Kryesore

Biznesi i pistë i arbirtrazhit që po ushqen korrupsioni i qeverive







               Publikuar në : 09:53 - 16/05/19 |
Klodian Tomorri

Në vitin 2006, kur bota ishte në prag të krizës më të madhe financiare të shekullit, disa nga bankat më të mëdha të planetit, nuhatën një mënyrë për të fituar para. Preja e tyre ishin qytetarët e një prej vendeve më të varfra në botë, shtetit të vogël të Sri Lankas.


Bankerët i propozuan korporatës shtetërore të naftës në Sri Lanka, një marrëveshje ‘hedging” për çmimet e naftës duke premtuar ta furnizonin atë me një çmim të fiksuar për disa vjet pavarësisht luhatjeve të çmimit në bursë. Praktikisht marrëveshja ishte një instrument i pastër spekullativ dhe kompleks, që ja linte të gjithë riskun buxhetit të Sri Lankës, ndërkohë që bankat vetëm fitonin në çdo skenar.

Dhe risku u materializua në vitin 2008. Në më pak se tre muaj çmimi i naftës ra nga 147 dollarë për fuçi në 40 dollarë. Por marrëveshja e detyronte kompaninë shtetërore të naftës në Sri lanka të vazhdonte ta blinte naftën me çmimi katastrofike. Pas disa muajsh humbjesh marramendëse, kompania shtetërore e naftës në Sri Lanka, kërkoi ringecimin e çmimit me bankat. Por kërkesa u refuzua. Kur kompania ndali pagesat, Deutsche Bank e paditi qeverinë e Sri Lankas në ICSID, gjykatën e arbitrazhit të investimeve.

Deri në atë kohë, Deutsche Bank dhe koleget e saj pjesë të marrëveshjes kishin fituar nga 6 milionë dollarë secila. Por ato donin më shumë dhe gjykata I kënaqi. Në vitin 2012 ICSID e dënoi qeverinë e Sri Lankas me 160 milionë dollarë të tjera, para që do të paguheshin nga qytetarët e varfër për një marrëveshje të nënshkruar nga zyrtarët e korruptuar.

Të ndërtuara për të mbrojtur investitorët nga veprimet arbitrare të shtetit, Gjykatat e Arbitrazhit të Investimeve janë shndërruar në një industri fitmprurëse, përmes të cilës korporatat gjunjëzojnë qeveritë dhe grabisin taksapaguesit.
Baza ligjore mbi të cilën kjo industri funksionon janë marrëveshjet dypalëshe mes vendeve dhe ato ndërkombëtare të investimeve. Tëto traktate i kanë veshur investitorët me fuqi të jashtëzakonshme duke u dhënë privilegje, që të shfrytëzojnë zyrtarët e korruptuar për të nxjerr fitime të padrejta.

Në vitin 2012, një investigim i disa gazetarëve amerikanë gjeti se aktualisht janë mbi 3 mijë cështje në gjykatat ndërkombëtare të arbitrazhit, ku korporatat multinacionale kanë paditur qeveritë, kryesisht ato të vendeve të varfra.
Zakonisht gjyqet funksiojnë me 3 gjyqtarë, dy nga të cilët zgjidhen prej palëve dhe njëri me konsensus. Përgjithësisht këta janë avokatë, që vijnë nga korporatat perëndimore dhe kanë interes direkt për të zgjeruar industrinë e arbitrazhit për shkak se bëjnë fitime marramendëse.

Bëhet fjalë për një biznes qindra miliardë dollarësh në duart e disa avokatëve, që shpesh mes tyre e quajnë veten “Klubi” ose “Mafia”. Dhe vendimet që ata kanë dhënë janë shpesh aq të ashpra sa që shumë qeveri në planet nuk guxojnë madje as t’i drejtohen gjyqit, por pranojnë presionet e korporatave duke u dhënë atyre favore të panumërta. Por lënda e parë që ushqen këtë industri të pistë është korrupsioni i qeverive, veçanërisht i atyre në vendet e varfra. Shqipëria është një nga më të dëmtuarat.

Gjatë viteve të fundit, për shkak të marrëveshjeve korruptive të lidhura nga qeveritë, vendi është kërcënuar disa herë me gjyq në arbitrazh. Buxheti i shtetit ka paguar dhjetëra milionë euro si tarifa për studiot e huaja të avokatisë, dhe në shumë raste është detyruar të lëshojë favore të mëdha financiare apo ligjore për kompanitë, pas të cilave shpesh qëndrojnë vetë zyrtarët e korruptuar.

Rastet më tipike janë konçesionet, të cilat e kanë kapur shtetin prej fyti dhe falë marrëveshjeve korruptive janë shndërruar në të paprekshme nga askush.
Veprimet korruptive ose të papërgjegjshme të zyrtarëve të lartë kanë qenë fatale për Shqipërinë. Rasti më i fundit është ai i konfliktit me Becchettin. Një konflikt thuajse personal i kryeministrit, për të cilin qytetarët e varfër të Shqipërisë do të paguajnë 1 për qind të prodhimit Kombëtar. Por ky nuk është i vetmi.

Vetëm pak muaj më parë, Shqipëria mbylli pagesat për një tjetër faturë të kripur, atë të konfliktit me CEZ prej 100 milionë euro. Vetëm nga këto dy çështje vendi ka humbur 210 milionë euro në gjykatat e arbitrazhit të investimeve, ndërkohë që ka paguar qindra milionë euro të tjera në tarifa avokatësh apo favore fiskale dhe ligjore. Kjo është kostoja që qytetarët po paguajnë për zyrtarët e korruptuar dhe është shumë e larta nga sa mund të mbajë ky vend.


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas