Kryeministri Edi Rama ka publikuar në “Facebook” një foto nga rruga e Kombit, e mbuluar nga dëbora në dy pjesët anësore të saj, ndërkohë që borëpastrueset vijojnë punën.
Rama shprehet se autoritetet janë në gatishmëri të plotë, përballë sprovës së jashtëzakonshme të motit.
Megjithatë, ndjekësit kanë rezervat e tyre, dhe duket se nuk u ka pëlqyer ky koment.
“Çfarë pune?! Paguaj 10 euro për Rrugën e Kombit sa herë kaloj e kthehem. Për këtë ditë e paguaj”, – shkruan një qytetar me emrin Amarildo Metushi.
Nuk ka munguar një përgjigje nga ana e Ramës, ndonëse përngjan si lojë fjalësh.
“Amarildo Metushi, nuk e paguan vetëm për këtë ditë e paguan për çdo ditë dhe ka shumë rëndësi që shërbimi të bëhet njësoj si në Europë, kështu që kur ta paguash më tej do jesh shumë i qartë që po paguan për veten tënde!” – shkruan kreu i qeverisë, që duket se ka provokuar zemërim tek mjaft ndjekës të tjerë.
Këta të fundit kanë preferuar ta shfaqin jo me fjalë, por me emoji.