Prezantohet për studentët e UET-it libri i fundit i studiuesit Blendi Kajsiu “A Discourse Analysis of Corruption: Instituting Neoliberalism Against Corruption in Albania, 1998-2005”, London: Ashgate Publishing
Termin “korrupsion” e dëgjojmë në çdo fjalim politikani, në mesazhet e zyrtarëve ndërkombëtarë…kemi fushata antikorrupsion, strategji antikorrupsion dhe jo shumë larg në kohë, aksione politike që rrëzuan qeveri apo ndryshuan pushtetin me stekën e “antikorrupsionit”. Por çfarë është korrupsioni, si është perceptuar ai nga shqiptarët që nga viti ’90 e deri më sot; korrupsion është ryshfeti apo kapja e shtetit dhe çfarë ka sjellë si pasojë lufta antikorrupsion? Të gjitha këto pyetje gjejnë përgjigje analizuese dhe shteruese nga studiuesi Blendi Kajsiu. Me librin e tij më të fundit të botuar në anglisht, që po përgatitet të vijë në shqip nga UET-Press, Kajsiu mbron tezën se “Ligjërimi rreth korrupsionit 1998-2005 dhe fushata anti-korrupsion legjitimuan rendin neoliberal më shumë sesa luftuan korrupsionin”. Prezantimi i pikëpamjeve që Kajsiu mbron në libër u bë të premten para një auditori akademik, me studentë dhe pedagogë të Universitetit Europian të Tiranës. Në një intervistë për gazetën MAPO, Kajsiu jep analizën e tij mbi paradoksin e antikorrupsionit shqiptar, siç e quan ai.
Zoti Kajsiu, pse një libër për korrupsionin, çfarë sjell ky libër?
Në thelb libri është një përpjekje për të zgjidhur paradoksin e antikorrupsionit shqiptar gjatë periudhës 1998 -2005. Në këtë periudhë Shqipëria kishte fushatat antikorrupsion më të suksesshme të rajonit sipas vlerësimeve ndërkombëtare dhe nga ana tjetër kishte njëkohësisht nivelin në rritje të korrupsionit po sipas raporteve ndërkombëtare.
Pra pikënisja është ky paradoks, si ka mundësi që një fushatë kaq intensive antikorrupsion të shoqërohej me një nivel në rritje të korrupsionit. Dhe përgjigjja ndaj këtij paradoksi që jep libri është se fushata antikorrupsion në veçanti dhe ligjërimi i antikorrupsionit në përgjithësi më shumë sesa uljen e nivelit të korrupsionit, arritën në fakt konsolidimin e një rendi neoliberal në Shqipëri, një rend sipas të cilit zhvillimi dhe demokratizimi vijnë nga jashtë dhe jo nga brenda, sipas të cilit motori i zhvillimit është tregu, ndërsa shtetit është pengesë e tij.
Matja e korrupsionit bëhet nëpërmjet perceptimit të korrupsionit nga shoqëria, por a ka përtej perceptimit një realitet të korrupsionit në terren, që nuk njihet apo nuk matet?
Unë nuk besoj se ka një realitet të korrupsionit që mund të matet në mënyrë të pavarur nga perceptimi, sepse sa herë masim korrupsionin apo flasim për korrupsionin, ne në fakt flasim për perceptimin e korrupsionit. Pra, nëse flasim për korrupsionin si ryshfet, gjejmë një realitet korrupsioni që bazohet tek koncepti i ryshfetit. Nëse flasim për korrupsionin si kapje e shtetit nga interesa të bizneseve mediatike apo të bizneseve të tjera, atëherë gjejmë një tjetër realitet të korrupsionit. Në këtë aspekt është vështirë të flasësh për një realitet absolut të korrupsionit.
Përshtypja ime nga ajo që shoh për momentin është se shqetësimi i shoqërisë shqiptare është gjithnjë e më i madh për kapjen e shtetit sesa për ryshfetin. Në këtë aspekt ka një dikotomi midis fushatave antikorrupsion të qeverive dhe shqetësimit të qytetarit në raport me korrupsionin. Nga njëra anë këto fushata fokusohen tek ryshfeti, tek zyrtari i vogël, tek polici rrugor, pra tek reduktimi i këtij korrupsioni, që quhet korrupsion administrativ, ndërkohë që nga ana tjetër shqetësimi qytetar është tek kapja e shtetit, tek vendosja e shtetit në funksion të interesave të ngushta të biznesit apo të interesave të tjera të fuqishme në vend të interesave të shoqërisë në përgjithësi.
Si ka ndryshuar përkufizimi i termit korrupsion në shoqërinë shqiptare dhe pse?
Në vitin 1991 korrupsioni shikohej si marrja e përfitimeve financiare apo e llojeve të tjera për të vepruar kundër interesave kombëtare të Shqipërisë (ligji 7553). Pra korrupsioni shihej si tradhti kombëtare, një përkufizim mjaft i ndryshëm nga ai që kemi sot, kur korrupsioni shikohet si abuzim me postin publik për interesa private. Fjala korrupsion në këto 20 vite ka pasur transformime shumë të mëdha, që ne nuk i shohim sepse jemi aq të mësuar me përkufizim aktual të korrupsionit saqë na duken të çuditshme përkufizimet e mëparshme. Sot korrupsionin e shohim si diçka që lidhet ngushtë me postin publik (abuzim me postin publik për interesa private). Ama po t’i kthehemi fillimit të vitit ’90, me korrupsion shikoheshin shumë elementë të tjerë që nuk kishin të bënin me shtetin, që nga degjenerimi moral i individit (morali i shprishur) deri tek spekulimi në treg. Kjo nuk do të thotë se ne sot kemi përkufizimin e duhur dhe dje ata kishin përkufizimin e gabuar. Kjo do të thotë që sot kemi një përkufizim dominues që prodhon hegjemoninë dominuese neoliberale, që shikon korrupsionin kryesisht si patologji të sektorit publik, ndërkohë që sektori privat artikulohet si krejtësisht i pakorruptuar. Nëse korrupsionin e shikojmë si abuzim me postin publik për interesa private, atëherë del që reduktimi i sektorit publik sjell dhe reduktimin e korrupsionit. Pra privatizimi, reduktimi i shtetit, hapja e tregjeve, do të prodhojë edhe reduktimin e korrupsionit.
Në këto 25 vite tranzicion kemi parë rrëzim qeverish me aksione politike që bazoheshin tek antikorrupsioni, “Katarsisi i Nanos”, dhe ndryshim pushtetesh, fushata me“Duart e pastra të Berishës”, a vazhdon ta ketë fjala korrupsion rëndësinë dhe ndikimin në ligjërimin politik?
Ende ekziston si potencial, pra ligjërimi mbetet, forca e ligjërimit antikorrupsion mbetet. Ajo që ka ndryshuar është se ka humbur kredibilitetit i aktorëve publikë që mund ta përdorin këtë ligjërim. Pra ekziston ligjërimi, por ende jo aktori që mund ta artikulojë atë. Në momentin që aktorë të rinj futen në skenën politike (apo në momentin që rehabilitohen aktorët ekzistues), ata mund ta shfrytëzojnë dhe do ta shfrytëzojnë shumë kollaj këtë ligjërim sepse është i mirërrënjosur dhe gjithëpërfshirës. Kur njerëzit flasin për korrupsion flasin për pabarazi, për padrejtësi, për diferencimin social në rritje. Në këtë aspekt çështja e korrupsionit do të mbetet. Por ajo që ndodh është se përfaqësues të pushtetit aktual apo të opozitës e kanë të vështirë të denoncojnë fenomene korruptive, sepse vetë kanë qenë të përfshirë në këtë fenomen dhe kanë bërë aleanca politike me të njëjtët individë, të cilët i kanë akuzuar për korrupsion. Aleanca e PS-së me LSI-në është një aleancë që nuk mund ta luftojë korrupsionin për sa kohë kryeministri aktual e ka akuzuar LSI-në si segmentin më të korruptuar të politikës shqiptare. Në këtë aspekt është më shumë problem kredibiliteti sesa ligjërimi. Megjithatë, aq i fortë është ligjërimi antikorrupsion, sa megjithë kredibilitetin e cunguar antikorrupsion që ka kryeministri aktual, ai gjithsesi e përdor këtë ligjërim.
POR ESHTE E PAMUNDUR QE EKUACIONI TE FUNKSIONOJE VETEM NGA NJERA ANE, KJO SEPSE EDHE FORMULA E KORRUPSIONIT ESHTE SIMETRIKE. DMTH KEMI AQ KORRUPSION NE SHTET SA KEMI PERFITIM NGA ANA TJETER, QE NE RASTIN E KAPJES SE SHTETIT ESHTE BIZNESI PRIVAT.
QE KORRUPSIONI ESHTE GJITHMONE I LIDHUR ME PRIVATIN KJO ESHTE E PADISKUTUESHME. PERFITUESIT ME TE MEDHENJ TE KORRUPSIONIT (OSE TE FAVOREVE NDAJ BIZNESIT TE ZYRTAREVE TE LARTE) NUK JANE ZYRTARET E LARTE QE MARRIN DERI NE 10 %, POR SEKSERET DHE VETE BIZNESMENET QE GELLTISIN LLOKMA SHUME T EMEDHA.
NEOLIBERALET SI GJITHMONE NUK MARRIN NE KONSIDERATE EFEKTIN E NGOPJES: QE NE KETE RAST DO TE THOTE SE TREGU PRIVAT NUK MUND TE ZHVILLOHET PAFUNDESISHT, JO VETEM PER ARSYE TE MUNGESES SE LEVERDISSHMERISE, POR MBI TE GJITHA SE DISA AKTIVITETE NUK MUND TE PRIVATIZOHEN KURRE.
PRA SHPREHJA QE BLENDI E KA QEJF, “SA ME SHUME QE” KA NJE KUFI. DHE TEORIA E TIJ ESHTE E VERTETE DERI AFER KUFIRIT TE PRIVATIZIMIT TE PLOTE TE GJITHCKAJE TE PRIVATIZUESHME. SA ME SHUME I AFROHEMI KETIJ LIMITI AQ ME PAK EFAKTI NEOLIBERAL ESHTE NE GJENDJE TE PRODHOJE ANTI-KORRUPSION.