fbpx

Aktualitet

Bllokoni asetet e ndërtuesve që shkaktuan dëmet





               Publikuar në : 17:53 - 01/12/19 |
mapo.al

Nga Klodian Tomorri


Fatura financiare e dëmeve që la pas tërmeti i 26 nëntorit pritet të jetë e rëndë dhe pjesa dërrmuese e saj do të bjerë mbi buxhetin e shtetit. Kjo nënkupton se barra e rindërtimit të banesave dhe veprave publike të dëmtuara do të mbahet nga qytetarët shqiptarë.



Solidarizimi i qytetarëve me familjet e dëmtuara nga tërmeti ka qenë i pashembullt. Sot nuk gjen asnjë shqiptar që refuzon të japë taksat e tij për të ndihmuar familjet e dëmtuara nga tërmeti. Por hedhja e të gjithë faturës tek taksapaguesit është e padrejtë. Ka një kategori tjetër që duhet të paguajë. Ata janë njerëzit që e shkaktuan dëmin.


Qeveria ka detyrimin moral por edhe ligjor të identifikojë të gjitha kompanitë që kanë ndërtuar pallatet e dëmtuara. Menjëherë pas identifikimit, autoritetet duhet të bllokojnë asetet e këtyre kompanive deri kur ekspertiza teknike të nxjerrë arsyet e dëmtimit.

Nëse rezulton se shkaku është cilësia e dobët e ndërtimit dhe shkelja e ligjit nga ana e ndërtuesve, atëherë duhet automatikisht që asetet e bllokuara të konfiskohen dhe të përdoren për të shlyer dëmet.

Dëmtimi i pallateve në Durrës është shumë më i madh nga sa shfaqet në media. Fatura e rindërtimit të tyre do të jetë e rëndë dhe të parët që duhet të paguajnë janë pikërisht ata që e kanë shkaktuar këtë situatë. Në Durrës, qytetarët e dinë shumë mirë se kush i ka ndërtuar ato pallate që sot janë të pabanueshme. E dinë shumë mirë edhe se kush janë furnitorët e materialeve të ndërtimit. Shpesh njerëz të fuqishëm dhe me pushtet.

Sot disa prej tyre po marrin rolin e bamirësit duke dhënë ccikërrime donacionesh. Por këto janë donacionet e hipokrizisë, pasi të njëjtit njerëz nga ana tjetër ju kanë lënë qytetarëve qindra milionë euro të humbura dhe rrezikun për jetën.

Provat e krimit janë aty. Qeveria ka në dorë të zgjedhë nëse do të jetë palë me krimin apo me qytetarët? Fatkeqësisht rruspat e vërsulura për të shembur pallatet e pabanueshme dhe bashkë me to provat tregojnë se ajo zgjedhje mund të jetë bërë sakaq.

Por një gjë është e sigurtë. Ata që do të përpiqen të fshehin apo amnistojnë krimin e ndërtimeve në Durrës, janë po aq fajtorë sa ndërtuesit që vranë dhjetëra njerëz dhe shkaktuan qindra milionë euro dëme për të nginjur babëzinë e tyre kriminale. Nje dite te gjithe keta duhet te dalin para ligjit.


Etiketa:

Pas