Strukturat e opozitës, kanë bërë të mundur kapjen e dy personave, anëtarë të shtabit të PS, që po shpërndanin para në këmbim të votës në Zonën e Maqellarës në Dibër. Pas bllokimit të dy autorët i janë dorëzuar policisë, për procedura të mëtejshme. Ngjarja vjen vetëm një ditë pas Elbasanit, ku strukturat për mbrojtjen e votës u përfshinë në një konflikt dhe si pasojë mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani, mbështetës i PS në këtë qark
Një makinë me rreth 5 milionë lekë të vjetra të destinuara për blerjen e votës, është bllokuar dje nga mbështetësit e opozitës në zonën e Maqellarës, Dibër. Ky qark është rikthyer dhe një herë në qendër të vëmendjes për fenomenin e blerjes së votës dhe sërish roli i policisë në zbulimin e tyre ka qenë inekzistent. Duhet theksuar se Dibra ka qenë dhe mbetet një nga zonat më të prekura të shitblerjes së votave, dhe mësohet se të ndaluarit kanë qenë njerëz të kandidatëve socialistë, siç shprehet në prononcimin e tij për mediat kandidati i PD, Luan Haka. Ky i fundit qëndron dhe në krye të strukturës për mbrojtjen e votës, e cila u bë shkak për parandalimin e krimit zgjedhor ditën e djeshme në Dibër. “Kishim tre ditë që ndiqnim këtë makinë. Ne e dimë kush shpërndan para. Janë të njëjtët persona që kanë fituar zgjedhjet me mashtrime, dhe blerje”, -thotë Haka.
Rastet
Por sipas kandidatit të PD-së ky nuk është një rast i izoluar. Struktura ka pasur informacione se para në këmbim të votave po jepeshin dhe në Luzni, apo Pobçisht, por që gjithsesi janë izoluar pikërisht nga struktura që operon pranë shtabit elektoral të PD-së Dibër. Haka thotë se çdo kandidat socialist ka menaxherin e tij të parave. “Përpara se të bllokonim këtë makinë, kemi qenë në fshatin Pobçisht ku dhe atje po përgatiteshin të shpërndanin para. Më pas na ka ardhur informacioni për këtë makinë. Aty u gjetën 5 milionë lekë të vjetra dhe lista me emrat e atyre që do paguheshin, për zonën e tij. Se këta kanë një gjë, i kanë të ndara zonat, se nuk është vetëm ky janë dhe tre apo katër të tjerë. Kjo është e Milaimit (Damzi), kjo është e Dionisit.
Secili kandidat ka menaxherin e tij të parave, se janë specialista. Këta mendojnë se do të poshtërojnë popullin e Maqellarës”, thotë Haka duke shtuar se janë 24 orë zgjuar në mbrojtje të votës. “24 orë jemi zgjuar, dhe të gjithë këta njerëz kanë ndenjur non stop në gatishmëri me mua. Nuk është vetëm ky moment. Dje kemi pasur problem në Luzni, dhe natën kemi shkuar në atë fshat. Po të njëjtët persona u futën nëpër shtëpi dhe u mbyllën brenda. Ashtu si në Luzni, po ndodh në të gjithë zonën, por grupet tona janë në gatishmëri. Në çdo moment s’do t’i lejojmë, jemi këtu për jetë a vdekje. Po të fitojnë me votë le të fitojnë, por jo të poshtërosh njerëzit me lekë”, përfundon Haka.
Dyshimet
Ngjarja e Dibrës përforcon dhe një herë dyshimet mbi atë çka po ndodh në mbarë vendin. Kandidatët socialistë po shpërndajnë para dhe ushqime në këmbim të votës, me qëllim për të deformuar rezultatin real të 25 prillit. Kjo ndodhi në Berat, kjo ndodhi në Vaqarr deri sa kulmoi me nxjerrjen e armëve në Elbasan. Në të gjitha rastet, policia ka ndenjur indiferente dhe kanë qenë strukturat e opozitës ata që kanë neutralizuar blerësit e votave, të cilët kanë qenë mbështetës të së majtës. Gjithashtu, një indiferencë ka treguar dhe SPAK apo prokuroritë e rretheve në hetimin e krimit të shitblerjes së votës. Më datë 12 prill drejtuesi politik i qarkut Elbasan Gazment Bardhi dërgoi në SPAK 43 emra që dyshohen për shitblerje votash, mes të cilëve ishte dhe emri i Klement Xhaferrit, një prej të implikuarve në ngjarjen ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani, pjesë e strukturave socialiste në këtë qytet.
Meta: Strukturat që mbrojnë votën, e drejtë legjitime e opozitës
Presidenti i Republikës Ilir Meta komentoi në një intervistë për televizionin lokal në Vlorë, ngjarjen e shënuar 2 ditë më parë në Elbasan, me 1 të vdekur e 4 të plagosur. Meta fajësoi kryeministrin Rama si të vetmin përgjegjës sipas tij, për ngjarjen dramatike. “Konfliktin në Elbasan e stisi Edi Rama, i cili është i vetmi përgjegjës për atë situatë dhe për të gjitha zhvillimet dramatike aty. Ngjarja e rëndë ndodhi në praninë e policisë, që tregon se ky është një shtet i kapur nga krimi. Struktura për mbrojtjen e votës është një e drejtë legjitime e opozitës, në kushtet kur Damiani në vend që të ishte sot në burg është kandidat për deputet, kur struktura kriminale të Rilindjes vazhdojnë me manovra për blerjen e votës dhe presione ndaj qytetarëve. Për këtë ofertë të tyre poshtëruese, Rilindja do ndëshkohet në mënyrën më shembullore më 25 Prill”, u shpreh Meta.