend të tretë të pasigurt.
Në qarkun e Gjirokastrës, demokratët do të votojnë saktësisht të njëjtën listë që kanë pasur në zgjedhjet e vitit 2017, ku i pari në vend të sigurt është Tritan Shehu ndërsa i dyti është kryetari i demokratëve të zonës Roland Bejko. Ndryshe nga zgjedhjet e mëparshme, kur në Gjirokastër dilnin pesë deputetë, më 25 prill do të dalin katër. Në garë mbetet deputeti historik Vangjel Tavo për LSI-në, i cili ka arritur me sukses të zgjidhet disa herë deputet kryesisht me mbështetjen e zonës së Dropullit.
Demokratët e Tiranës do të kenë mundësi që, nëse angazhohen fort, të dërgojnë në parlament dy deputetë të PDIU-së, kryetarin Shpëtim Idrizi në vendin e 9 dhe Mesila Dodën në vendin e 12. Demokratët morën 11 deputetë në zgjedhjet e vitit 2017 në Tiranë, por në këtë qark këtë vit do të zgjidhen 36 deputetë nga 34 më 2017, gjë që do të thotë se nëse rezultati mbetet i pandryshuar, edhe Doda është pothuajse në vend të sigurt. Mes dy çamëve demokratët kanë vendosur Vangjel Dulen të Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, partia historike e minoritetit grek në Shqipëri.
PDIU duket se del më mirë se sa në vitin 2017, ku në Tiranë arriti me vështirësi të kapë 3% të votave dhe humbi mundësinë për të zgjedhur një deputet për shkak të pragut. Si një parti e njohur si makineri politike, PDIU vinte nga të qenit në pushtet në aleancë me socialistët në atë kohë ndërsa tani nga pozicioni i opozitës arrin të marrë një deputet të dytë thuajse të sigurt në tavolinën e negociatave me Bashën. Ndryshime domethënëse në listat e demokratëve kanë ndodhur në qarkun e Beratit.
Tomor Alizoti, një përfaqësues i ish-të persekutuarve politikë, garon i pari në listën e Beratit pasuar nga Kasëm Mahmutaj, një zyrtar vendor i Partisë Republikane, i cili bëri bujë gjatë zgjedhjeve të vitit 2015, kur kundrejt të gjitha gjasave, arriti një rezultat të ngushtë në zgjedhjet për kryetar bashkie në bashkinë e re Berat ndërsa realizoi një epërsi të vogël numerike në votat e vetë qytetit të Beratit. Demokratët arritën të marrin vetëm një deputet në qarkun e Beratit në zgjedhjet e vitit 2017 nga 2 në vitin 2013. Gara në Berat pritet të varet shumë edhe nga fuqia e LSI-së, e cila fitoi dy mandate më 2017 ndërsa socialistët duket kanë shënjestruar mandatin e dytë të saj duke rekrutuar ish-deputetin Nasip Naço.
Kapërcime llogoresh me shumicë
Zgjedhjet e 25 prillit ka gjasa do të mbahen mend edhe për numrin veçanërisht të lartë të deputetëve që kanë kandiduar në jetët e tyre për më shumë se sa një parti. Shumë nga të LSI-së kanë kaluar nga PS ndërsa deputetë demokratë konkurrojnë për socialistët e socialistë konkurrojnë për demokratë. Pavarësisht blerjeve të prezantuara me bujë nga socialistët gjatë javëve të fundit nga rradhët e LSI-së, kjo parti duket se ka arritur të ruajë disa nga pikat saj të forta në shumë qarqe të vendit, përfshirë Shkodrën, Lezhën dhe Gjirokastrën.
Lista partish apo lista kryetarësh
Dy partitë kryesore të vendit, PS dhe PD, dukshëm nën kritika për mungesë demokracie të brendshme, kryen dy procese paralele të cilat i prezantuan si “përzgjedhëse” për listat e kandidatëve. PS organizoi një numër seancash të quajtura “deputeti që duam”, në të cilat njerëz të ndryshëm aplikonin për deputet.
Nuk është e mundur të vlerësohet nëse ndonjë nga aplikantët për deputetë u zgjodh me të vërtetë apo nëse ndonjë nga strukturat e Partisë Socialiste kishte ndonjë rol në përzgjedhjen dhe renditjen e kandidatëve për deputetë. Në të dyja partitë, PS dhe PD, procesi i “miratimit” të listave me mbledhjet e strukturave drejtuese vijoi deri në orët e natës së afatit limit.
Mbledhjet në të dyja rastet u kryen me dyer të mbyllura dhe rrjedhimisht është e pamundur të dihet nëse strukturat drejtuese në të dyja partitë, vendosën emrat e kandidatëve apo vetëm vulosën vullnetin e kryetarëve. Mungesa e demokracisë së brendshme në partitë politike dhe fakti që listat e kandidatëve për deputetë janë të mbyllura në Shqipëri ka ngritur shqetësime për gjendjen e demokracisë në vend.
Në sistemet e demokracive liberale, parlamentet janë institucionet që duhet të kenë nën kontroll dhe t’i kërkojnë llogari ekzekutivit ndërsa në Shqipëri duket se është situata e kundërt, kryetarët e partive, kur janë kryeministra, kanë kontroll të plotë dhe mund ta përdorin parlamentin si zyrë noterie të vullnetit të vet.