Aktualitet

BIRN: Policia ishte prezente gjatë konfliktit, misteri i makinës pa targa














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 19:31 - 21/04/21 |
mapo.al

Autor: Bardha Nergjoni | BIRN | Tiranë





Pjerin Xhuvani, mjek dhe politikan lokal – ish-drejtues i LSI në Elbasan i afruar së fundmi me Partinë Socialiste, mbeti i vrarë në një konflikt me armë në lagjen “5 Maji” të qytetit të Elbasanit, ndërsa katër persona të tjerë u plagosën, mes së cilëve edhe Xhensila Sota, një efektive e policisë që ndërhyri për të ndaluar konfliktin.


Policia njoftoi se kishte arrestuar autorin e dyshuar të vrasjes, Arbër Paplekaj, ish-punonjës i Forcave Speciale, i raportuar nga media si i angazhuar pranë shtabit elektoral të Partisë Demokratike. Policia deklaroi gjithashtu se kishte shoqëruar disa persona të dyshuar, që kanë dijeni ose lidhje me ngjarjen.





Përplasja me armë dyshohet se lidhet me fushatën zgjedhore, në qarkun ku tensioni ka qenë i lartë prej më shumë se një muaji. Xhuvani ishte denoncuar më parë nga Partia Demokratike si një nga personat e përfshirë në konfliktin e ndodhur në qendër të Elbasanit Ditën e Verës më 14 mars mes militantëve të PS dhe PD, ndërsa qytetin e vizitonin Rama dhe Basha.



I pranishëm në vendin e ngjarjes vetëm pak minuta pas përplasjes me armë, drejtuesi i fushatës së PD në Elbasan, Gazmend Bardhi u tha mediave se në vendngjarje ishte një makinë e mbushur me para dhe me karta identiteti.


“Ky është shtabi i vërtetë elektoral i Taulant Ballës”, tha Bardhi duke akuzuar homologun e tij në PS për konfliktin.

Disa orë më vonë, pasi vizitoi në spitalin e Elbasanit efektiven e plagosur të policisë, Xhesila Sota, Balla akuzoi PD se kishte sjellë në qytet grupe paramilitare.

“Njerëz të armatosur nga qytete të tjera kanë zbritur dhe kanë terrorizuar qytetarë elbasanas,” shkroi Balla në një status, ndërsa akuzoi Bardhin për ngjarjen.

Me shqetësim reagoi edhe ambasada e SHBA në Tiranë, e cila u bëri thirrje liderëve politikë që të tregojnë vetëpërmbajtje.

Lexo edhe :  Socialistët fitojnë zgjedhjet me ndihmën e ndryshimeve kushtetuese

“Ne u bëjmë thirrje zyrtarëve të zbatimit të ligjit të hetojnë këtë incident sa më shpejt dhe në mënyrë të plotë, të identifikojnë autorët dhe t’i dënojnë me të gjithë forcën e ligjit,” thuhet në reagimin e ambasadës. Ambasada thotë se i ka kërkuar “Presidentit Meta, Kryeministrit Rama dhe Kryetarit të Partisë Demokratike Basha të ushtrojnë vetëpërmbajtje dhe të refuzojnë dhunën”.

Një dëshmitar okular i tha BIRN se kishte parë një grumbullim me njerëz dhe një debat me fjalë mes personave në dy makina të ndaluara në mes të rrugës. Dëshmitari tha se nuk kishte mundur të dëgjonte përse po përplaseshin personat, por tha se e pranishme në vendngjarje kishte qenë edhe policia.

Në një moment gjatë konfliktit janë përdorur armët, nga breshëria e së cilave mbeti i vrarë Xhuvani dhe u plagosën dhëndri i tij, një punonjëse e policisë dhe dy persona të tjerë. Dy prej të plagosurve janë dërguar në Tiranë në gjendje të rëndë.

Në rrugë, policia ka bllokuar një sërë provash materiale, përfshi një makinë pa targa.

Viktima Pjerin Xhuvani është një figurë e njohur në politikën lokale. Xhuvani, mjek psikiatër, ka qenë më herët drejtues lokal i Partisë Demokristiane të drejtuar nga Nard Ndoka, më pas kandidat për deputet dhe drejtues i Lëvizjes Socialiste në Elbasan.

Gjatë periudhës që LSI qeverisi me socialistët, Xhuvani ishte drejtor i Fondi të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për Tiranën. Në vitin 2015 ai u arrestua dhe më pas u dënua për abuzim me recetat e rimbursueshme. Në fushatën e vitit 2017, Xhuvani u përfshi në krah të PDIU-së dhe në fushatën e fundit me Partinë Socialiste./Reporter.al/

1


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas