1. Qarkullimi i mjeteve në Tiranë është kthyer në një torturë stresi, ndotje ambienti, humbje kohe dhe kosto jetese.
Nuk bëhet më fjalë për normativa të ndotjes ditore të ajrit me grimca 50 miligramë për m3, por për një pandemi ambientale ankthi që shërben si inkubator për rritjen e të infektuarve nga Coronavirusi.
Pandemia e ardhur nga jashtë dhe Pandemia që vjen nga qarkullimi i mjeteve, të dyja bllokojnë rrugët e frymëmarrjes. Por Pandemia vendore e ndotjes së ambientit në Tiranë, do të ketë fushë veprimi më të gjatë mbi jetën njerëzore, sociale dhe ekonomike.
Sipas euro-prognozës Coronavirusi kinez apo spanjoll do të zhduket me një Vaksinë, ndërsa tortura e bllokimit të mjeteve për hyrjen dhe daljen nga Tirana të prodhuara nga skema të gabuara të lëvizjes, kërkojnë mbi një 10-vjeçar të përmirësohen.
Kaosi total është në rritje. Punimet në disa segmente apo vepra arti rrugore, zbuluan dhe më tej bllokimin e qarkullimit. Por si aktivitet ai ka filluar që me bllokimin e sheshit “Skënderbej”.
2. Të udhëtosh nga qendra e Tiranës deri në QTU, ose nga Selita në Institutin Bujqësor, një veture i duhet të qëndrojë në trafik min. 60 minuta për 5-6 km rrugë, ndërsa një mjeti transporti më shumë.
Duke tejkaluar mbi 5 herë kohën normale të qarkullimeve të brendshme të qendrave urbane intensive. Sipas standardeve europiane një mjet që konsumon 5, 6 litra benzinë ose diesel, në 100 km, për çdo 5000 km rrugë, prodhon min 1 ton gaz karbonik.
Rikuperimi i të cilit ka një kosto min 220 $/ton. Në qoftë se llogarisim min. 50 mijë mjete të bllokuara të bllokuara min 2 orë në ditë realizohen 100 000 orë humbje kohe të ndezura, të cilat, të konvertuara në km rrugë brenda një sip. urbane intensive 25 km2, prodhojnë mbi 1500 ton gaz karbonik. I cili për t’u rikuperuar kërkon V=330 000 $ ditë, pa llogaritur dëmtimin dhe rikuperimin social…
Bllokimi i mjeteve formon një pandemi shumë të madhe të padukshme, të papërballueshme për shëndetin, ekonominë dhe jetën sociale. Pa llogaritur stresin, ankthin dhe kohën e humbur.
3. Bllokimi i mjeteve të qarkullimit në Tiranë apo detyrimi i mjeteve të futen njësh kolonë partizane në tunelin e hapur të Torre Drinit, është de fakto një produkt i një projekti afatgjatë, antijetësor, me apo pa qëllim, që nuk justifikohet me ndërtimin e sheshit Gungaç, “Skënderbej”.
Të gjitha bllokimet në arteriet kryesore nuk justifikohen as me parajsën e korsive të biçikletave, as me zgjerimin e trotuareve, as me sensin e vetëm të qarkullimit që do të dëmtojë tregtinë e dyqaneve buzë rrugëve, as me mbingallosjen me bojë e rrugëve në emër të sinjalistikës, as me ngushtimin e rrugëve dhe mbjelljen e pishave në asfaltin e bulevardit, as me mbjelljen e shkurreve në qendër të Tiranës, në emër të variacionit të mjedisit, as me ndërtimin e unazës Teknologjik–Shqiponjës, as me zgjerimin e Urës së Paskuqanit, apo Urës së Institutit, as me teoritë e matjeve apo parimet e edukatës së lëvizjes.
Ndërtimet e reja apo rikonstruksioneve të veprave të artit apo ndryshimi i destinacionit të shesheve, rrugëve, bëhen të shoqëruara me studime praktike që nuk cenojnë qarkullimin e jetës normale aktuale, edhe gjatë fazës ndërtimore.
Sepse qarkullimi me një drejtim në galerinë e hapur të rrugës “Mine Peza”, së bashku me tamponin në hyrje të Don Boskos, nuk përmirësojnë qarkullimin e rrugës së Durrësit.
4. Bllokimi i qarkullimit të mjeteve në Tiranë dallon për një progres te vazhdueshëm, në të gjitha rrugët që drejtohen drejt qendrës dhe anasjelltas. Për skemën e qarkullimit të mjeteve nuk ka asnjë informacion, por nuk duket edhe asnjë projekt që do të lehtësojë në perspektivë torturën e hyrjes dhe daljes nga kryeqyteti.
Duke sjellë në kujtesë që Tirana nuk është pronë e një qeverie sezonale. Këtu shtrohet pyetja cili është autori apo arkitekti apo gjeniu i terrorit të qarkullimit të mjeteve, ku bazohet dhe kujt standardi i referohet. Sepse të prishësh gjurmën e bulevardit kryesor ose themelin e trashëgimisë e urbanistikës moderne shqiptare në emër të shkarravinave të zgjerimit të trotuareve ose interesave të objekteve të rrugës, duke bllokuar trafikun dhe pa asnjë studim sa do të zgjasë tortura e qarkullimit mjeteve, nuk janë projekte historike.
Teoria e ngushtimit të rrugëve në korridoret më intensive të qarkullimit në plazhin e Durrësit dhe Ferrobetonin e Lungo Mares Vlorë, në emër të udhëtimit të ngadalësuar për të mbrojtur këmbësorët, janë një vazhdim i asaj që ndodh në Tiranë.
5. Natyrisht që në metropolet urbane ulet intensiteti i qarkullimit të mjeteve, sidomos në kryqëzimet rrugore. Por eksperiencat e modeleve të transportit të brendshëm, në qytetet disa herë më të mëdha se Tirana, nuk mungojnë.
Skemat e gjeografisë, gjeometrisë, llojit të transportit, hartohen në unitet me progreset urbane, ato janë afatgjata dhe zbatohen para ndërtimeve urbane. Planifikimet fillojnë që nga intensiteti i strehimeve masive në pallatet e larta e të mëdha, si pranë 21 Dhjetorit, apo rrugës së Elbasanit. Që mund të quhen Geto Banimi. Ato kërkojnë hapësira të mëdha mjedisi për plehrat, furnizimin me energji, furnizimin me ujë, strehimet e mjeteve dhe pastërtinë e ajrit. Por mbi të gjitha paraprihen me ndërtimet mbitokësore dhe nëntokësore të infrastrukturës, ose të ndërtoheshin në blloqe jashtë zonave me dyndje urbane.
Por epidemia e bllokimit të rrugëve kryesore do të eksportohet edhe jashtë Tiranës. Në Europë lëvizja sa *km* rrugë përshkon një qytetar në ditë është tregues i nivelit ekonomik dhe social, ndërsa në kryeqytet tentohet që kjo të zvogëlohet.
Njëkohësisht nuk ka rekomandime taksative që të realizohen korsitë e biçikletave dhe zgjerohen trotuaret, duke ngushtuar rrugët dhe bllokuar qarkullimin.
6. Rruga me katër korsi në plazhin e Durrësit ishte formatuar shumë herë më e bukur se Canna dhe se shumë rrugë bregdetare të Adriatikut dhe Mesdheut. Me pak sistemime anësore, rregullime në trafik, ndarje dhe plotësimi i gjelbërimit, do të formonin një vepër arti në infrastrukturën turistike.
Por futja me dhunë e katër drejtimeve të lëvizjes, në një korsi të ngushtuar, pa trafik ndarje, me rotondat që janë shkelur e dëmtuar pa kaluar një pesëvjeçar, që duken të bukura vetëm në letrat e ngjyrosura, krijimi i vargjeve të mjeteve dhe vështirësive të lëvizjes në periudhat verore, janë të gjitha prurjet negative të projekteve jo funksionale në infrastrukturën turistike.
Por arkitektura e bllokimit të qarkullimit po zbatohet dhe në korridoret e brendshme dhe në Durrës dhe vargjet e mjeteve nuk mungojnë në çdo orë të ditës.