Partia Socialiste duke përdorur një parlament surrogato bëri të gjitha lëvizjet për të garantuar zgjedhjet në tavolinë, thotë gazetari Bledian Koka, sipas të cilit me fitoren e PS-së do të instalohet një regjim totalisht autokratik. Sa për PD-në, Koka mendon se asaj i bie barra të faktojë vjedhjen e zgjedhjeve nga PS dhe të bëjë një analizë të sinqertë dhe zgjedhje të brendshme pas dorëheqjes së kryetarit Basha.
Zgjedhjet e 25 Prillit thyen një tabu duke i dhënë dhe një mandat të tretë partisë në pushtet me të gjitha problemet e skandalet që e shoqëruan mandatin e dytë të saj. Si i lexoni këto zgjedhje? Cilat ishin arsyet e këtij rezultati?
E vërteta e zgjedhjeve për këdo që ka patur sy të shikojë është ajo para, gjatë dhe post 25 Prillit. E vërteta e zgjedhjeve është ajo që ka deklaruar për DW edhe Drejtuesja e Misionit të OSBE-së Urszula Gacek që tha se shqetësimi kryesor i vërejtur gjatë këtij procesi është keqpërdorimi i burimeve të administratës shtetërore dhe qëndrimi i turbullt ndaj kufirit mes partisë dhe shtetit.
Dhe rastet për këtë nuk mungojnë. Rasti i denoncuar publikisht nga PD pak ditë para votimeve në Berat nga kandidati Tomor Alizoti, i cili bllokoi fugonin e Bashkisë Berat me pako ushqimore të markuara “Rezervat e Shtetit”, rasti i Dibrës kur kandidati i PD Xhelal Mziu bllokoi automjetin e dy punonjësve të bashkisë që kishin brenda para dhe lista votuesish, apo rasti i incidentit të armatosur që prodhoi fatkeqësisht një viktimë në Elbasan.
Qëndrimi i Drejtorit të Policisë së Shtetit dhe i Prokurorit të Elbasanit që fshehën publikisht faktet që implikonin mbështetësit e PS-së në automjetet e tyre është treguesi dhe fytyra e vërtetë e zgjedhjeve. Ajo që nuk duhet harruar është edhe fakti se Partia Socialiste duke përdorur një parlament surrogato bëri të gjitha lëvizjet për të garantuar zgjedhjet në tavolinë dhe rezultatet janë ato që shohim, ku një parti si PSD me 30 mijë vota ka 3 deputetë, dhe një forcë politike si LSI me 100 mijë vota ka vetëm 4 kandidatë.
Çfarë pritet të ndodhë me qeverisjen në 4 vitet e ardhshme me fitoren e Ramës?
Unë e kam kritikuar Edi Ramën që ditën kur ka vënë këmbë si kryeministër i Shqipërisë 8 vite më parë, duke patur parasysh as më pak e as më shumë atë që ka ndodhur deri tani me vendin. Rrënimi ekonomik, kapja e shtetit, shkatërrimi dhe përvetësimi i pak njerëzve të pasurive të vendit dhe po të doni shtojmë këtu braktisjen masive të shqiptarëve.
Unë mendoj se gjithnjë e më shumë shqiptarë kanë bërë gati valixhet dhe do të vazhdojnë hemorragjinë njerëzore të Shqipërisë. Sa i takon qeverisjes ajo do të jetë një regjim totalisht autokratik që me sa duket ka edhe mbështetjen e ndërkombëtarëve. Në një situatë të tillë, liritë dhe të drejtat e njeriut do vijojnë të pësojnë tkurrje të mëtejshme, me media opozitare që do të shtrëngohen përmes mekanizmave okultë deri në mbyllje dhe me një represion gjithnjë e në rritje ndaj kujtdo që do të tentojë të ngrejë zërin.
Në krahun opozitar kanë nisur debatet duke kërkuar një fajtor për humbjen. Partia Demokratike tregoi rritje të mbështetjes, por jo të mjaftueshme për të marrë pushtetin, çfarë pritet që të bëjë partia më e madhe në opozitë pas këtij rezultati?
Partia Demokratike ka sot barrën kryesore që të faktojë atë që mund të konsiderohet si një nga skemat më ultra-mafioze të shitblerjes së votës e cila në fund u shoqërua me një mega-operacion të zbatuar nga njerëzit e pushtetit me manipulimin e vullnetit të qytetarëve, duke shpallur një seri votash të pavlefshme e cila llogaritet në 83 mijë të tilla.
Denoncimi me emra dhe insistimi që kushdo që ka prekur apo ka blerë një votë të qytetarëve shqiptarë të përballet me drejtësinë është detyra që selia blu ua ka borxh jo vetëm militantëve të saj, por të gjithë qytetarëve shqiptarë.
Vetëm në fund të këtij procesi, PD duhet të shtrohet në një analizë të brendshme e të sinqertë që duhet të kulmojë me një proces zgjedhor transparent për të gjitha strukturat, duke filluar nga Kryetari i Partisë, i cili do të duhej të jepte dorëheqjen para procesit që t’i hapte rrugë një procesi zgjedhor të paparagjykuar dhe të drejtë.