Ish- presidenti Bamir Topi ka qenë i ftuari i radhës i “Biseda për Tranzicionin”, projektit kërkimor që zhvillohet nga dekania dhe profesorja e Universitetit Europian të Tiranës, Belinda Budini, në bashkëpunim me Univesrsitetin e Oksfordit.
Topi iu është përgjigjur pyetjeve të ndryshme në lidhje me punën e tij gjatë mbajtjes së detyrës së presidentit të Shqipërisë, në vitet 2007- 2012, mbi ato që i cilëson si arritje dhe ambicie të realizuara.
I pyetur nëse figura e Presidenti ka ardhur duke u zhvlerësuar, Topi foli për ndryshimet Kushtetuese të ardhura në vitin 2008, ku tashmë kreut të shtetit i është hequr fuqia, ëpr të qenë një kërcënim për ekzekutivin.
“Historia është 2008. Shqipëtarët kanë pritur që një president të zgjidhet me votim të cilësuar, pra me 84 vota. Në atë kohë Kushtetuta nuk e parashikonte, si e parashikon edhe Kushtetuta italiane sot, që kalon pastaj me një mazhorancë absolute. Nëse pas 5 raundesh, nuk merr 84 vota minimalisht, vendi shkon në zgjedhje të parakohshme. Ky ishte një mekanizëm i rëndësishëm për të gjetur akordin dhe i jepte presidentit një pushtet të fortë, ndonëse të fshehur. Askush nuk mund t’i ushtronte presione të forta, sepse jepte dorëheqjen dhe vendi shkonte në zgjedhje të parakohshme, ku tronditej drejtpërdrejt pushteti ekszekutiv. Duke u zgjedhur tani me 71 vota, partite politike janë të qeta, as nuk e marrin mundimin për të zgjedhur një figurë që merr 3/5, por i djegin raundet e para, duke shkuar te i fundit që kërkon më pak vota. Madje këtu ka një paradoks, ka organe kushtetuese që zgjidhen me 3/5, ndërsa presidenti që i dekreton zgjidhet me 71 vota. Këtu buron rënia”, u shpreh Topi.